Chabret: Franca do të mbështesë çdo qeveri që do të formohet në bazë të Kushtetutës

Aktuale

Chabret: Franca do të mbështesë çdo qeveri që do të formohet në bazë të Kushtetutës

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 21:35
Ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabret

Franca do të mbështesë çdo qeveri që do të formohet në bazë të Kushtetutës nga Parlamenti i ri dhe do të përpiqet t’i ndihmojë asaj, aty ku ajo vlerëson se ka nevojë për ndihmë, për njohuri dhe për ekspertizën franceze, tha ambasadori i Francës në Kosovë, Dieder Chabret, me rastin e Ditës Kombëtare të Francës.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabret tha se janë mbledhur jo vetëm për të evokuar se çfarë simbolikisht përfaqëson 14 korriku, por edhe për të festuar miqësinë mes Francës dhe Kosovës.

Për më tepër ai tha se mirëpret zgjedhjet e 11 qershorit, që janë mbajtur në kushte të kënaqshme.

Chabret: Franca do të mbështesë çdo qeveri që do të formohen në bazë të kushtetutës

“Pra, si një mik i Kosovës unë mirëpres zgjedhjet e 11 qershorit që u mbajtën në kushte të kënaqshme, ndonëse disa incidente kanë shtyrë misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, për të formuar disa rekomandime që meritojnë të merren në konsideratë. Franca do të mbështesë çdo qeveri që do të formohen në bazë të Kushtetutës nga Parlamenti i ri, dhe do të përpiqet t’i ndihmojë asaj, aty ku ajo vlerëson se ka nevojë për ndihmë, për njohuri, dhe për ekspertizën franceze. Është e rëndësishme që qeveria e ardhshme të bëjë përparime në fushën e ekonomisë, sundimit të ligjit dhe në afrimin e saj me Evropën”, tha ai.

Po ashtu, ambasadori francez tha se e ardhmja e Kosovës është në procesin e integrimit evropian dhe përfshirjen e saj në bashkëpunimin rajonal. Ai tha se një perspektivë e qartë evropiane i është dhënë, ashtu si edhe të gjitha vendeve në rajon në samitin e Berlinit, Vjenës, Parisit dhe së fundi edhe në Triestes.

Chabret: Sundimi i ligjit është në qendër të procesit të afrimit me Evropën

“Më shumë se kurrë, sundimi i ligjit është në qendër të procesit të afrimit me Evropën, veçanërisht në lidhje me reformën gjyqësore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore. Këto reforma duhet të vazhdojnë shpejt, jo për shkak se këtë e kërkon Bashkimi Evropian por mbi të gjitha për shkak se bëhet për pritjet e shprehura fuqishëm nga ana e shoqërisë kosovare dhe veçanti nga rinia e Kosovës, që dëshiron t’i jap fund një sistemi të çoroditur që po e frenon të ardhmen e saj duke penalizuar punësimin, duke dobësuar cilësinë e edukimit dhe duke ngadalësuar futjen e saj në një zonë evropiane, të hapur, të pasur me potenciale dhe lëvizshmëri”, tha ai.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Dider Chabret tha se është e nevojshme që në muajt e ardhshëm e tërë klasa politike kosovare të dëshmojë përgjegjësi dhe se kalkulimet politike, ose personale të mos pengojnë zbatimin e reformave të pritshme nga të gjithë.

Po ashtu, ai tha se bashkëpunimi rajonal është një kusht kyç i perspektivës evropiane të Kosovës.

Chabret: Bashkëpunimi rajonal është kusht kyç i perspektivës evropiane të Kosovës

“Unë gjithashtu dua të rikujtoj se bashkëpunimi rajonal është një kusht kyç i perspektivës evropiane të Kosovës. Këto ditë në Trieste, autoritetet më të larta evropiane kanë përshëndetur rrugëtimin e bërë, duke ftuar çdo vend të Ballkanit Perëndimor që të vazhdoj përpjekjet për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore. Sa i përket Kosovës asaj i takon të angazhohet në dialogun me Serbinë. Kjo është një rrugë e vështirë, sepse të dyja palët duhet të bëjnë kompromise të vështira për të mundësuar një normalizim të plotë të marrëdhënieve, dhe në kohën e duhur njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës nga ana e Serbisë, që pritet nga të gjithë këtu. Pajtimi është thelbësor për stabilitetin e gjithë rajonit”, tha ambasadori Chabret.

Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se 14 korriku shënon lindjen e vlerave të reja që promovuan lirinë, barazinë dhe vëllazërinë jo vetëm në Francë por shumë më gjerë. Sipas tij, këto vlera u bënë frymëzim për shumë popuj të botës për të mposhtur frikën, për të thyer shtypjen dhe për të fituar lirinë.

Thaçi: Qytetarët e Kosovës kujton me nderim këtë ngjarje

“Mbi këto vlera u ndërtuan shumë shtete moderne, të bazuara në vullnetin e popullit, unitetin kombëtar, qeverisjen e mirë, laicitetin, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Qytetarët e Kosovës kujton me nderim këtë ngjarje, e cila ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm emancipues anembanë Evropës dhe më gjerë. Lufta për liri, pavarësi dhe shtet ndërtimi në Kosovë ishin bashkim i aspiratave të popullit për një shtet sovran dhe i mbështetjes së fuqishme të miqve tanë ndërkombëtarë. Franca ishte shteti i parë që një ditë para shpalljes së pavarësisë me 16 shkurt 2008 futi Kosovën në hartën e shteteve të pavarura, derisa të nesërmen njohu pavarësinë e Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Në këtë organizim për nder të Ditës Kombëtare të Francës morën pjesë personalitete të politikës, duke filluar nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, kreu i PDK-së Kadri Veseli, kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes Albin Kurti, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri si dhe ambasadori SHBA-ve Greg Delawie, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’ Connel, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi e shumë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat