Dështon sërish seanca, VV e LAA “shfryhen” ndaj PAN-it

Aktuale

Dështon sërish seanca, VV e LAA “shfryhen” ndaj PAN-it

Nga: Bota sot Më: 14 gusht 2017 Në ora: 10:04
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ka mbyllur vazhdimin e seancës konstituive, duke thënë se pas këtij debati iu ka mbush edhe me shumë mendja që të shkojë në takim me PAN-in të mërkurën në ora 10:00.

Ai ka ftuar VV-në dhe koalicionin LAA që të marrin pjesë në këtë takim.

Selimi i bën thirrje PAN-it të vijë në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka akuzuar PAN për bllokim të punës së Kuvendit, duke thënë se të gjitha shtyrjet e deritanishme të seancave konstituive janë bërë me fajin e këtij koalicioni.

Ai me këtë rast i ka bërë thirrje koalicionit PAN që të vijë në Kuvend edhe nëse nuk i kanë numrat ose jo për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“S’kemi kohë për të humbur, s’kemi para për të humbur. Kemi shumë ligje për të bërë. Nëse nuk i kanë numrat të vijnë, e edhe nëse nuk i kanë prapë të vijnë. Ejani aty ku është vendin në Kuvend, sepse asnjë vend tjetër nuk mund ta zëvendësojë Kuvendin”, ka thënë Selimi.

***

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri i ka dalë në mbrojtje deputetëve të koalicionit PAN që kontribuan për vendin gjatë kohës së luftës

Ky reagim i tij ka ardh pas akuzave që ua bëri deputeti nga radhët e VV-së, Frashër Krasniqi duke i quajtur kriminelë dhe bllokues të institucioneve.

“Po të mos ishin ata komandantë as Adem Mikollovci nuk do ta fliste sot gjuhën shqipe këtu, por unë mendoj se duhet një tjetër gjuhë për të ecur përpara”, tha Tahiri.

Ndryshe, ditëve të fundit është diskutuar se deputeti Tahiri do të jetë njëri ndër votuesit e qeverisë Haradinaj.

Pacolli: AKR nuk e ka bojkotuar Kuvendin

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, përmes një statusi në Facebook, ka reaguar ndaj pohimeve për bojkot të vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit nga AKR-ja, duke thënë se deputetët e saj janë të pranishëm në sallë.

Postimi i  plotë:

Nga bankat e Kuvendit, po dëgjoj debatin e kolegëve te VV dhe njëkohësisht po lexoj si AKR ka bojkotuar seancën e Kuvendit. Jo, ne të AKR-së jemi këtu, nuk kemi bllokuar e as që do të bllokojmë seancat e Kuvendit, jemi si gjithmonë të përgjegjshëm!

Gashi: PAN nuk mund ta blejë askënd, kush u shit deri tash?

Deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi ka thënë se PAN nuk mund ta blejë askënd, ashtu siç po flitet për votat.

”PAN nuk mund ta blejë askënd, kush u shit dej tash? Askush. Ky është Kuvend ku përfaqësojmë bazën me vlerën për të cilën jemi këtu’’, ka thënë ai në seancë.

Ndërsa sipas Gashit, duhet bërë zgjidhje nëse PAN nuk e sjell kandidatin për kryeparlamentar.

Thotë se partitë e tjera duhet t’i japin emrat për kandidatët e tyre për nënkryetarë.

Armend Zemaj i ka tri pyetje për PAN-in

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i ka drejtuar tri pyetje koalicionit PAN.

“A po dëshirojnë që të imponojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit, a po dëshirojnë që të imponojnë kandidatin për kryeministër, apo dëshirojnë që t’i lëshojnë rrugë pakicave për krijimin e institucioneve. Po ashtu, duhet të ketë parasysh për cka thirret një takim konsultues. Jo vetëm për shkak të dëshirave. Në fund të fundit, mund të shkohet në zgjedhje të reja demokratike”, ka thënë Zemaj.

Kusari-Lila: Ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Deputetja nga radhët e koalicionit LAA, Mimoza Kusari-Lila tha sot se kriza politike po i kushton Kosovës me humbje të mëdha dhe se ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve tjera të jashtëzakonshme.

Ajo tha se nuk duhet të vazhdojë thellimi i krizës që po bie mbi qytetarët e vendit.

Mikullovci: Rregullorja nuk na lejon t’i zgjedhim ndarazi nënkryetarët

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka propozuar që të zgjedhin nënkryetarët e Kuvendit, pasi kanë të drejtë t’i kenë nga një nënkryetar, por propozimin e tij e ka hedhur poshtë kryesuesi, pasi një gjë të tillë nuk ia lejon rregullorja e Kuvendit.

Gashi tha se duhet të përçojnë mesazhe se çfarë shoqërie po ndërtojnë.

Ai tha se gjuha që përdorim duhet të ajo që bashkon e jo krijimit të konflikteve. Sipas tij, PAN ka të drejtën për të propozuar një kandidat për kryetar porse nuk e kanë të drejtën për ta bllokuar krijimin e institucioneve.

Ai personalisht propozoi që të zgjedhin nënkryetarët pasi kanë të drejtë t’i kenë nga një nënkryetar.

Sipas me këtë nuk bëjnë shkelje kushtetuese sepse po zgjedhin përfaqësuesit e tyre në kryesi të Kuvendit, e jo të koalicionit PAN.

Por kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullvci ka sqaruar se rregullorja e kuvendit parasheh që kryetari dhe nënkryetarët mundet të zgjedhjen në një pako.

Krasniqi: Haradinaj po tenton ta krijojë qeverinë me ndihmën e këtyre dy kriminelëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, ka thënë se koalicioni PANnuk po ka guxim të vijë në seancën e Kuvendit.

Ai ka thënë se Ramush Haradinaj, po fshihet gjatë tërë kohës prej se ka nisur punën legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës.

“Është interesant me ardh për herë të parë në Kuvend dhe me pa që koalicioni i krimit që ia mbajnë vetes për komandantë të luftës, nuk ka guxim me ardh në seancë. Por është keq që nuk po krijohen institucionet e Kosovës.  Është interesant për shkak se Ramush Haradinaj thojke që ai merret veç me sporte të rënda, e tash shumë çudi qysh është duke e fshehur gjatë gjithë kohës prej që ka fillu ky Kuvend”, ka thënë Krasniqi, përcjell Bota sot.

Ai ka folur edhe për mungesën e Kadri Veselit në seancë.

“Poashtu edhe Kadri Veseli që s’po mundet me pranu dështimin e madh u mshefë krejt, krejt ka humb… Kjo është një shenjë e mirë, sepse kjo tregon se edhe nëse këta arrijnë t’i bëjnë numrat dhe e bëjnë një qeveri me shantazhe e kërcënime e me joshje, kjo do të jetë qeveri e ikjes, e panikës. Ajo do t’i ketë një deri në dy vjet jetëgjatësi. Qeveri e kriminelëve që i kanë të gjitha të këqijat në Kosovës duke u thirrur në emër të luftës”, është shprehur më tej deputeti i VV-së.

Sipas Krasniqit, PAN do ta bazojë krijimin e Qeverisë në dy shtylla.

“Krijimin e qeverisë së re PAN po don ta bazojë në dy shtylla, në Listën Srpska, saktësisht kriminelin Milan Radojiçiq, zëdhënës i Veselinoviqit, që ka kryer krime dhe vazhdojë të kryejë krime në veri të Kosovës, që  kërcënon me vdekje policët e Kosovës, dhe me të cilin Haradinaj po takohet vazhdimisht për t’ia marr votën Listës serbe. Shtylla e dytë  është Ukë Rugova, një kriminel tjetër…Ja çfarë krahu i luftës janë këta, për me rujt pushtetin e tyre, janë në gjendjen më i rënë në dy gjujnë Listës serbe”, ka shtuar ai.

Hoti: Kemi dy pyetje për Gjykatën Kushtetuese

Hoti theksoi se PAN po bllokon formimin e institucioneve Deputeti nga radhët e koalicionit LAA, Avdullah Hoti mori fjalën në seancën konstituive, ku në mungesë të kuorumit, kryesuesi Adem Mikullovci ftoi deputetët të debatojnë. Hoti tha se duket qartë se koalicioni PAN është duke bllokuar formimin e institucioneve të vendit.

 “Është për keqardhje dhe fyerje për qytetarët që deputetët e zgjedhur të mos marrin pjesë në seancë… është e qartë se kush janë bllokuesit e formimit të institucioneve dhe më vjen keq që edhe deputetët e minoriteteve që nuk janë sot në seancë”, ka thënë Hoti.

Ai bëri të ditur se koalicioni është duke shqyrtuar hapat kushtetues që duhet ndërmarr për të themeluar institucionet e vendit. “Jemi duke punuar brenda grupit parlamentar në sqarimin e bazës juridike për dy pyetje që duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

E para që me mos pjesëmarrje në seancë dhe mos prezantim të kandidatit për kryetar të Kuvendit konsumohet e drejta kushtetuese për të pasur kryetarin e Kuvendit dhe e dyta, çfarë ndodhë në rast kur një kandidat që propozohet për kryetar të Kuvendit nuk e merr mbështetjen e nevojshme”, tha Hoti.

Ai bëri të ditur se koalicioni LAA pret Vetëvendosjen dhe deputetët e minoriteteve të ulen në një tryezë të përbashkët për të biseduar për të sqaruar bazën juridike për këto dy pyetje dhe për t’u pajtuar për ndërmarrjen e hapave konkret drejt zhbllokimit të themelimit të institucioneve. Hoti përshëndeti deklaratën e shteteve të QUINT-it.

***

Kryesuesi Adem Mikullovci ka thënë që të mërkurën do të shkojë në konsultime më përfaqësuesit e partive politike, siç ka kërkuar koalicion PAN, para se të thirr seancë të re. 

“Unë do të shkoj në takim me ta të mërkurën në orën 10:00”, u ka thënë deputetëve kryesuesi Mikulloci. 

Ai ka treguar gjithashtu se qëndrimi i partisë së tij, VV, është që nuk merr pjesë në takime të tilla, por megjithatë Mikullovci tha se ai do të shkojë në takim. 

Ndryshe, në Kuvend po vazhdojnë fjalimet edhe përkundër se nuk ka kuorum për vazhdimin e seancës parlamentare.  Në sallë janë paraqitur vetëm 53 deputetë. 

Deputetët e PAN dhe minoriteteve kanë munguar serish.

***

Konjufca: Marrim pjesë në seancë edhe nëse PAN-i s’ka kandidat tjetër për kryeparlamentar

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar që në seancën e sotme të vendoset që të zhvillojmë debat politike këtu në mënyrë që cdo deputet të shpreh mendimin për situatën e krijuar në vend.

Sipas tij, kjo seancë është ajo e 3 gushtit e thirrur nga koalicioni PAN, respektivisht presidenti Thaçi.

Konjufca theksoi se PAN po e bojkotojnë themelimin e institucioneve duke mos u shfaqur në Kuvend. E sipas tij, kjo po ndodhë për shkak se nuk i kanë numrat.

Konjufca tha se qytetarët do t’i zvogëlojnë këto parti të mbrapshta. Sipas tij, një gjë është e sigurt, Qeveria e Kosovës ose do t’i ketë 81 vota me në krye VV ose do t’i ketë 59 vota me në krye PDK-në.

Sipas Konjufcës, një Qeveri e ardhshme pa PDK-në në vendimmarrje do të ua mundësonte atyre që t’i qitnin sheshit të bëmat e këqija ndaj vendit.

Konjufca tha se nëse PAN nuk ka kandidat tjetër pos Veselit le të vijnë dhe ta qesin në votim dhe ata do të marrin pjesë në votim.

Ai tha se ata propozojnë që kjo seancë t'ua zë vendin tryezave të cilat po i kërkon PAN-i. Konjufca tha se duhet të flasin të gjithë.

“Takimi i Thaçit me njerëz të sapo dalë nga burgu, tregon qartë se kujt i shërben”

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka drejtuar akuza të shumta ndaj koalicionit PAN si dhe presidentin Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij në Kuvend, Konjufca ka thënë se presidenti Thaçi, javën e kaluar është takuar me persona të sapo dalë nga burgu.

Konjufca ka deklaruar se kjo flet më së miri se kujt po i shërben presidenti i vendit.

“Mund t’ju duket paradoksale ajo që do t’ju them, por këtë seancë e ka thirrë vetë PAN-i dhe vetë nuk po merr pjesë. Kjo seancë është ajo e 3 gushtit dhe nuk po kryhet, për shkak të bojkotit të koalicionit PAN. Ai ka thënë se nga kjo situatë kuptohet se presidenti Hashim Thaçi është duke i shërbyer koalicionit PAN”, ka thënë Konjufca.

“Me takimet që ai i ka zhvilluar me disa persona të PDK-së të sapo liruar nga burgu, tregon se ai është vënë kryekëput në shërbim të koalicionit PAN”, është shprehur Konjufca.

Më tej, ai ka folur edhe për situatën e vitit 204.

“Nëse ju kujtohet në vitin 2014, ata e kishin kryesuesin e seancës dhe nuk thërrisnin seancën me qëllim. Siç e dini, atë kohë, themelimi i institucioneve u vonua gjashtë muaj. Kurse sot, ata po e bllokojnë themelimin e institucioneve duke mos u shfaqur në Kuvend. Ku e kanë hallin ata? Është shumë e thjeshtë. Nuk i kanë numrat, as për kryeparlamentar as për kryeministër. Ata nuk i kanë numrat sepse ata numra në dorë i  kanë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka folur edhe për opsionet që ka Kosova.

“Qeveria e ardhshme ose do të ketë 81 vota në krye më Vetëvendosjen, ose do ‘ti ketë 59 vota në krye më PDK-në. As që dua të hargjoj fjalë për të shpjeguar se cila qeveri i duhet më shumë Kosovës sepse kjo po duket qartë”, ka përfunduar ai.

Image

Pas 15 minutash pauzë, ka rifilluar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi Adem Mikullovci ka bërë të ditur se nuk ka kourum për mbajtjen e seancës, pasi në sallë janë vetëm 53 deputetë. Por, ai u ka dhënë leje deputetëve të koalicionit LAA dhe Vetevendosjes që të debatojnë.

Kujtojmë se në sallë nuk gjendet asnjë deputet i PAN-it.

***

Ka nisur me 20 minuta vonesë seanca konstituive e Kuvendit, e cila po mbahet për herë të katërt.

Me të marrë fjalën, kryesuesi Adem Mikullovci ka caktuar 15 minuta pauzë, për shkak se në sallë nuk gjendet asnjë deputet i koalicionit PAN dhe minoriteti serb, përcjell Bota sot.

Mikullovci ka thënë se do t’i respektojnë të gjitha procedurat për mbajtjen e seancës.

***

Deputetët e koalicionit LAA dhe ata të Vetëvendosjes kanë filluar të hyjnë në sallën e seancave plenare.

Edhe për këtë të hënë kryesuesi Adem Mikullovci ka ftuar vazhdimin e seancës konstituive që është hera e katërt.

Në sallë nuk gjendet asnjë deputet i koalicionit PAN, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët.

William Walker merr pjesë në seancën konstituive

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker është parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Walker do të marrë pjesë në punimet e seancës së sotme konstituive që pritet të nis pas pak minutash.

Deri më tani, asnjë prej deputetëve të koalicionit PAN nuk ka hyrë në Kuvend.

Image
Walker ne Kuvend

***

Tashmë deputetë të Kuvendit kanë filluar të hyjnë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive, ndërkaq deputetët e PAN-it kanë paralajmëruar sërish se do ta bojkotojnë.

Seanca e cila pritet të fillojë në ora 10:00 do të udhëhiqet nga kryesuesi, deputeti më i moshuar i përbërjes së re parlamentare Adem Mikullovci.

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave.

 Ai madje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Ndryshe, sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat