PAN bojkoton seancën, LAA dhe VV e fajësojnë për bllokim

Aktuale

PAN bojkoton seancën, LAA dhe VV e fajësojnë për bllokim

Nga: Bota sot Më: 10 gusht 2017 Në ora: 07:16
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë fajësuar kryekëput koalicionin PAN për mos formimin e institucioneve të vendit dhe për bllokim të Kuvendit, ndërsa deputeti i NISMA për Kosovën Milaim Zeka për bllokim të punës së Kuvendit ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, deputeti i NISMA për Kosovën, Milaim Zeka, paralajmëroi se fatkeqësisht edhe kjo seancë do të përsëritet sikur ajo e javës së kaluar dhe se krejt kjo bllokadë sipas tij, po ndodh për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk mori pjesë në mbledhjen konsultative të partive politike të mërkurën.

Ai ka thënë se koalicioni PAN i ka numrat për formimin e Qeverisë, ndërsa i bëri thirrje kreut të AKR-së Behgjet Pacollit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojnë në formimin e institucioneve shtetërore.

Zeka duke kritikuar LVV-në për sjelljet e tyre, i ftoi që të adaptohen me jetën dhe kulturën parlamentare, dhe siç tha ai, të mos sillen sikur rrugaç.

Zeka: Vetëvendosje qëllimisht po bllokon Kuvendin

“Unë personalisht, kam prit që sot do të zhbllokohet situata në Parlamentin e Kosovës. Për fat të keq, edhe sot do të ketë një ri-përsëritje e seancës së kaluar. Jo që mendoj po tani më jam i bindur që Lëvizja Vetëvendosje, qëllimisht është duke e bllokuar Parlamentin e Kosovës. Këtë e bazoj në faktin se ata nuk kanë shkuar në mbledhjen konsultative, e cila ka qenë e thirrur nga Adem Mikullovci. LVV po e ka vështirë të kuptojë që thirrja e tyre drejtuar PAN-it, është një thirrje për me shkel Kushtetutën, për me e shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani, a e kemi ne një Kushtetutë të hairit apo jo, a ka qenë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i drejtë, apo jo kjo është çështje që një ne duhet me debatuar në të ardhmen në parlament dhe me i ndryshuar ato gjëra, të cilat janë të këqija. Prandaj, unë i bëj thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të adaptohen me jetën dhe kulturën parlamentare. Si duket akoma ata j anë duke parë vetën nëpër rrugë, duke gjuajtur gurë dhe nuk po adaptohen me jetën parlamentare”, tha Zeka.

Ai ka thënë se tashmë ka shenja për zhbllokim duke u bazuar në deklaratat e kreut të AKR-së Behgjet Pacolli, ndërsa shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për të formuar qeverinë.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizje Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi tha se edhe në seancën e katërt konstituive po shihet se PAN është bllokues i konstituimit të institucioneve.

Ajo tha se do të vazhdojnë që të thërrasin PAN-in që të dalë me kandidatin e tij.

Duke folur rreth pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje  në takimin e mundshëm konsultativ, Kadaj-Bujupi tha se nuk ka nevojë që institucionet të barten në takime jo zyrtare.

Kadaj-Bujupi tha se për momentin LVV e ka bllokuar Kadri Veselin, pasi sipas saj, ai është kandidat i papërshtatshëm.

Kadaj: Kadri Veseli, personi më i pa përshtatshëm

“Në këtë fazë kemi bllokuar Kadriun, për shkak se ai është personi më i pa përshtatshëm të jetë kryetari i Kuvendit, ndërkaq ata e kanë bllokuar Kosovën, duke konsideruar që Kadriu është më i madh se Kosova. Dhe nëse ata e trajtojnë kështu, duhet të vijnë në kuvend t’ia thonë neve dhe qytetarëve. Mos të përpiqen që të improvizojnë përmes tryezave jo-formale, sepse Kosova ka institucionet e veta. Lëvizja Vetëvendosje është grupi më i madh parlamentar dhe rrjedhimisht jemi subjekti fitues në vend. Prandaj, do të angazhohemi që të bllokojmë zaptuesit e shtetit dhe të zhbllokojmë formimin e institucioneve, sepse jemi të obliguar dhe të përgjegjshëm që të zbatojmë vullnetin e qytetarëve të datës 11 qershor”, tha Kadaj-Bujupi. 

Edhe Arben Gashi nga koalicioni LAA, tha se situata e krijuar pas ndërprerjes së sotme të vazhdimit të seancës konstituive, shtyn koalicionin LAA që të veprojë sipas rrethanave të reja konstituive ligjore.

Ai tha se LDK po shqyrton mundësitë ligjore dhe kushtetuese, ku sapo të jetë gati, kjo çështje do të trajtohet dhe do të diskutohet me grupet e tjera parlamentare, përfshirë edhe pakicat.

Gashi: LDK po shqyrton mundësitë alternative për zgjidhjen e kësaj situate

“Qëndrimi zyrtar i LDK-së është që institucionet e Kosovës duhet të konstituohen në afat sa më të shkurtë të mundshëm, koha e cila po humbet po humbet pa arsyeshëm dhe sjellja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe aleatëve të saj është një sjellje bllokuese dhe një sjellje, e cila ka futur vendin në një situatë krize. LDK, po ashtu, po shqyrton mundësitë alternative për të parë se si mund të zgjidhet kjo situatë dhe njëra prej situatave e cila po trajtohet si mundësi e zgjidhjes është edhe veprimi juridik brenda Kuvendit për të krijuar gjendjen e re. Gjendja e re nënkupton procedimin në Kuvend në mungesë të PAN-it, pra ne po shqyrtojmë seriozisht edhe mundësinë që të vazhdojmë me procedura në Kuvend në mungesë të PAN-it, zgjedhjen e institucioneve meqenëse kemi si të drejtë të deklaruar nga Gjykata Kushtetuese që i takon kryetari Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, atëherë ne duhet të shohim mundësinë e vazhdimit të seancës, duke zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit dhe të vazhdohet të punohet në Kuvend derisa PDK-ja dhe aleatët e saj të jenë të gatshëm që të vijnë në Kuvend”, tha Gashi.

Në vazhdimin e seancës konstituive edhe pse pati kuorum me 61 vota, kryesuesi i saj Adem Mikullovci ndërpreu seancën në mungesë të PAN-it.

***

Kryesuesi i seancës konstituive, Adem Mikullovci, ka ndërprerë vazhdimin e seancës konstituive për shkak se në sallë mungon koalicioni PAN.

Ai tha se në sallë janë 61 deputetë, por nuk mund të vazhdojnë pa PAN-in. Gjithashtu, tha se për vazhdimin e seancës do të njoftohen me kohë.

***

Kadaj Bujupi s’i komenton deklaratat e Pacollit, thotë se VV është në koordinim me LAA

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj Bujupi tha  se  sot ishte seanca e katërt dhe PAN-i është duke e bllokuar punën e Kuvendit.

Ajo tha se ata do të vazhdojnë të thërrasin seancën me drejtë kushtetuese si dhe ftojnë PAN-in që të mos bllokojnë

E pyetur  nga gazetarët se nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e së mërkurës, Kadaj Bujupi thotë se ata nuk kanë nevojë të marrin në debate të tilla apo në kafe po duhet të vijnë në kuvend

“Duhet të vijnë në Kuvend jo të improvizojnë përmes tryezave të tilla”, tha ajo.

Për deklaratën e Pacollit thotë se VV është në koordinim dhe bashkëpunim me koalicionin LAA dhe nuk jep komente për deklarata të tilla.

Gashi: LDK-ja po kërkon alternativa tjera

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga LDK-ja, Arben Gashi ka thënë se koha që po humbet po humbet paarsyeshëm dhe sjella e PDK-së dhe aleatëve të saj ka sjellë vendin në krizë.

“Qëndrimi zyrtar i LDK-së është që institucione të Kosovës duhet të konstituohen në afat sa më të shkurt të mundshëm”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu, ai ka thënë se LDK-ja është duhet kërkuar rrugë alternative.

Hoti paralajmëron PAN-in: Kthehuni në Kuvend ose do të kërkojmë rrugë të reja

Image
Avdullah Hoti

Përfaqësuesi i Koalicionit LAA, Avdullah Hoti tha se është seanca e katërt dhe përfaqësues të PDK ende mungojnë.

Gjithashtu, ai ka ftuar deputetët e PDK-së të jenë të arsyeshëm, të vijnë në Kuvend dhe ta propozojnë kandidatin sepse kanë humbur shumë kohë

Nëse nuk caktojnë datën, Hoti shprehet se duhet të kërkojnë rrugë tjetër për zgjidhjen e kësaj bllokade.

“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe në takim konsultative nëse e fton kryesuesi. Ftoj deputetet e PAN të jenë të arsyeshëm, të jenë prezent në sallë. Kemi humbur shumë kohë, kjo e bënë të qartë kush është i përgjegjshëm. Kryesues të sugjeroj të ftoni takim tjetër konsultativ dhe së bashku të merremi vesh për seancën e ardhshme, përndryshe duhet të konsultojmë rrugë të tjera ligjore. Ta kemi edhe një përpjekë të fundit për themelimin e institucioneve të vendit”, tha ai.

***

Deputeti Glauk Konjufca nga VV- ka marrë fjalën duke thënë se janë bërë dy muaj që nga zgjedhjet dhe nuk ka zgjidhje.

"Nuk e kuptoj fituesin Pan, pse vetë ata nuk vijnë për ta propozuar kandidatin. ku është problemi, nuk i kanë numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk dëshirojnë të jenë në opozitë”, tha Konjufca.

Po ashtu, ai benë pyetjen pse e bojkotojnë kuvendit, pse nuk vijnë në Kuvend.

Konjufca problem sheh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ata kanë të drejtën për zgjedhjen e kryeparalamentarit, mirëpo atëherë pse kushtetuesja nuk jep zgjidhje për atë që mungojnë.

Sipas Konjufcës strategjia e PAN-it qëndron në qëllimin që të ndalen tek deputetët për ti bindur për ta votuar Veselin dhe qeverinë Haradinaj. Konjufca këtë e ka quajtur shkelje të demokracisë dhe dënojnë këtë praktikë sepse nuk përkon me demokracinë.

“Thirrje- angazhohemi që të gjithë që janë këtu prezent të angazhohen për themelimin e legjislaturës së gjashtë, ftojnë panin që të mos bojkotojnë dhe të propozojnë kandidatin e tyre”, tha ai.

Image

***

Kryesuesi i Kuvendit ka thënë se janë të detyruar të ndërprejnë seancën pasiqë në sallë nuk ka korum.

Mikullovci ka thënë se në sallë gjenden vetëm 59 deputetë.

***

  Kryesuesi i Kuvendit, ka kërkuar nga deputetët të hyjnë në seancë pasi që i mungon korumi për të vazhduar seancën.

 Ka thënë se nuk ka korum të plotë nuk kanë, mungon PAN dhe minoritetet.

“Janë të detyruar ta ndërprerje seancën” , tha Mikullovci

***

Kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci ka caktuar pauzë 10 minutëshe, pasi në sallën e Kuvendit nuk ka kourum të mjaftueshëm. Në sallë janë vetëm 53 deputetë, raporton Bota sot.

Në sallë mungon edhe deputetja e LDK-së Teuta Rogova.

***

Ka filluar me 15 minuta vonesë seanca konsitituive e kuvendit. Deputetët e koalicionit PAN kanë bojkotuar edhe këtë seancë konstituive.

***

Teuta Rugova mungon në seancë

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur me vonesë.

Në sallë janë të pranishëm vetëm 59 deputetë.

Aty mungon edhe deputetja e LDK-së Teuta Rugova.

***

Zeka: Nëse PAN-i nuk i ka numrat, duhet t’ia lëshojë rendin VV-së dhe LAA-së

Deputeti i PAN-it, Milaim Zeka, pak minuta para se të vazhdojë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nëse koalicioni që i përket nuk i ka numrat, atëherë rastin për formimin e Qeverisë duhet ta ketë Vetëvendosje dhe LAA-ja, por sipas tij, as këto parti nuk i kanë numrat për formim.

Në një deklaratë për media, Zeka ka thënë se duhet të zhbllokohet parlamenti i Kosovës me qëllim që partitë t’i masin forcat për formimin e qeverisë.

“Nëse zhbllokohet parlamentin, atëherë duhet t’i masim numrat. Nëse PAN-i nuk i ka numrat, atëherë duhet ta shohim nëse numrat i ka Vetëvendosje dhe LAA, por as ata nuk i kanë numrat”, ka thënë Zeka, i cili ka shtuar se për thirrje të seancave kryesuesi fillimisht duhet të konsultohet me partitë parlamentare.

***

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë të parët që kanë arritur në sallën e Kuvendit, ku pritet të mbahet seanca konstituive, raporton “Bota sot”.

Pas tyre, në Kuvend kanë filluar të vijnë edhe deputetët e koalicionit LAA, Mimoza Kusari-Lila, Korab Sejdiu, Lulmir Abdixhiku, Ilir Deda, Vjosa Osmani dhe Driton Selmanaj.

***

Kanë mbetur vetëm edhe pak minuta para se të fillojë seanca konstituive e Kuvendit, ndërsa në sallë shihet vetëm kryesuesi i Adem Mikullovci, raporton gazetarja e gazetës “Bota sot”.

Deputetët tjerë ende nuk kanë ardhur.

***

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur nga kryesuesi, Adem Mikullovci po vazhdon edhe sot.

Derisa VV dhe LDK e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, PAN ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në seancë. PAN ka kërkuar mbajtjen dhe të një takimi konsultativ të partive politike.

Në rend dite është zgjedhja e organeve udhëheqëse të Kuvendit, kryetarit dhe nënkryetarit.

***

Deputetët kanë filluar të hynë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku pas pak pritet të fillojë vazhdimi i seancës konstituive.

Tanimë aty ka hyrë edhe kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci.

Ndërkohë, në seancën nuk do të marrin pjesë përfaqësuesit e PAN-it.

***

Sot duke filluar nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kjo është seanca e mbajtur për herë të tretë për konstituim, në rend dite është zgjedhja e organeve udhëheqëse të Kuvendit, kryetarit dhe nënkryetarit. Ndërsa, koalicioni PAN i cili ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e 11 qershorit, nuk do të marrë pjesë.

Bojkotimin e seancës nga koalicioni PAN, është bërë i ditur nga përfaqësues të këtij koalicioni dje në mbledhjen konsulative të thirrur nga kryesuesi i kuvendit, Adem Mikullovci.

Sipas koalicionit PAN, duhet të merret pëlqimi edhe i tyre për datën e mbajtjes së seancës, sepse koalicioni i tyre ka të drejtën e kryeparlamentarit dhe krijimit të institucioneve të reja, shkruan "Bota sot".

Ata dje në mbledhjen konsulative kanë kërkuar që javën e ardhshme (të mërkurën) të mbajnë edhe një mbledhje tjetër, për të diskutuar për datën e mbajtjes së seancës.

Ky propozim i tyre, është hedhur poshtë, nga partitë tjera dhe kryesuesi i kuvendit. Përfaqësuesit të koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje, i kanë bërë thirrje koalicionit PAN të marrin pjesë në seancën e sotme dhe ta paraqesin kandidatin e tyre për kryeparlamentar, në mënyrë që të votohet.

Përkundër kësaj, koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje janë deklaruar se do të marrin pjesë në seancë, dhe mungesën e koalicionit PAN ata e shohin si blerje të kohës sepse nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë.

Kjo është hera e dytë që koalicioni PAN nuk merr pjesë në seancë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat