Yee tregon se me cilën qeveri do të dëshironte të bashkëpunonte SHBA-ja

Aktuale

Yee tregon se me cilën qeveri do të dëshironte të bashkëpunonte SHBA-ja

Nga: N.E Më: 19 korrik 2017 Në ora: 08:09
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Hoyt Brian Yee, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshëm të bashkëpunojnë me cilëndo qeveri në Kosovë, që ka të njëjta vlera dhe objektiva bazë si ata, që janë të njohura, përfshirë integrimin, forcimin e ekonomisë, më shumë vende pune për të rinjtë, pakësimin e korrupsionit.

Yee në një intervistë për "Zërin e Amerikës", është shprehur se ata do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës, për të realizuar reformat e nevojshme, ndërsa qeveria e Kosovës ka detyrimin të jetë serioze, dhe disa herë e guximshme, një qeveri e përgjegjshme që është sinqerisht e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të shënuar përparim dhe jo thjesht të shkaktojë vonesa, ngecje dhe të luajë lojra politike, por të jetë serioze për të hedhur disa hapa konkretë drejt objektivave të popullit të Kosovës.

Ai ka treguar se të gjitha nevojat e qytetarëve të Kosovës kanë mundur të plotësohen gjatë qeverisjes së kaluar, por për fat të keq nuk u arritën.

“Mendoj se mesazhi i pesëshes, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ishte se ne jemi të gatshëm dhe presim me padurim që të fillojmë të punojmë me qeverinë e re në Kosovë, për të realizuar atë që populli i Kosovës është përpjekur të arrijë për shumë vjet dhe që për fat të keq qeveria e fundit nuk ishte shumë e suksesshme për ta realizuar: bëhet fjalë për përparim të vërtetë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, në luftën ndaj korrupsionit dhe në drejtim të krijimit të një ambjenti ku bizneset të zhvillohen në Kosovë dhe ku vendi të bëjë përparim drejt integrimit të mëtejshëm me Evropën, si për shembull udhëtimi pa viza. Të gjitha këto ishin të realizueshme gjatë qeverisjes së kaluar dhe për fat të keq nuk u arritën” u shpreh Yee.

Ai ka shtuar se ata dëshirojnë t’i përcjellin sinjal cilësdo qeveri që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ata, që kanë të njëjta vlera dhe objektiva bazë sikur ata.

“ Prandaj ne duam që t’i përcjellim një sinjal sa më herët, cilësdo qeverie që do të vijë në pushtet që ne Shtetet e Bashkuara, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo qeveri që është legjitime, që ka të njëjtat vlera dhe objektiva bazë si ne, që janë të njohura, përfshirë integrimin, forcimin e ekonomisë, më shumë vende pune për të rinjtë, pakësimin e korrupsionit. Ne jemi të gatshëm të fillojmë të punojmë për të gjitha këto synime. Sigurisht që ne presim një partneritet të sinqertë mes qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar. Me kemi detyrimin që të ndihmojmë qeverinë e Kosovës, për të realizuar reformat e nevojshme, ndërsa qeveria e Kosovës ka detyrimin të jetë serioze, dhe disa herë e guximshme, një qeveri e përgjegjshme që është sinqerisht e përkushtuar për të luftuar korrupsionin dhe për të shënuar përparim dhe jo thjesht të shkaktojë vonesa, ngecje dhe të luajë lojra politike, por të jetë serioze për të hedhur disa hapa konkretë drejt objektivave të popullit të Kosovës” ka theksuar Yee.

Ndërsa, i pyetur nga "Zëri i Amerikës" se a do të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen e cila si parti ka më shumë vota se çdo parti tjetër, pasi që Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar ashpër Vetëvendosjen në të kaluarën, Yee shprehet se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me çdo qeveri të ligjshme, që del nga procesi demokratik në Kosovë, ose në çdo vend tjetër në Evropë.

“Siç e thashë ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo qeveri të ligjshme, që del nga procesi demokratik në Kosovë, ose në çdo vend tjetër në Evropë. Ne nuk zgjedhim partitë ose udhëheqësit. Kjo i takon popullit që shpreh vullnetin politik përmes zgjedhjeve. Janë Vetëvendosja ose partitë e tjera përgjegjëse për të gjetur konsensusin e nevojshëm që të kenë shumicën e nevojshme në parlament, që të mund të funksionojnë si qeveri. Ajo që ne kërkojmë është që qeveria e re dhe partitë që përbëjnë atë qeveri, si edhe partitë e opozitës të plotësojnë detyrimet e tyre të partneritetit. Pra nëse ne japim ndihmën që kanë kërkuar palët në Kosovë, ne do ta bëjmë pjesën tone” ka deklaruar Yee.

Ai ka shtuar se presin nga palët të respektojnë shtetin ligjor, që domethënë jo gaz lotsjellës, jo dhunë në parlament dhe diçka që janë të papranueshme nga çdo demokraci në Evropë.

“Por ne presim që edhe palët atje të bëjnë pjesën e tyre, që do të thotë respektimi i shtetit ligjor, çka do të thotë jo gaz lotsjellës, jo dhunë në parlament –diçka e papranueshme nga çdo demokraci në Evropë, do të thotë të mbajnë premtimet. Pra jo të na thonë që do të bëjnë disa reforma dhe pastaj të mos ta plotësojnë atë premtim, do të thotë gjithashtu ta luftojnë pa rezerva korrupsionin, jo të shprehen se janë kundër korrupsionit dhe nga ana tjetër të mbajnë zyrtarë të korruptuar në qeveri. Nëse partitë në koalicionin qeveritar në qeverinë e re, bëjnë pjesën e tyre, plotësojnë pritshmëritë tona që ne i kemi shprehur prej kohësh, ne do të bëjmë pjesën tonë, dhe do ta mbështesim atë qeveri” ka theksuar Yee.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat