Përfundon rishikimi i vendit për vrasjen në “BonVivant”

Aktuale

Përfundon rishikimi i vendit për vrasjen në “BonVivant”

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 15:39
Sot është bërë rishikimi i vendit të ngjarjes për rastin e 13 tetorit të vitit 2014, ku ishte vrarë Rrahman Uka, për të cilën vrasje akuzohen Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Të pranishëm në këtë rishikim kanë qenë trupi gjykues në krye me gjyqtaren Suzana Cerkini, po ashtu edhe dy të akuzuarit për vrasjen Masar Gerdovci dhe Sherif Krasniqi. Dy të fundit sipas avokatit të Masar Gërdovcit, Mexhid Syla kanë mohuar të kenë kryer vrasjen.

Avokati i të akuzuarit Masar Gërdovci, Mexhid Syla, tha se ky rishikim është bërë për të verifikuar se si ka ndodhur ngjarja në bazë të deklaratave të të akuzuarve dhe të dëshmitarëve.

Syla: Sot është bërë shikimi në vendin e ngjarjes

“Sot është bërë këqyrja apo rikonstruimi në vend të ngjarjes, për t’u verifikuar gjërat në vend të ngjarjes si ka ndodhur ngjarja në bazë të deklaratave të akuzuarve, në bazë të deklaratave të dëshmitarëve që janë propozuar sipas aktakuzës. Kjo ka ndodhur prej kur kemi filluar sot në ora 9 e 30 deri më tani, është incizuar çdo gjë edhe gjykata tash e përpilon procesverbalin, procesverbali iu dërgohet palëve dhe në bazë të këtij procesverbali në seancën e shqyrtimit gjyqësor të radhës do të sqarohen edhe ekspertët e balistikës, eksperti mjeko-ligjor, eventualisht edhe ndonjë ekspert tjetër lidhur me ato prova dhe fakte që janë gjetur në vendin e ngjarjes”, tha Syla.

Avokati Syla tha se të akuzuarit kanë paraqitur versionin e tyre se si e kanë parë ngjarjen dhe se të dy e kanë mohuar ta kenë kryer veprën për të cilën akuzohen.

Syla: Të akuzuarit e kanë mohuar që e kanë kryer vrasjen

“Të akuzuarit, çdo njëri ka paraqitur versionin e vet qysh e ka parë ngjarjen ashtu si edhe dëshmitarët, normalisht e kanë mohuar që e kanë kryer vrasjen. Tash është punë e gjykatës, se çka do të thotë gjykata në bazë të provave që janë mbledhur edhe në bazë të këtij shikimi. Procesin e ka vështirësuar dhe shumë gjëra kishin për t’u sqaruar sikur punët të ishin kryer me kohë nga ana e policisë, sikur të ishin marrë të dhënat prej kamerave ose të bankës, ose të objektit se kanë punuar kamerat, kishte me qenë çdo gjë dhe kot unë kisha thënë nuk e kam vrarë nëse jam parë me armë në dorë, ose kishte për t’u filmuar momenti kush ka shtënë. Është problemi tjetër se nuk janë marrë gjurmët e gishtërinjve prej personave të dyshuar të mundshëm, ose prej personave të tjerë”, tha Syla.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për KosovaPress, se në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet me urdhër të gjykatës në atë lokacion është  kryer rikonstruimi i vendit të ngjarjes lidhur me një vrasje që ka ndodhur në vitin 2014. Ai tha se Policia e Kosovës është vetëm duke asistuar.

“Me urdhër të gjykatës kompetente në atë lokacion është duke u kryer një rikonstruim i vendit të ngjarjes lidhur me një rast, vrasje që ka ndodhur në vitin 2014. Policia bazuar në kërkesën paraprake për asistencë ka ndërmarrë veprimet e saj për garantimin e sigurisë gjatë këtij procesi të rikonstruimit të vendit të ngjarjes”, ka thënë Hoxha.

Prokuroria nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me rishikimin e vendit të ngjarjes që është bërë sot. Ndërsa, kafiteritë që ndodhen në rrugën “Rexhep Luci” gjatë kësaj kohe kanë qëndruara të mbyllura. Pronarët e kafiterive janë shprehur se nuk kanë pasur asnjë njoftim nga prokuroria se do të bëhet ky rishikim dhe se ato nuk do të lejohen të punojnë.

Pronari i kafiterisë “Journal”, Naim Ramizi, tha se paraprakisht nuk kanë marrë asnjë njoftim se sot nuk kanë të drejtë pune.

Ramizi: Nuk kemi qenë të njoftuar se nuk kemi të drejtë pune

“Kjo rrugë ka qëndruar prej mëngjesit e mbyllur sot, ne paraprakisht nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar prej Policisë së Kosovës se sot nuk kemi me pas qasje edhe nuk kemi me pas të drejtë pune. Kemi ardhur në mëngjes si zakonisht qysh kemi filluar prej orës 7 me punë, diku në 8, 8 e 15 kanë ardhur policia na ka njoftuar se duhet të futemi brenda dhe të mbyllim dyert dhe nuk mund të kryejmë shërbimin edhe punën tonë ditore. Në ndërkohë ka pas gazetarë që kanë ardhur brenda edhe kanë filluar me marrë pamje në vendin e ngjarjes për çka policia ka ardhur dhe më ka shoqëruar dhe më ka mbajt 4 orë në stacion duke më akuzuar se unë kam bërë vepër penale. Në fund është vërtetuar se unë nuk kam bërë asnjë vepër penale”, tha Ramizi.

Ai tha se përveç kësaj janë dëmtuar edhe si biznes duke mos marrë pas mundësi që të punojnë.

Vrasja në “Bon Vivant” kishte ndodhur më 13 tetor 2014, ku i vrarë mbeti roja i këtij lokali Rrahman Uka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat