Policia shton masat e kontrollit në trafik

Aktuale

Policia shton masat e kontrollit në trafik

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 09:48
Ilustrim

Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ për zbatimin dhe implementimin e masave ligjore për të gjithë ata që nuk i përmbahen rregullave në trafik gjatë stinës së verës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Radio Kosovën se me ardhjen e mërgimtarëve, është shtuar qarkullimi i veturave dhe për fat të keq edhe numri i aksidenteve me fatalitet dhe sipas tij, kjo është arsyeja e shtimit të kontrollit në trafik

“Gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ policor, të cilin edhe e kemi shpërndarë  nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore për zbatim dhe implementim, dhe masat ligjore do të merren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik”, tha Hoxha.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxhaj, duke krahasuar gjendjen me gjashtë mujorin e fundit, theksoi se aksidentet me lëndime dhe fatalitet kanë shënuar rritje.

“Sipas të dhënave të përgjithshme, megjithëse vërehet një rënie e numrit të aksidenteve me dëme materiale, numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe atyre me fatalitet ka shënuar rritje, që do të thotë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi tre persona më shumë që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore, që gjithsejtë i bie të jenë 53 persona”, tha ai.

Ndërsa, një qytetar u bën apel shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe të jenë më të vëmendshëm gjatë vozitjes në trafik.

“Kisha dashur që shoferët të respektojnë më shumë shenjat e trafikut dhe të jenë më të koncentruar në vozitje, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve tanë. Kur po vijnë ata, ne po vozisim veturat e tyre dhe gabimet që po i bëjmë ne, po u mbesin atyre, në të vërtetë ata janë shumë më të kujdesshëm se ne”, tha ky qytetarë.
 
Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe t’i respektojnë shenja e trafikut, të mos përdorin telefonin dhe të mos vozisin nën ndikimin e alkoolit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat