Komandanti i NATO-s për Evropë: Ushtria të bëhet sipas Kushtetutës

Aktuale

Komandanti i NATO-s për Evropë: Ushtria të bëhet sipas Kushtetutës

Nga: G.B Më: 21 korrik 2017 Në ora: 19:38
Komandanti i NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis Scaparrotti në konferencë për media

Komandanti i NATO-s për Evropë, gjeneral Curtis Scaparrotti ka deklaruar se NATO do të vazhdojë të jetë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

Scaparrotti ka thënë se siguria në regjionin e Ballkanit është e rëndësishme për tërë Evropën.

Këto deklarata ai i bëri në një konferencë për media, ku foli edhe për transformimin e FSK-së, në ushtri, për çka ai tha se duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese, raporton “Bota sot”.

“E para, në Forcën e Sigurisë së Kosovës e pata një vizitë dhe është shumë profesionale, shumë etnike, që është duke u përqendruar në përmirësimin e aftësive të saj. Transformimi i saj të cilin e kemi potencuar se transformimi dhe mandati i saj është çështje e institucioneve vendore të Kosovës, por duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës. Unë e them që mirëpresim diskutimet, dialogun me të gjitha grupet etnike që kanë të bëjnë me këtë çështje”, tha Scaparrotti para gazetarëve.

Image
Curtis Scaparrotti

Scaparrotti: Rusia nënçmon institucionet e Kosovës dhe ato perëndimore

I pyetur rreth ndikimit rus në rajonin e Ballkanit ai tha se janë të shqetësuar me disa deklarime të tyre që nënçmojnë institucionet e Kosovës.

“Këndvështrimi im është që, pyetjen që do ta bëja është që ne do të vazhdojmë të kërkojmë që edhe ata të jenë mbështetës në sigurinë në Ballkan dhe regjion dhe njerëzit kanë të drejtë të përcaktojnë udhëheqësin e tyre dhe mënyrën e udhëheqjes së tyre, dhe kërkojmë nga Rusia ta mbështes një rrugë të tillë. Unë do të kërkoja nga Rusia që të respektojë këtë dhe që ta mbështesin, sepse jemi të vetëdijshëm që në disa prej porosive të tyre, ata i nënvlerësojnë qeveritë dhe institucionet e Kosovës dhe qeveritë perëndimore”, theksoi ai.

Pas konferncës, për përfaqësuesit e mediave ishte caktuar një turne me helikopter, ku ishin caktuar disa nga pikat e sigurisë në Kosovë për tu parë nga lart.

Këto pika ishin: Vushtrria, Kalaja e Zveçanit, Liqeni i Gazivodës, 3 pikat kufitare të Kosovës, një mal ku bëhet prerja ilegale e drunjve  dhe miniera e Trepçës.

Ndryshe, gjenerali Curtis Scaparrotti  sot u prit nga Presidenti Thaçi, i cili e ka falënderuar gjeneralin për mbështetjen që NATO i ka dhënë Kosovës në sigurimin e paqes në Kosovë dhe rajon. Presidenti ka theksuar se roli i NATO-s në Kosovë ka qenë përcaktues jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit dhe rritjen e sigurisë, por edhe në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat