Frashër Krasniqit i jepet leja për regjistrim dhe seancë të Kuvendit

Aktuale

Frashër Krasniqit i jepet leja për regjistrim dhe seancë të Kuvendit

Më: 27 korrik 2017 Në ora: 10:08
Frashër Krasniqi

Gjykata ia ka aprovuar deputetit të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqit kërkesën për regjistrim si deputet dhe pjesëmarrje në seancën konstituive të Kuvendit.

Krasniqi që gjendet në arrest shtëpiak si i akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar, ka kërkuar dje nga gjyqtari i rastit Beqir Kalludra që ta lejojë të marrë pjesë në seancën e 3 gushtit.

Krasniqi tha për Kallxo.com se sot ka pranuar konfirmimin e kërkesës së tij për t’u liruar përkohësisht nga arresti shtëpiak.

Regjistrimin si deputet Krasniqi do ta bëjë të premten prej orës 10:00.

Në urdhëresën e gjykatës të cilin e ka siguruar Kallxo.com, thuhet se Krasniqit i lejohet që më 28 korrik dhe 3 gusht t’i lejohet pjesëmarrja në kuvend.

“Të akuzuarit Frashër Krasniqi i lejohet që me datë 28.07.2017 prej orës 09:00- 15:00 dhe me datë 3 gusht prej orës 08:00 deri në përfundim të mbledhjes, largimi nga vendbanimi i tij për shkak të shkuarjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tu regjistruar si deputet dhe marrës pjesë në seancën parlamentare”, thuhet në urdhëresë.

“Nëse i akuzuari nuk vepron në pajtim me këtë urdhëresë, të njëjtit do t’i caktohet menjëherë masa e paraburgimit”, thuhet në urdhëresën e gjyqtarit Kalludra./kallxo.com/

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat