Vazhdimi i seancës konstituive me 24 gusht me kërkesë të PAN-it

Aktuale

Vazhdimi i seancës konstituive me 24 gusht me kërkesë të PAN-it

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 10:24
Takimi konsultativ i partive politike

(E plotësuar) -Me kërkesë të koalicionit PAN, vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet me 24 gusht në të cilën koalicioni fitues i zgjedhjeve do të propozojë Kadri Veselin kandidat për kryetar të Kuvendit dhe do t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë.

Kjo datë u vendos në takimin konsultativ, ani pse koalicioni LAA dhe vet kryesuesi Adem Mikullovci shprehen drojën se as në këtë datë koalicioni PAN nuk do të jetë i pranishëm. Në këtë takim nuk mori pjesë vetëm Lëvizja Vetëvendosje.

Zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, propozoi datën 24 gusht për të mbajtur seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në të cilën janë të gatshëm të propozojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit, e që është Kadri Veseli.

Hoxhaj: Seanca në të cilën marrim pjesë duhet të mbahet me 24 gusht

“Në konsulta me përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës ne mendojmë që seanca e radhës në të cilën do të marrë pjesë koalicioni ynë, por ftojmë edhe tjerët të marrin pjesë, ku do të dalim me kandidat për kryetar të Kuvendit dhe ai është Kadri Veseli, kryetari i PDK-së dhe kryetar i deritanishëm i Kuvendit. Seanca e radhës do duhej të mbahej javën e ardhshme me 24 gusht në të cilët seancë ne marrim pjesë dhe ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese”, tha Hoxhaj.

Propozimi i Hoxhajt irritoi paksa koalicionin LAA, të cilët shfaqen mosbesim se edhe në atë seancë koalicioni PAN mund të mos marrë pjesë. Shefi i grupit parlamentar të LAA-së, Avdullah Hoti, akuzoi koalicionin PAN për bllokadë dhe shkelje kushtetuese.

Hoti: Koalicioni PAN cenoi dinjitetin e Kuvendit

“Nëse dikush e ka cenuar dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, ne duhet të pranojmë që është koalicioni PAN me mos pjesëmarrjen në këtë seancë. Mendoj që duhet të jemi përgjegjës para qytetarëve, para votuesve tanë...edhe unë nuk jam i dakordit që të caktohet çfarëdo seance nuk merr pjesë edhe PAN-i, sepse në pesë vazhdime të seancës me mospjesëmarrjen e tyre këta veç e kanë konsumuar të drejtën e tyre kushtetuese për të propozuar kandidatin e Kuvendit”, shtoi Hoti.

Deputeti i Alternativës Ilir Deda, shtroi dilemën nëse koalicioni PAN do të jetë i pranishëm edhe me 24 gusht në seancë, ani pse vet e propozoi këtë datë.

Deda: Keni kërkuar që këtë javë të mbahet seanca, tash dilni me propozim tjetër

“Procesi konsultativ nuk do të thotë që ne vijmë dëgjojmë dëshirat e juaja dhe këta Enver e din ti shumë mirë, korrektësia minimale për një proces konsultativ nënkupton që vjen thu pse po tërhiqeni prej zotimit të javës së kaluar e jeni zotu të tretë publikisht që seanca e radhës do të propozohej prej 17 dhe 18 dhe pastaj dilni me dy tri sugjerime tjera”, u shpreh Deda.

Edhe deputeti i AKR-së Korab Sejdiu shtroi dilemën nëse mund t’i besohet koalicionit PAN që do të jetë i pranishëm në seancë me 24 gusht.

Sejdiu: S’di sa t’iu besohet se edhe me 24 gusht do të vini

“Thënë thjesht, edhe pse nami nuk ish bë me prit deri me 24, por nuk e di sa mundemi me iu besua, që do të vije i 24-ti dhe ju prapë ose nuk do të vini në seancë ose do të vazhdoni me tentativa për vonesa tjera”, tha ai.

Kryesuesi i seancës Adem Mikullovci,  iu bashkua kërkesës së koalicionit LAA që të kihet garanca se me 24 gusht do të vijë koalicioni PAN në seancë.

Mikullovci: Kemi dilema a do jeni në seancë edhe me 24 gusht

“Ju e dhatë një propozim me 24 gusht dhe unë ju bashkohem parafolësve të mi se nuk kemi kurrfarë garance se do t’i përmbaheni kësaj. Të lutëm, veç ta mbaroj para së gjithash unë kërkoj nga ju që këtë propozim tuajin ta parashtroni me shkrim dhe t’i drejtoheni Kuvendit me shkrim”, tha Mikullovci.

Këto deklarata të përfaqësuesve të koalicionit LAA, nxitën reagimin e Hoxhajt, i cili e quajti absurde dilemat e tyre.

Hoxhaj: Kush jeni ju të ngrisni dilema a do jemi a s’do jemi me 24 gusht në seancë

“Zotëri Mikullovci ku keni të drejt të mendoni se a do të jemi a s’do të jemi në seancë. Ne patëm një propozim shumë konkret, me 24 gusht jemi të gatshëm të vijmë në seancë dhe përtej 24 gushtit hajdeni e ndërtojmë një politikë dhe kulturë të konsensusit në këtë vend...Arsyeja pse mora fjalën është se ku t’iu besojmë, por kush jeni ju në fund të fundit që ta ngritni këtë dilemë, kush jeni ju..po lenani me 24 gusht ta shihni a do të jemi në seancë a jo”, shtoi Hoxhaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i AAK-së, Pal Lekaj ka akuzuar deputetët e Vetëvendosjes për keqpërdorim të foltores së Kuvendit në vazhdimin e seancës të hënën.

Lekaj: Po përdoret foltorja e Kuvendit për ta fyer UÇK-në

“Ne jemi të vetëdijshëm që kryesuesin e ka shty subjekti i vet të thirr seanca dhe ta nxjerrë dikë bllof. Dhe nuk kemi nevojë këtu që dikush të na shesë mend se sa i duan qytetarët se jemi pjesë e këtij vendi, kemi dhënë shumë për këtë vend dhe ata të cilët ndoshta sfida dhe vuajtjet e qytetarëve të Kosovës i kanë parë vetëm në media, sot e përdorin foltoren e Kuvendit pa të drejt kushtetuese, pa të drejt të rregullores së Kuvendit, që të fyejnë atë më të shenjtën, luftën çlirimtare të ushtrisë tonë”, tha Lekaj.

Ndaj kësaj, reagoi Hoti, duke i thënë atij që të mos i gjeneralizojë gjërat, sepse secili mbanë përgjegjësi për fjalën e tij, pavarësisht se me të drejt është thënë se nuk është dashur të ketë debat në vazhdimin e seancës konstituive.

Propozimin e koalicionit PAN që me 24 gusht të mbahet seanca konstituive, në të cilën do të marrë pjesë edhe koalicioni PAN dhe do të propozoj kandidatin për kryetar Kuvendit, e përkrahen edhe përfaqësuesit e minoriteteve.

Slavko Simiq nga Lista Serbe ka thënë se është e drejtë e këtij takimi që të caktojë se kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive, më 17, 18 apo 24 gusht.

Ai ka thënë se Lista që ai përfaqëson, nuk është për bllokimin e punës së Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës, dhe se është e drejtë e PAN-it që të dalë me kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Simiç: Të kalojmë paragjykimet dhe t’i formojmë institucionet

“Synimi ynë i përbashkët final është ndërtimi i institucioneve të vendit dhe vakumi politik institucional që ka rrjedhë ditëve dhe javëve të fundit është një përgjegjësi e madhe. Jemi të lumtur që pas disa takimeve, sot nga koalicioni PAN kemi marrë propozimin për vazhdimin e seancës dhe kemi propozimin konkret se kush do të jetë kryetar i Kuvendit. Duhet të tejkalojmë paragjykimet dhe duhet të vazhdojmë për krijimin e institucioneve dhe jam i sigurt duhet t’i shmangemi konfuzionit nëse kjo duhet të jetë 17, 18, ose 24 gusht”, ka thënë Simiq.

Por, ata reaguan lidhur me akuzat që u janë bërë se janë të shantazhuar për mos pjesëmarrje në seancën e së hënës.

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha tha se ata janë rreshtuar në anën e Kushtetutës dhe nuk janë të shantazhuar nga askush. Madje, në fillim të fjalës së tij pati një përplasje me Bilall Sherifin e Nisma për Kosovën.

Berisha: Ne jemi në anën e kushtetutshmërisë

“...Komunitetet janë në një pozitë me të rëndën këtu dhe jemi akuzuar që jemi të detyruar ose të shantazhuar nga dikush të vijmë apo mos vijmë në seancë. Kështu është thënë media dhe është folur në seancën e Kuvendit dhe në këtë kuptim që ne në secilën anë të mbajmë ne prapë do të akuzohemi se jemi të ndikuar nga dikush dhe të vijmë apo të mos vijmë. Pikërisht për këtë arsye po them sepse komunitetet kanë vendosur të qëndrojnë në anë e kushtetutshmërisë”, tha Berisha.

Edhe Danush Ademi, nga PDAK,  tha se do të jetë pjesë e seancës së 24 gushtit, porse nuk pranojnë që të thirren nga deputetët.

Ademi: Mos na ofendoni nga seancat

“Nga seanca kemi marrë thirrje ju deputetët e komuniteteve ta ngritni dorën vijnë deputetët në foltore dhe na thërrasin në seancë, kush janë deputetët me na thirrë. Ka të drejt të na thërret sekretaria në seancë dhe kryesuesi, por jo deputetët...e përkrahu Vetonin sepse nuk duam ofendime nga seancat. Ne dimë të drejtën tonë, ne kemi obligim ndaj votuesve tonë që na kanë votuar, nuk jemi ardhur pa të drejtë vote në Kuvend”, tha Ademi.

Krejt në fund të takimit, pas shumë përplasjeve, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, tha se megjithatë po vendos që më 24 gusht të thërras vazhdimin e seancës konstituive sipas kërkesës së koalicionit PAN.

***

Kryesuesi i takimit konsultativ të partive politike, Adem Mikullovci, ka bërë të ditur se do të thërrasë më 24 gusht vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ashtu siç kishte propozuar koalicioni PAN.

Të gjitha partitë pjesëmarrëse në takimin e sotëm, me përjashtim të Vetëvendosjes, e cila nuk mori pjesë, u pajtuan me propozimin e PAN që seanca e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 24 gusht.

Komunitetet pakicë mbështesin propozimin që seanca të mbahet më 24 gusht

Përfaqësuesit nga radhët e komunitetit turk, egjiptian dhe koalicionit VAKAT kanë mbështetur propozimin e koalicionit PAN që seanca e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 24 gusht.

Deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka thënë në takimin e sotëm konsultativ se përkrah propozimin e PAN-it që seanca e Kuvendit të mbahet më 24 gusht.

Ai ka theksuar se asnjëra palë nuk po i duket engjëj dhe se komunitetet janë në pozitën me të vështirë.

Të pajtimit me propozimin e PAN-it janë shprehur dhe përfaqësuesi i komunitetit  turk.

Edhe Rasim Demiri nga koalicioni VAKAT ka përkrahur propozimin e PAN-it që më 24 gusht të mbahet seanca konstituive.

Sherifi: Jemi gati për seancën e 24 gushtit

Bilall Sherifi nga Nisma, tha se seancën e 24 gushtit e kanë propozuar pasi në këtë seancë janë të gatshëm.

Sherifi tha se ata nuk po zvarrisin procesin pasi kanë nevojë për konsultime.

Ai  tha se ‘zhagitje’ do të konsiderohej nëse ata do ti kishin 61 numra  dhe s’do vinin në seancë.

Sherifi shtoi se nuk kanë qenë gati prandaj nuk janë paraqitur në seancat e deritanishme.

Sipas tij, seancën konstituive e ka keqpërdor kryesuesi me shtytje të partisë së tij.

Lekaj: Vetëvendosje të mos shesë pallavra

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Frashër Krasniqi, duke thënë se nuk mund ta përdoret foltorja e Kuvendit për ta fyer luftën e shenjtë të UÇK-së.

Frashër Krasniqi kishte kritikuar ish-komandantët e UÇK-së në vazhdimin e fundit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, gjë e cila ka zgjuar reagime të shumta.

 tha se kryesuesi i ka thirrur seancat në mënyrë të rregullt, por këtë e ka shtyrë subjekti i tij për ta nxjerrë dikë bllof.

Lekaj theksoi se nuk mundet dikush me iu shit mend, sepse ata që tmerrin e kanë parë vetëm në media, ta përdorin foltoren për ta fyer luftën e shenjtë të UÇK-së.

Ai tha se deputetët e VV kanë fyer ata, të cilët dhanë me së shumti për lirinë e këtij vendi, ndërsa i porositi ata që të mos shesin pallavra.

Duke folur rreth vazhdimit të seancave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lekaj tha se kryesuesi i ka thirrur ato në mënyrë të rregullt, por për këtë e ka shtyrë subjekti i tij- Lëvizja Vetëvendosje.

Kryesuesi i takimit Adem Mikullovci e quajti fjalimin e Lekajt një frazeologji sa për të thënë dhe për të akuzuar VV-në dhe koalicionin LAA.

Deda-PAN-it: Si t’iu besojmë se do të vini në seancë më 24 gusht?

 Deputeti nga Alternativa Ilir Deda, tha se duhet të tregohet se pse janë tërhequr nga fjala e javës së kalur që seancën do ta ftoni këtë javë.

Deda shtoi se nuk është korrekte dhe si të besohet se PAN do të vijë në seancë më 24 gusht.

Edhe Deda theksoi se nuk duhet thirren seanca pa pjesëmarrjen e gjithë deputetëve nga të gjitha grupet sepse kjo situatë nuk po i bënë nder dhe po e acaron edhe me shumë qytetarët.

Korab Sejdiu: Nëse PAN nuk vjen në seancë, duhet të ndërrohet qasja politike

Korab Sejdiu nga radhët e koalicionit LAA, ka thënë në takimin e sotëm konsultativ, se nëse PAN nuk vjen në seancën e radhës, atëherë duhet të ndërrohet qasja politike dhe juridike.

Ai tha se mënyra se si është proceduar deri më tani dhe e drejta që i është dhënë koalicionit PAN, ka cenuar të drejtën e qytetarëve dhe se kjo e drejtë nuk është absolute, pasi që po përdoret për të penguar krijimin e institucioneve.

Sejdiu ka theksuar se nuk bëhet nami të presin deri më 24 gusht, por nuk e dinë sa t’i besohet PAN-it se do të vijnë prapë në seancë dhe se qytetarët janë ngopur me këto taktika të vonesave.

Hoti: Ne marrim pjesë në seanca kur ato thirren në mënyrë të rregullt

Shefi i grupit parlamentar të LAA-së Avdullah Hoti, tha se ata marrin pjesë në seanca gjithmonë kur ato thirren në mënyrë të rregullt.

Hoti tha se duhet të jenë përgjegjës dhe të mos zvarritet procesi.

Hoti tha se nuk janë të pajtimit që të thirret seancë ku nuk merr pjesë PAN-i.

Ai shtoi se nuk mund të trumbetoni që keni numrat dhe të mos vini në seancë.

Hoxhaj propozon 24 gushtin për mbajtjen e seancës

Përfaqësuesi i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka propozuar që seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të prezantohej kandidati i koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit duhet të mbahet më 24 gusht.

Ai në takimin e sotëm konsultativ  tha se ende duhet të ruhet dinjiteti i Kuvendit dhe sa herë që hyjnë në atë sallë duhet respektuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Hoxhaj theksoi se ideja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka qenë vetëm ndërrimi i qeverisës, por edhe hartimi i një programi qeverisës.

Ai tha se nuk ka pasur bllokadë, por kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për konsultime me partneret e tyre.

Hoxhaj propozoi 24 gushtin kur duhet të mbahet seanca në të cilën PAN do ta propozojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

Hoxhaj kërkoi që të mos organizohen seanca të tilla siç janë mbajtur deri më tash dhe të shfrytëzohet foltorja për fjalime politike.

Ndryshe, në takimin e sotëm konsultativ nuk është duke marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

***

Me ftesë të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës Adem Mikullovci, sot mbahet takimi konsultativ i partive politike të Kosovës me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për formimin e institucioneve të vendit.

Në këtë takim pjesëmarrjen e tyre e kanë paralajmëruar koalicioni PAN dhe LAA, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë.

Ftesa për këtë takim vjen pas ndërprerjes së vazhdimit të seancës konstituive të ditës së hënë, për shkak të mungesës së koalicionit PAN.

Takimi konsultativ i partive politike mbahet në ora 10.00, në Kuvendin e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat