Lidhjet me Haradinajn dhe këshilltarin e Thaçit, pista hetimi

Aktuale

Lidhjet me Haradinajn dhe këshilltarin e Thaçit, pista hetimi

Nga: Petrit Rudi Më: 24 korrik 2017 Në ora: 08:27
Nga e majta: Bedri Islami, këshilltar i jashtëm i Presidentit Hashim Thaçi, personin e arrestuar, i burgosur më 31 janar 2017 dhe i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në vitin 2002.

Tentim sulmi me qëllime terroriste që kishte ndodhur me 27 shtator të vitit 2002, në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në Zvicër pas 15 viteve ka filluar të zbulohet. Tashmë, Policia Federale në Zvicër ka arrestuar 41 vjeçarin shqiptar, i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Personi i arrestuar, nga Gjykata Federale akuzohet për terrorizëm.

Policia zvicerane e ka arrestuar të dyshuarin për terrorizëm në vendin e tij të punës më 31 janar të këtij viti. Pastaj,  Policia ia ka bastisur edhe shtëpinë dhe i ka konfiskuar një revole.  Nga 31 janari i këtij viti, personi, i akuzuar për terrorizëm ndodhet në duart e autoriteteve zvicerane. Fillimisht ishte dërguar në një burg në kantonin e Bernit, ndërsa që nga fundi i majit, po mbahet  në burgun e sigurisë së lartë në aeroportin e Cyrihut. Deri të zbulimi dhe arrestimi i të akuzuarit për terrorizëm kishte ardhur, pasi në një përleshje të ndodhur në një diskotekë të Cyrihut më 10 dhjetor 2016, i përfshirë kishte qenë edhe personi i arrestuar, ku pas analizave të ADN-së, kishte rezultuar se të dhënat e 41 vjeçarit shqiptar, tash i akuzuar për terrorizëm,, përputheshin me të dhënat e atij që dërgoi paketën me bombë shpërthyese në redaksinë e “Bota sot” në shtator 2002.

Gjykimi i të dyshuarit për terrorizëm do të mbahet më 16 gusht në Gjykatën federale të Zvicrës, gjykatë kjo e cila trajton rastet më të rënda të krimeve. Sipas mediave zvicerane të cilat kanë raportuar për të akuzuarin për terrorizëm, gjykimi i tij ka forcë shpërthyese politike.

I dyshuari për terrorizëm, njeri afërt me Ramush Haradinajn, AAK hesht

Por, sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, personi i arrestuar dhe i akuzuar për terrorizëm është person i afërt me kandidatin për Kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj si dhe me një nga këshilltarët e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Bëhet fjalë për këshilltarin e jashtëm të Thaçit, Bedri Islamin, i cili në të kaluarën ishte udhëheqës kryesor i LPK-së në diasporë dhe udhëheqës i gazetës “Zëri i Kosovës”, ai gjithashtu ka qenë edhe pjesëtar i sigurimit të shtetit në regjimin famëkeq të Enver Hoxhës.

Gazeta “Bota sot”, posedon foto të Ramush Haradinajt dhe Bedri Islamit më të dyshuarin për terrorizëm. Gjatë ditëve të kaluara, “Bota sot” ka publikuar foto të Ramush Haradinajt dhe Bedri Islamit, ku ata shihen shumë miqësorë me të dyshuarin për terrorizëm.

Image
Nga e majta: Bedri Islami, këshilltar i jashtëm i Presidentit Hashim Thaçi, me personin e arrestuar, i akuzuar për terrorizëm që dërgoi granatën ruse në adresë të gazetës “Bota sot”, më 2002 në Zvicër. Personi i arrestuar dhe i akuzuar për terrorizëm me Haradinajn; Bedri Islami me Ramush Haradinajn dhe Bedri Islami me Hashim Thaçin.

Po ashtu, “Bota sot”, posedon foto, ku i dyshuari për terrorizëm, shihet në foto me Avdyl Mushkolajn, kryetar të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, dhe njeriu më i afërt dhe më i besueshëm i Ramush Haradinajt. Por e çuditshme është se çfarë lidhje ka Avdyl Mushkolaj, që është nga Deçani, me të burgosurin, të dyshuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot”, në Zvicër, i cili është Struga e Maqedonisë?!

Tash e disa ditë, “Bota sot’, ka provuar të kontaktojë më liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, dhe zyrtarë tjerë të AAK-së, lidhur me afërsinë që Haradinaj ka me të dyshuarin për terrorizëm, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Në pyetjet e dërguara përmes emalit zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, “”Bota sot” nuk ka marrë një përgjigjie. Po ashtu, edhe në thirrjet telefonike zyrtarë nga AAK-ja nuk janë përgjigjur lidhur me këtë çështje, duke zgjedhur heshtjen.

Ramush Haradinaj, kreu i bandave në Dukagjin, Hashim Thaçi e Kadri Veseli me kompani në Drenicë dhe Rrustem Mustafa në Llap

Idriz Zeqiraj, publicist i njohur, një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se lidhja dhe fotografimi i Ramush Haradinaj, me të dyshuarin për terrorizëm, nuk është rastësi, pasi sipas tij, tashmë dihet që kreu i bandave në Dukagjin është Ramush Haradinaj, ashtu siç janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli me kompani në Drenicë dhe Rrustem Mustafa në Llap.

Image
“Nuk ka asnjë dyshim se prapa terroristit , tashmë, të arrestuar nga policia zvicerane, qëndron kreu i bandës numerike të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Një hetim serioz, do ta dëshmonte, madje lehtësisht, këtë të vërtetë sipërore”, është shprehur Zeqiraj.

“ Lidhja, fotografimi i Ramush Haradinaj, me terroristin, nuk është rastësi. Ashtu siç nuk janë të rastësishme as dhjetëra fotografime të tjera me kriminelë, tashmë, të dënuar dhe qindra të tjerë që, mjerisht, vazhdojnë të jenë të lirë dhe të gatshëm për të bërë krime të tjera, sepse krimi i pandëshkuar, mund të përsëritet. Nuk ka asnjë fshehtësi, kreu i bandave në Dukagjin është Ramush Haradinaj, ashtu siç janë Hashim Thaçi e Kadri Veseli me kompani në Drenicë dhe Rrustem Mustafa në Llap”, thekson Zeqiraj për gazetë “Bota sot”.

Sipas Zeqirajt, prapa të dyshuarit për terrorizëm, të arrestuar në Zvicër, qëndron kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, apo siç e quan ai kreu i bandës numerike të Dukagjinit.

“Nuk ka asnjë dyshim se prapa terroristit, tashmë, të arrestuar nga policia zvicerane, qëndron kreu i bandës numerike të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Një hetim serioz, do ta dëshmonte, madje lehtësisht, këtë të vërtetë sipërore. Dhe, faktet do të ishin të bollshëm, kur dihet se të gjitha krimet e SHIK-ut, të bandave të tij, kanë qenë - një e fshehtë publike -! Dhe, kjo për arsye se krimet janë numerike, pra, shumë qindra dhe me pjesëmarrje të banditëve, të koordinuar nga dy ose edhe të tri bandave bazë”, është shprehur Zeqiraj.

Tri bandat, ajo e Dukagjinit, Drenicës e Llapit, bashkëpunuan për kryerjen e krimeve

Sipas tij, tri bandat, ajo e Dukagjinit, Drenicës e Llapit, kanë bashkëpunuar për kryerjen e krimeve.

“Dihen tri bandat bazë: e Dukagjinit, e Drenicës dhe e Llapit. Ato janë krijuar nga një shtab fillestar dhe pastaj, janë aktivizuar në regjionet e përmendura. Ndërkohë, ato kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimeve, duke i këmbyer banditët vrasës, nga njëri regjion në tjetrin, për të lehtësuar humbjen e gjurmëve, fshehjen e krimit”, shprehet Zeqiraj.

Sipas Zeqirajt, e gjithë arsyeja e sulmit me bombë kundër gazetës “Bota sot”, është se  gazeta “Bota sot”, ishte e vetmja që merrej me trajtimin e nxehta të kohës.

“Arsyeja e sulmit me bombë, kundër stafit të "Bota sot", është, thjeshtësisht, e lexueshme. Vrasjet për motive politike, gjatë dhe pas luftës, ishin të shumta. Përllogaritjet tregojnë se më i shumtë është numri i këtyre vrasjeve, se sa i dëshmorëve, të rënë me pushkë në dorë. Dhe viktima ishin ushtarakët luftëbërës të FARK-ut dhe veprimtarët e Ibrahim Rugovës. Pra, bandat e SHIK-ut vazhduan krimet në Kosovë, edhe pas dëbimit të Millosheviçit me bandat e tij, nga forcat ushtarake të NATO-paktit. Vëllezërit Mazrekaj, duke parë boshllëkun e informacionit të Mërgatës, nismuan botimin e gazetës "Bota sot". Konsolidimi, trajtimi i temave për problemet e nxehta të kohës, të Kosovës, e bëri gazetën "Bota sot" kombëtare. Viti 2002, pra, koha kur terroristi  dërgon bombën në redaksinë e "Bota sot", kulmoi me numrin e krimeve, të bandave në fjalë. Ndërkohë, mediat e kohës, lukunia majtiste komuniste, i heshte këto krime, madje edhe i mbronte, cinikisht e kriminalisht”, ka thënë Zeqiraj, për “Bota sot”.

“Bota sot”, aktualizoi dhe trajtoi temat nxehta

Më tej sipas tij, “Bota sot”, edhe pse e vetme në betejën e pabarabartë dhe shumë të rrezikshme, ngriti zërin trimërisht, në denoncimin dhe për ndëshkimin e kriminelëve

“"Bota sot", me stafin profesional e trim, edhe pse e vetme në betejën e pabarabartë dhe shumë të rrezikshme, ngriti zërin trimërisht, në denoncimin dhe për ndëshkimin e kriminelëve. U aktualizuan, veç tjerash, edhe vrasjet e oficerëve të Koshares, të njohur si "Brigada e Mërgimit"; vrasja e vëllezërve Musaj; burgu i torturës në Jabllanicë të Gjakovës dhe të tjera, që lidhëshin, kryesisht, me bandën e madhe të Dukagjinit, në krye të së cilës ishte, pikërisht, Ramush Haradinaj”.

Sipas Zeqirajt, qëllimi i dërgimit te bombës vdekjeprurëse ishte i qartë, ku sipas tij projektuesit mendonin t'i jepnin goditjen e madhe, jo vetëm fizike, por edhe psiqike e demoralizuese botueseve Mazrekaj dhe stafit punues të tyre.

 “Arsyeja, qëllimi ishte i qartë: Bomba ishte e fuqishme, vdektare masive. Në redaksinë e "Bota e saj" ishte një staf, të paktën, prej 12 redaktorësh e gazetarësh. Me një goditje të tillë shokuese, projektuesit mendonin t'i jepnin goditjen e madhe, jo vetëm fizike, por edhe psiqike e demoralizuese botueseve Mazrekaj dhe stafit punues të tyre. Pra, Ramushi, me bandën e tij dhe bandat simotra në Drenicë e Llap, të vijonin krimet në heshtje dhe shpengueshëm”, është shprehur Zeqiraj.

 “Rasti i dërgimit të bombës, kundër stafit botues të "Bota sot", 15 vite më parë dhe kërcënimi rishtor, është një akt kriminal, terrorist. Heshtja 15 vjeçare, është rast unik, për një shtet ligjor e demokratik, siç është Zvicra! Përpjekja për ta mbajtur sekret arrestimin e tanishëm të terroristit, është shqetësues dhe implikon në krim edhe organet përkatëse, projektuesit e këtij akti terrorist, avokatët, mbrojtjen e kriminelit”, ka theksuar Zeqiaj.

Organizata terroriste SHIK krijesë e pronë e dy partive aktuale: PDK-së dhe AAK-së

Për fund, Zeqiraj thekson, se organizata terroriste SHIK është krijesë e pronë e dy partive aktuale: PDK-së dhe AAK-së.

“Përgjatë këtyre dy dekadave, populli i Kosovës është goditur nga tri bandat e rrezikshme, mirë të organizuara, me shtabe drejtuese, që kanë kapur, dhunshëm, kupolën partiake, pushtetare dhe shtetërore. Organizata terroriste SHIK është krijesë e pronë e dy partive aktuale: PDK-së dhe AAK-së. Prandaj quhen edhe parti-banda. Në çdo shtet demokratik, këto dy "parti politike", do të shpalleshin të paligjshme dhe krerët e tyre me bashkëpunëtorë, do të ndiqeshin penalisht. Zhurma akuzuese e njërës për tjetrën, si pronësore e SHIK-ut, janë një kamuflim i dështuar”, ka përfunduar Idriz Zeqiraj, publicist i njohur.

Image
Opinionisti Nexhat Haziri

Lidhjet me Haradinajn dhe këshilltarin e Thaçit, pista hetimi

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, thotë se kërkesa e mbajtjes sekret te rastit, tregon se i akuzuari pr terrorizëm nuk ka vepruar i vetëm, por ka marr urdhra nga eksponentë të lartë të politikës në Kosovë.

“Vetë  kërkesa e palës mbrojtëse të akuzuarit ,  e cila kërkonte mbajtjen sekret të rastit, me arsyetim se kjo mund të ketë ndikim në një territor me probleme dhe konflikte politike tregon qartë se I akuzuari, nuk ka vepruar kokë në vete  në sulmin të mbetur në tentativë ndaj Gazetës “Bota Sot’, gjegjësisht redaksisë së sajë në Cyrih, por ka zbatuar urdhrat që I ka marrë pikërisht nga eksponentë të lartë në skenën politike kosovare”, është shprehur Haziri.

Sipas tij, lidhjet e me Ramush Haradinajn dge këshilltarin e Thaçit, Bedri Islamin, duhet të shërbejnë si pista hetimi.

"Lidhjet e tij me kandidatin për kryeministër të Kosovës nga PAN, Ramush Haradinaj dhe me një nga këshilltarët e Hashim Thaçit, do të duhet të shërbejnë si pista hetimi për gjykatën, për të zbardhur se kush në të vërtet ishte urdhërdhënësi I këtij akti të shëmtuar. Kjo nuk duhet të paraqes as një pengesë që gjykata ta hetoj këtë lidhje në mes të akuzuarit për terrorizëm  dhe Ramush Haradinajt. Zbardhja e këtij rasti nuk do të ishte vetëm një satifaksion për “Botën Sot” por do të ishte kthimi I besimit të qytetarëve në Kosovë, se drejtësia edhe pse mund të vonoj , ajo nuk harron. Kosova si asnjë vend tjetër ka nevojë për drejtësi, dhe kjo do të ndodhë”, thekson Haziri.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajurllah Tërnava

Ndërkohë, eksperti i sigurisë, Hajurllah Tërnava, pret që policia zvicerane do të zbulojë në detaje rastin dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre kriminale.

“Rastet kriminale te individëve pa marr parasysh se ku i kryejnë ato krime apo ku zbulohen, japin shpresë se te gjitha veprat e kryera herdokurdo do te zbulohen pavarësisht edhe kohës se gjatësisë se kryerjes së kësaj vepre. Policia zvicerane do ta zbulojë dhe zbërthej ne detale mënyrën e kryerjes se kësaj vepre kriminale dhe vepër kryesin do ta dënoj me dënim te merituar. Gjate hetuesisë do të shifen edhe lidhjet e tij me politikanë të Kosovës,  nëse ishin të afërt me ta, apo a mos kanë marr urdhra nga ta qe ta kryejnë këtë vepër”, shprehet Tërnava.

Lexo edhe këto lajme:

Ky është personi që dërgoi granatën ruse në adresë të gazetës “Bota sot”, më 2002 në Zvicër

Foto me këshilltarin e Thaçit, ja si u zbulua i akuzuari për terrorizëm që dërgoi granatën ruse në adresë të gazetës “Bota sot”

Shtëpia e Presidentit Rugova “faltore” për faljen e mëkateve të Ramush Haradinajt

“Nuk ka asnjë dyshim se prapa terroristit Jeton Lleshit, tashmë të arrestuar nga policia zvicerane, qëndron kreu i bandës numerike të Dukagjinit, Ramush Haradinaj”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat