Takimi i akuzave, PAN propozon datat kur do të shkonte në seancë

Aktuale

Takimi i akuzave, PAN propozon datat kur do të shkonte në seancë

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 10:09
Takimi i partive politike

(E plotësuar) - Takimi konsultativ i partive politike përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, megjithatë, PAN duke rikonfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme, dha një propozim që të mërkurën e javës së ardhshme të mbahet edhe një takim konsultativ, kurse të enjten ose të premten të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.

Takimi në mes subjekteve politike, i cili u refuzua nga Lëvizja Vetëvendosje, kësaj radhe është mbajtur në prani të mediave. Aty subjektet politike akuzuan njëri-tjetrin për bllokim të procesit të formimit të institucioneve, derisa kryesuesi Adem Mikullovci tha se seanca e thirrur do të mbahet nesër në orën 10:00.

Qëndrime të njëjta rikonfirmoi PAN-i, duke thënë se nuk do të marrin pjesë së seancat që caktohen në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim me partitë politike.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se nuk është mirë që të merren vendime dhe veprime të njëanshme për caktimin e seancave dhe mu për këtë arsye nuk do të jenë pjesëmarrës në seanca të tilla.

Hoxhaj: S’do të marrim pjesë në seancë

“Kandidati jonë për kryetar të Kuvendit, do të jetë z.Veseli dhe zgjedhja e tij është e pandalshme, sikurse që Qeveria do të udhëhiqet nga z.Haradinaj dhe formimi i kësaj qeverie është një porces i pandalshëm i cili do të varet se si dhe kur ftohen seancat. Mirëpo që në kundërshtim me pajtimin të cilin ne e kemi pasur, që këtë të mërkurën në orën 10:00 të shihemi dhe të reflektojmë se si të shkojmë përpara. dua të iu informoj që ne nuk marrim pjesë nesër në seancë. Ju mund të hyni në atë sallë sa herë dëshironi, përderisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike... mund të vazhdoni në pafundësi të hyni më sallë, por iu ftoj që të ruhet  dinjiteti i asaj salle dhe iu ftoj që ajo se çfarë duhet ky vend është  koordinim politik por jo hapa të nxituar të cilët s’ma merr mendja që i shërbejnë stabilitetit në Kosovë“, tha ai.

Ndërsa shtoi se nuk do t’i respektojnë në pafundësi veprimet e Mikullovcit.

Hoxhaj: S’ju respektojmë në pafundësi

“Ne do ta respektojmë në pafundësi këtë pozitën tuaj, por jo veprimet e juaja”, tha ai.

E Mikullovci tha se veprimet e tij janë sipas Kushtetutës.

Mikullovci: Unë veproj sipas Kushtetutës

“Veprimet e mia janë sipas kushtetutës”, tha ai.

Ndërkaq, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha se sjelljet e tilla, kanë qëllim zvarritjen e formimit të institucioneve.

Hoti: Kujdes gjuhen, askush s’ka monopol për krijimin e institucioneve

“Ne bëjmë thirrje që seanca të mbahet sa më shpejtë, iu ftojmë juve që të jeni prezent, të shfrytëzoni të drejtën tuaj kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, iu ftoj që të keni kujdes gjuhen sepse nuk ka askush monopol absolut në krijimin e institucioneve. Ne po e respektojmë të drejtën kushtetuese tuajën për me propozu kandidatin, sado që ai vendim është i padrejtë.....Ju jeni pakicë. Është e pamundur të themeloni qeverinë... Të jeni të përgjegjshëm politikisht, nënkupton që ju të paraqiteni nesër në seancë. Të jepni kandidatin tuaj për kryetarin të kuvendit,  ose të dilni para seancës së kuvendit dhe të thoni nuk e kemi shumicën e  nevojshme për konstituimin e institucioneve të vendit”, tha ai.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj tha se askush nuk mund t’i vë kushte PAN-it lidhur me kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Lekaj: E padrejtë thirrja e seancave pa pëlqimin tonë

“Ne e kemi caktuar kandidatin, është z Veseli që do të zgjidhet, do të jetë kryetar i Kuvendit dhe kandidatin për kryeministër që është z. Haradinaj që shumë shpejte dhe Qeveria do të formohet. Mos të krijohet huti dhe pse iu pengon kandidati i PAN kur është e drejtë kushtetuese, pse e pengoni, pse nuk e votoni.... Unë nuk po iu kuptoj zoti kryesues edhe pse kam respekt për juve, por këtu nëse thirremi vetëm për të fol diçka dhe ju prapë vendosni për vazhdimin e seancës, është e pakuptimtë dhe unë nuk di ta shpjegoj. Këtu jemi që të bashkëbisedojmë dhe të nxjerrim një konkluzion se kur të thirret seanca.....Ne si AAK nuk do të marrim pjesë në këto seanca që thirren pa pëlqimin e subjekteve politike. Ju shkoni mund të hapni derën e kuvendit, mund të hyni në sallë dhe mund të dilni prapë, sepse ajo e drejtë kushtetuese për kandidatin i takon PAN-it dhe askujt tjetër. Te thirret një seance e tillë pa pëlqimin tonë është e ngutshme dhe është e padrejtë”, tha ai.

Por Mikullovci insistonte që ai e ka caktuar seancën javën e kaluar në takimin konsultativ të mërkurën e kaluar.

Mikullovci: Seancën e kemi caktu takimin e kaluar

“Është e shenume të mërkurën jemi taku me ftesën e PAN-it dhe aty unë kam thënë mbledhjen e kam caktu për nesër. E dëgjojmë a del kështu a kështu. S’ është e vërtetë ajo që po thu, jemi taku se ju keni kërku, jo na se juve iu takon me dhanë kandidatin”, tha ai.

E Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha se po shihet se në çdo rrethanë PAN me minoritete e përbëjnë shumicën parlamentare.

Sherifi: PAN përbën shumicën

“Dje u pa me deklaratën eksplicite të z. Avdullah Hoti që andej nuk janë 61, por janë 32 e 29. Fakti është ky shifrat janë këto. 39 i ka PAN, 32 i ka VV dhe 29 i LAA. Realiteti politik, harta politike e shumicave sa i përket shqiptarëve në parlament. ...Ky është realiteti politik që flet për numrat në Parlamentin e Kosovës, nuk janë 60-60, nuk janë 65 me 55. Shihet që në çdo rrethanë PAN=i  me minoritete po mbesin shumica më e madhe politike në parlament. Nuk mund të krijohet një shumicë tjetër qeverisëse”, tha ai.

Megjithëse përfaqësuesit e PAN e konfirmuan mos pjesëmarrjen e tyre në seancën e nesërme, u kërkua nga ta që të propozojnë një datë se kur ata duan që seanca të mbahet.

Ilir Deda nga Alternativa kërkoi nga PAN që ta propozojnë një datë se kur duan ata që të mbahet seanca.

Deda: Tregoni kur po doni seancë

“Propozoni tash, thuani ne po duam seancë të premten, të shtunën, të dielën, kurdo që doni.... Nëse nuk doni të vini  mos hajdeni nesër. Tregoni kur po doni”, tha ai.

E Korab Sejdiu nga AKR tha se vonesat janë të dëmshme dhe se ata janë të përkushtuar për të mos i lejuar vonesat e mëtutjeshme me arsyetime të pajustifikushme dhe se do t’i përdorin të gjitha mjetet juridike në dispozicion për t’i parandaluar vonesat e pafundme.

Sejdiu: Tregona datën kur ju doni seancë

“Sabotimi i institucionit të kuvendit nuk tregon përgjegjësi. Këtë nuk e them vetëm unë, por e thonë shumë prej tyre që u kanë votuar edhe juve, edhe neve, janë të lodhur nga tentativat që me çdo kusht të mbahet,  kapja apo mbajtja e pushtetit për një periudhë me të gjatë.... Ne të gjithë qëndrojmë të gatshëm të vijmë në seancë veç tregoni ditën dhe kohen dhe ne do të jemi aty. Këtë nuk e themi sepse ju keni të drejtë ta bëni atë, sepse edhe në bazë të kushtetutës këtë të drejtë ekszlusive e ka kryesuesi, por ne po ua japim juve një të drejtë shtesë ju të caktoni datën dhe kohën, ne do të jemi prezent”, tha ai.

Por përfaqësues të PAN-it kërkuan dhe një takim konsultativ të mërkurën, për të caktuar seancën të enjten apo të premten e javës që vjen.

Lekaj: E duam dhe një takim konsultativ të mërkurën

“Po pajtohemi që ne jemi ata që e caktojmë seancën. Është e pakuptimit të thirremi këtu dhe dikush tjetër ta caktoj seancën. Ne si PAN jemi të mendimit që të mërkurën të kemi dhe një pjesë të konsultave dhe do të thotë që të enjten ose të premten të thirret seanca, javën tjetër”, tha ai.

Por propozimi i PAN, nuk u qit në votim.

Mikullovci: S’du me qit në votim

“S’du me qit ne votim kurrfarë propozimi“, tha ai.

E Hoxhaj kërkoi nga ai t’i tregojë se a do të ftojë sërish seancë para të mërkurës së javës që vjen.

Hoxhaj: Kam një pyetje të fundit

“Edhe unë e kam një pyetje të fundit. A nuk do të ftoni ju më seancë para të mërkurës pa ndodh takimi me partitë politike, apo do të marrim vesh përsëri nga mediat”, tha ai.

E Mikullovci tha se konsultat nuk i qojnë askund.

Mikullovci: Konsultat nuk na qojnë askund

“ Nesër seanca mbahet. Konsulta nuk di, s’jam për to sna qojnë kërkund”, tha ai.

Ndërkaq Avdullah Hoti para mbylljes së takimit kërkoi nga kryesuesi që pas seancës së nesërme nëse PAN nuk do të jenë të pranishëm, të caktohet edhe një takim konsultativ.

Hoti: Të caktohet dhe një takim konsultativ

“Kryesues nëse nuk paraqiten në seancë. Unë iu ftoj juve sa më parë pas seancës të jetë dhe një takim konsultativ,  se kur janë të gatshëm këta të organizohet seanca e domosdoshme”, tha ai.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve pakicë, të cilt kërkuan që sa më parë të gjetet zgjidhja për formimin e institucioneve

Përfundon pa rezultat takimi konsultativ, PAN-it nuk i merret parasysh propozimi 

Takimi i sotëm konsultues i partive politike për gjetjen e një zgjidhje për formimin e institucioneve të Kosovës ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci theksoi se seanca do të mbahet nesër duke filluar nga ora 10.00.

Në këtë takim nuk u mbështet propozimi i koalicionit PAN që të mërkurën të mbahet edhe një takim konsultativ, për të caktuar një seancë për të enjten ose të premten.

Ndryshe, në takimin e sotëm konsultativ nuk mori pjesë Lëvizja Vetëvendosja, derisa të pranishëm ishin përfaqësues të koalicionit PAN dhe LAA.

Lekaj jep propozimin e PAN: Seanca të thirret për 17 ose 18 gusht

Pal Lekaj në takimin konsultativ të subjekteve politike, ka thënë se PAN propozon që vazhdimi i seancës konstituive të mbahet gjatë javës së ardhshme, konkretisht të enjten ose të premten.

Pasi kryesuesi dhe subjektet tjera politike i dhanë të drejtën PAN-it ë ta propozojë datën e mbajtjes së seancës, Lekaj tha se të mërkurën e javës ardhshme të mbahet edhe një  takim konsultativ në të cilin do të vendosej që të enjten ose të premten të mbahet seanca.

***

Deputeti i koalicionit LAA-në, Ilir Dedaj ka thënë se PAN-i ta caktojë sot datën se kur dëshiron ta mbajë vazhdimin e seancës konstituive.

Ai në takimin konsultativ të partive politike, ka thënë se bllokimi s’po vjen prej atyre.

“Nëse nuk doni të vini nesër në seancë mos ejani nesër. Tregoni kur po doni, propozojeni ditën kur dëshironi të mblidhet seanca”, tha ai.

***

Pavarësisht paralajmërimit të PAN-it se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi Adem Mikullovci tha se seanca e nesërme nuk anulohet.

“Seanca e nesërme nuk anulohet”, tha Mikullovci gjatë zhvillimit të takimit konsultues mes subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, ku mungoi vetëm përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Më herët, gjatë takimit përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci.

“Në kundërshtim me pajtimin qe kemi pasur që këtë të mërkurë të shihemi dhe të marrim vendimet, ne nuk do të marrim pjesë në seancë. Ju mund të hyni e të dilni sa herë të doni”, tha Hoxhaj gjatë takimit konsultues.

Lekaj: Kryetari i Kuvendit i takon vetëm PAN-it, mos e pengoni atë

Kryetari i Grupit Parlamentar nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, në takimin konsultativ që po zhvillohet tani në mes të grupeve parlamentare ka thënë Votimi i kryetarit të parlamentit është votim formal dhe është e padrejtë që subjeket politike ta pengojnë atë.

“Ai i takon vetëm PAN-it, Veseli do të jetë në krye të Kuvendit e Haradinaj në krye të Qeverisë”, tha Lekaj në takimin konsultativ.

Ndërsa kryesuesi i takimit Adem Mikullovci i ka replikuar atij duke i thënë se takimi është thirrur me kërkesë të tyre dhe se po e zhagitni procesin.

***

Hoti, PAN-it: Ose shfaquni në seancë, ose tregoni se nuk i keni numrat

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë në takimin konsultativ të partive politike se askush nuk ka monopol në krijimin e institucioneve dhe se e kanë për obligim para qytetarëve që të paraqiten në vazhdimin e seancës konsultative të Kuvendit.

Ai ka thënë se seancat për konstituimin e Kuvendit të Kosovës janë thirrur në mënyrë të rregullt, ndërsa koalicioni PAN në vetëm në një seancë ka marrë pjesë dhe se nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të propozuar kandidatin për kryera të Kuvendit.

“Askush nuk ka monopol në krijimin e institucioneve. Ne kemi obligim para qytetarëve të paraqitemi në seancë. Ju jeni pakicë është e pamundur të themeloni qeverinë. Ju të paraqiteni nesër në seancë ta paraqitni ose të tregoni se nuk e keni shumicën”, ka thënë Hoti.

Hoxhaj: PAN nuk merr pjesë në seancën e nesërme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në takimin konsultativ të partive politike, ka thënë se nuk do të marrinë pjesë në vazhdimin e seancës së nesërme të caktuar nga kryesuesi i Kuvendi i Kosovës, pa një konsensus në mes subjekteve politike.

Ai tha se janë të vendosur që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për kryetarin e Kuvendit.

“Kandidati jonë do të jetë Kadri Veseli dhe zgjedhja e tij siç është edhe zgjedhja e Haradinajt për kryeministër të jenë të pandashme. Ne nuk marrim pjesë në seancë, ju mund të hyni në atë sallë sa herë të doni por ne nuk marrim pjesë derisa nuk respektohet vullneti i të gjitha partive politike. Në momentin që ju ta respektoni këtë ne do të jemi në atë sallë dhe do ta propozojmë kandidatin”, tha ai.

Takimi konsultativ i partive politike, VV nuk merr pjesë (Drejtpërdrejt)

 Pjesëtarët e koalicionit PAN si dhe Lista Serbe, kanë arritur në mbledhjen e sotme konsultative të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci.

Raportohet se Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim, derisa të jetë pjesë e tij pritet dhe koalicioni LDK – AKR/Alternativa.

***

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për krijimin e institucioneve, po mbahet takimi konsultativ i shefave të grupeve parlamentare me kërkesë të kryesuesit të seancës së Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë, pasi që takimi sipas tyre është i panevojshëm.

Takimi mbahet në ora 10.00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është thirrur për të enjten në ora 10.00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat