Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 25 raporte financiare të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Kallxo se nga 26 subjekte politike të certifikuara për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, KQZ ka pranuar 25 raporte financiare.
“Mund t’ju konfirmoj se në Zyrën për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, këto raporte i kanë dorëzuar gjithsej 25 Subjekte Politike nga 26 sa kanë marrë pjesë në këto zgjedhje”, tha Elezi.
Nga 26 subjekte politike, vetëm Iniciativa qytetare “Gi Eromendje Alternativa” nuk e ka dorëzuar këtë raport brenda afatit të paraparë.
Ai shtoi se koha e dorëzimit të këtyre afateve ka përfunduar gjatë ditës së djeshme.
“Afati i fundit për dorëzimin e Raporteve Financiare të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 11 qershor – ka qenë me datën 26 korrik 2017”, tha zëdhënësi Elezi.