Qeveri teknike, pa figura “të larta” politike në të?

Aktuale

Qeveri teknike, pa figura “të larta” politike në të?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 gusht 2017 Në ora: 08:15
Ndertesa e Qeverisë

Opsioni për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse është duke u mirëpritur ende nga AKR-ja, ndërsa përfaqësues të koalicionit PAN dhe Vetëvendosja thonë se nuk është mirë për Kosovën një qeveri e atillë. Kurse,  sipas njohësve  të  çështjeve politike në vend një qeveri gjithëpërfshirëse  në Kosovës nuk do të mund të krijohej, por në rast se do të bëhej atëherë do të jetë afatshkurtër.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, duke folur rreth opsionit të qeverisë gjithëpërfshirëse ka thënë se nuk duhet hedhur poshtë si opsion, megjithatë ai nuk kishte parë vullnet politik te partitë për formimin e një qeverie të tillë.

Image
Arben Gashi

 “Mendoj se është një opsion më i mirë se sa opsioni i formimit të qeverisë pa mbështetje politike më 61 deputetë. Dy prej të cilëve në mënyre jo transparente do ta përkrahin ashtu siç po thuhet”, ka thënë Gashi për media ditë më parë.

Opsioni i qeverisë gjithëpërfshirëse ishte propozuar  disa ditë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Ideja e Pacollit

Pacolli kishte propozuar krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse me afat një vjeçar, me datë të përcaktuar të zgjedhjeve parlamentare të radhës.

Deputeti nga radhët e koalicionit PAN, Pal Lekaj, ka thënë se nuk është me rëndësi nëse një qeveri i ka 61 e më shumë, apo 70 plus numra, me rëndësi është që Kosova të ecë me hapa të sigurtë.

Image
Pal Lekaj

 

“Ajo çka është më kryesorja në gjithë këtë, ka të bëjë me ecjen në hapa të sigurt të Kosovës në perspektivë përpara, një qeveri kredibile dhe stabile i duhet vendit për të arritur disa tema të cilat deri më tani asnjë qeveri si ka kryer. Qeveria do të jetë stabile, tani a me 61 e me shumë, a me 70 plus, kjo është temë e kandidatit për kryeministër dhe partnerëve të PAN” ka pohuar Lekaj për "Bota sot".

I pyetur nëse do të ishte më mirë te kishte Kosova një qeveri gjithëpërfshirëse, Lekaj ka theksuar se një qeveri më e gjerë ndoshta do të ishte më e lehtë për t’u arritur.

Pantina: Kosova ka nevojë për qeveri të fuqishme 

Image
Shqipe Pantina

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se opsioni i qeverisë gjithëpërfshirëse mund të jetë qëllim i mirë, mirëpo Kosova ka nevojë për qeveri të fuqishme, por edhe për opozitë.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, ka thënë se deputeti Gashi ka menduar për qëllim të mirë dhe për stabilitetin politik në vend, por Kosova ka nevojë për qeveri të fuqishme.

“Ndonëse deputeti Gashi mund te ketë pasur qëllim të mirë kur ka menduar për qeveri gjithëpërfshirëse e sidomos për stabilitet politikë në vend, megjithatë unë mendoj se Kosova po aq sa ka nevojë për një qeveri të fuqishme ka nevoje edhe për një opozitë e cila do ishte aty për të korrigjuar gabimet e qeverisë” ka pohuar Pantina për "Bota sot".

Pantina tregon edhe arsyet sipas saj pse nuk është mirë të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse.

“ Një qeveri e tillë gjithëpërfshirëse do mund të siguronte stabilitet politikë por nuk do garantonte prosperitet dhe për më tepër do e cungonte demokracinë edhe ashtu të brishtë në vend” ka theksuar Pantina.

Ndërsa, Aleanca Kosova e Re e rikonfirmon qëndrimin e saj pozitiv për krijimin e një qeveri gjithëpërfshirëse.

Qeveri një vjeçare

Zyrtari i AKR-së, Vesel Makolli, thotë se ideja e presidentit të tyre ka qenë që të bëhej një qeveri e atillë një vjeçare.

Image
Vesel Makolli

Duke folur rreth mënyrës se si do të funksiononte qeveria gjithëpërfshirëse, Makolli, thotë se duhet të ketë mirëkuptim mes veti dhe mirëkuptim për vendin.

“Ideja më e mirë ka qenë e presidentit tonë, Behgjet Pacolli, i cili ka thënë që të bëhet një qeveri gjithëpërfshirëse e cila kishte të krynte shumë punë, sidomos të rregullohej edhe përgjigjja zgjedhore, edhe shumë gjëra tjera. Pastaj, pas  1 viti apo 1 vit e gjysmë të shkohet taman në zgjedhje” ka deklaruar Makolli për "Bota sot".

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se do të ishte vështirë funksionimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Qeveria e varur prej numrave e brishtë

Politologu, Mentor Tahiri, është shprehur për "Bota sot" se një shumicë që varet prej numrave është qeveri e brishtë dhe gjithë kohën me derë të hapur shantazhi nga Lista serbe.

Sipas Tahirit, qeveria gjithëpërfshirëse do të zhbënte më tej jetën normale politike në vend.

Image
Mentor Tahiri

“Një shumicë parlamentare, respektivisht një qeveri e cila varet nga numrat, siç është menduar krijimi i qeverisë nga PAN, është një qeveri e brishtë dhe gjithë kohën me derën e hapur të shantazhimit nga Lista Serbe. Megjithatë, duket se stabiliteti i qeverisë nuk është prioritet për subjektet që e përbëjnë PAN, prioritet duket të jetë pushteti me çdo kusht, me ç’rast sigurohet edhe për një kohë një lloj mbijetese politike, e rrjedhimisht me këtë edhe një lloj stabiliteti për gjithë nomenklaturën bizneso-financiare përreth tyre. Gjë që nuk vlen për një qeveri ku vota shqiptare është stabile.  Një qeveri gjithëpërfshirëse do të zhbënte më tej jetën normale politike në vend. Ky lloj kabineti qeveritar do të shkaktonte që përgjegjësia politike të mos alokohet askund, gjë që do të shtynte klasën e sotme politike të jetë edhe më e papërgjegjshme” ka nënvizuar Tahiri.

Qeveri me karakter teknik

Sipas Tahirit, nëse do të formohej një qeveri gjithëpërfshirëse, asaj do t’i mveshej një karakter krejtësisht teknik dhe do të funksiononte për një periudhë të shkurtër.

“ Në rast të formimit të një qeverie të tillë, asaj duhet t’i mëveshët një karakter krejtësisht teknik dhe të funksionojë si e tillë vetëm për një periudhë të shkurtër. Pra, pa figura “të larta” politike në të, por më tepër e përbërë nga teknokratë, roli i të cilëve do të ishte tejkalimi i një faze të përkohshme politike dhe procedimi i ligjeve. Por kjo qeveri do të ketë kuptim vetëm nëse në të marrin pjesë të gjitha subjektet politike relevante, në proporcion me peshën reale që kanë në Kuvendin e Kosovës” ka theksuar Tahiri.

Ndërsa, analisti politik Ejup Gojnovci, nuk parasheh krijimin e një qeverie të atillë duke e konsideruar të pamundur përfshirjen e Vetëvendosjes.

Image
Ejup Gojnovci

“Mendoj se nuk do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse dhe në një kombinatorike të tillë e shoh të pamundshme përfshirjen e partisë Vetëvendosje. Në rrethanat që tashmë ndodhemi, shoh mundësi të krijimit të qeverisë e cila do të votohej nga 61 plus deputet. Por, mendoj se këta 61 plus deputet, nuk janë akoma të siguruar për votimin e krye-parlamentarit dhe kjo është pika në të cilën PAN ka ngecur” ka pohuar Gojnovci për "Bota sot".

Dy skenarët tjerë

 Gojnovci ka treguar dy skenarët tjerë të mundshme më shumë se sa qeveria gjithëpërfshirëse.

“ Në anën tjetër, më  të mundshem i shoh dy skenarë  të  tjerë sesa qeverinë gjithëpërfshirëse. E para mundet që  për shkak disa faktorëve, por edhe të presioneve që mund të krijohen nga faktori ndërkombëtar, LAA të përkrahë krijimin e institucioneve - ta votojë kryeparlamentarin dhe qeverinë qoftë me të gjithë deputetët e saj apo pjesërisht pa u bërë pjesë e koalicionit dhe e dyta që LAA të përfshihet në koalicionin qeverisës. Një qeveri e krijuar nga PAN ku LAA do të ishte pjesë sigurisht do të ishte shumë më e fuqishme, do të mund të funksiononte më mire e mbi të gjitha do ta zvogëlonte ndikimin e Listës Serbe përbrenda qeverisë” ka përfunduar Gojnovci.

Kurse, kundër një qeverie gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës në vend  është  shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avduallah Hoti si dhe kundër një qeverie të atillë më herët  kishte qenë  përfaqësuesja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat