Vanuatu mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Aktuale

Vanuatu mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Më: 9 gusht 2017 Në ora: 16:22
Pamje nga takimi

Ambasadori i Kosovës, Sabri Kiçmari, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Vanuatu, ka takuar zyrtarë të lartë të këtij shteti, me të cilët ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e arsimit, tregtisë, turizmit dhe sportit.

Kryeministri në detyrë i Vanuatus, Joe Natuman, ka rikonfirmuar mbështetjen e këtij shtetit për Kosovën, si pjesë e politikës së jashtme të Vanuatus në mbështetje të popujve që luftojnë për liri dhe pavarësi.

Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar kryeministrin në detyrë Joe Natuman për rolin e tij të jashtëzakonshëm, përkundër lobimit të fortë, në njohjen e Kosovës, në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm, dhe lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, duke premtuar se do të angazhohet që marrëdhëniet në mes të dy vendeve të thellohen në fusha të interesit reciprok.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Vanuatus Bruno Leingkone Tau ka rikonfirmuar qëndrimin mbështetës për integrimin e Kosovës në strukturat dhe organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar ministrin e Jashtëm për mbështetjen e Qeverisë së Vanuatus me rastin e votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO dhe për një linjë standarde mbështetjeje të gjithanshme për Kosovën, përkundër distancës së madhe gjeografike.

Ministri Tau dhe ambasadori Kiçmari kanë identifikuar si fusha të bashkëpunimit në mes të dy vendeve mbështetjen e njëri-tjetrit në strukturat ndërkombëtare, dhe shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në fushën e arsimit, tregtisë, turizmit dhe sportit.

Ndërsa në takimet me ministrin e Arsimit dhe atë të Rinisë dhe Sporteve është biseduar për mundësitë e shkëmbimeve në mes të dy vendeve në këto fusha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat