LAA dhe VV në tryezë diskutimi: PAN po bllokon Kosovën, ja sa miliona rrezikon mosformimi i institucioneve

Aktuale

LAA dhe VV në tryezë diskutimi: PAN po bllokon Kosovën, ja sa miliona rrezikon mosformimi i institucioneve

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 11:34
Pamje nga tryeza

(E plotësuar) -Koalicioni PAN ka bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të mos shfrytëzimit të së drejtës ekskluzive për të kandiduar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kjo është një nga pesë konkluzionet e nxjerra nga diskutimi i partive politike dhe ekspertëve lidhur me bllokadën e krijuar në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, diskutim ky i thirrur nga grupi parlamentar LAA.

Aty u theksua edhe nevoja për ndryshime kushtetuese e zgjedhore në mënyrë të shmangies së krizave të tilla në të ardhmen, si dhe të analizohen mundësitë procedurale për referim në Gjykatë Kushtetuese për sqarime shtesë nëse mosshfrytëzimi i një të drejte duhet të konsumohet apo jo.

Nga grupi parlamentar LAA, Driton Selmanaj, në përfundim të diskutimit paraqiti të gjitha rekomandimet që u potencuan nga pjesëmarrësit.

Selmanaj: Koalicioni i PDK-së ka bllokuar konstituimin e Kuvendit

“Koalicioni i PDK-së ka bllokuar konstituimin e kuvendit për shkak të mos shfrytëzimit të së drejtës ekskluzive për të kandiduar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Përkundër dilemave të interpretimit të aktgjykimit të gjykatës kushtetuese respektimi i këtij vendimi është i pa alternativë. Tre, mos themelimi i institucioneve ka pasoja në të gjitha sferat ekonomike dhe politike në vend, pasojat ekonomike si në vijim humbja e 15 milion eurove nga fondi monetar ndërkombëtar, rrezikojmë të humbim edhe 75 milion të tjera fonde të BE-së, mungesa e rishikimit të buxhetit pengesë serioze për zbatimin e projekteve, rishikimi i legjislacioneve në fushën e ekonomisë, mungesa e mjeteve për pensionet e veteranëve, mungesa e stabilitetit politik mesazh i keq për investitorët potencial. Katër, të analizohen mundësitë procedurale për referim në gjykatë kushtetuese për sqarime shtesë se mos shfry tëzimi i një të drejte konsumohet apo jo. Pesë, nevojë imperativë për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore me qëllim të shmangies së krizave të tilla në të ardhmen”, tha ai.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LAA, Avdullah Hoti, ka thënë se konstituimi i Kuvendit të Kosovës  ka ngecur në ditën kur është dashur të propozohet kryetari i Kuvendit. Ai e ka quajtur  jo kushtetues kërkesën e PAN që të votohen në një pako kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri.

Hoti: Gjendja në të cilën jemi tregon mungesën e maturisë politike

“Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN tregon mungesën e maturisë politike të një spektri politik në Kosovë karshi qytetarëve të Kosovës dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtar... Qëllimi i tryezës është që të debatojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur për dy çështje. E para që në afat të shkurtër të shohim se si mund të zhbllokohet themelimi i institucioneve të vendit dhe  e dyta besoj se kjo nga tryezë duhet nisë dhe të formalizohet diskutimi substancial për të ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për të ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, tha ai.

Deputeti nga radhët e LAA, Armend Zemaj, ka theksuar se përkundër faktit që Kushtetuta e rregullon shprehimisht mënyrën e konstituimit të Kuvendit, është hera e dytë që vendi po ballafaqohet me bllokada dhe kriza të shkaktuara nga pozicionimet politike.

Zemaj: Bojkotimi i seancës konstituive duhet të gjejë interpretim kushtetues

“Bojkotimi i seancës konstituive duhet të gjejë interpretim kushtetues duke ju referuar pikës 127 të vendimit të gjykatës kushtetuese për kryeparlamentar e cila ju njeh të drejtën dhe obligon të gjithë deputetët e Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me dispozitat kushtetuese në harmoni me rregulloren e punës, por pa sqaruar përfundimin e kësaj detyre dhe pasojat e obligimeve të dhëna”, tha ai.

Ndërsa, të qëllimshme i ka quajtur sjelljet e PAN-it karshi situatës politike, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili tha se fakti se seanca konstituive është thirrur 5 herë me radhë, dëshmon papërgjegjësinë e një grupi parlamentar që nuk është në nivelin e përgjegjësisë publike sipas Kushtetutës.

Për atë se PAN nuk po dëshiron të marrë pjesë në seancë, Konjufca tha se meqenëse ata e kanë bërë betimin si deputetë të Republikës të Kosovës, ata duhet të marrin edhe përgjegjësinë që iu takon.

Konjufca: Kërkojmë prej PAN përgjegjësi publike

“Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të kërkojmë prej PAN-it, deputetëve që e kanë bërë betimin në Kuvend të Republikës së Kosovës, përgjegjësin publike, që ata të marrin pjesë sa më shpejtë në seancë dhe të mos bëhen shkaktarë të kësaj bllokade të cilën ata po e bëjnë me qëllim”, tha Konjufca.

Kurse, sa i përket dërgimit në Gjykatë Kushtetuese të çështjes për të sqaruar të drejtën e koalicionit PAN për të propozuar kryetarin e Kuvendit, deputeti nga LVV, Glakuk Konjufca është shprehur se nuk i konvenon vendit që kjo punë të pres me ditë të tëra pastaj trajtimin nga Gjykata, pasi që PAN mund të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë punën deri në fund të muajit shtator.

Ndryshe mendon analisti Ramush Tahiri, i cili është shprehur pro dërgimit të lëndës në Gjykatë Kushtetuese. Sipas tij, nuk prolongon Gjykata Kushtetuese pasi që nëse PAN ndërron mendje dhe konstituohen organet, lënda bie në gjykatë.

Tahiri: Lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese

 “E para është pasi nuk tregohet vullnet, lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka zgjidhje tjetër. Në këtë moment nuk ka zgjidhje tjetër, i vetmi është autoriteti i Gjykatës Kushtetuese që është mbi palët dhe që krijon hapësirë juridike për gjetjen e zgjidhjeve. A e prolongon Gjykata Kushtuese, për mendimin tim nuk e prolongon sepse vepron si çdo gjykatë tjetër. Në momentin që gjendet zgjidhja, ani që lënda është në Gjykatë Kushtetuese dhe ka vullnet, lënda është e paqenë, mundet me funksionuar dhe nuk pengon asgjë”, tha Tahiri.

Ai ka propozuar edhe një zgjidhje tjetër e që është një qeveri gjithëpërfshirëse e cila mund të jetë e formuar edhe nga kuadra të shoqërisë civile. Por që ai nuk ka përjashtuar edhe mundësinë për zgjedhje të përgjithshme si rruga e fundit për të dal nga kriza.

Në këtë takim është diskutuar edhe për implikimet ekonomike dhe sociale të vonesës së themelimit të institucioneve. Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo krizë politike shumë shpejt do të përkthehet në derën e secilit qytetarë të Republikës me probleme që po i shkakton kjo krizë. Po ashtu, ajo tha se mos konstituimi i Kuvendit dhe themelimi i Qeverisë i ka kushtuar Kosovës me humbjen e 15 milionë eurove pas skadimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kusari: Më 4 gusht  Kosova ka humbur 15 milionë euro

“Me 4 gusht Kosovës i ka skaduar afati i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me 4 gusht rrjedhimisht Kosova ka humbur 15 milion euro të kredisë së negociuar në vitin 2015 vlera e të cilës ishte 185 milion euro, mjete këto të cilat nuk kanë mundur të realizohen si rrjedhojë e mos konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë që do të duhej të ishte e dal nga zgjedhjet e 11 qershorit. Por, këto 15 milion euro nuk janë të vetmet mjete të cilat Kosova i ka humbur me 4 gusht. Kosova rrezikon ti humb edhe 75 milion euro të cilat si parakusht kryesor e kanë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha ajo.

Në këtë tryezë diskutimi të thirrur nga LAA nuk ishte ftuar koalicioni PAN.

***

Mimoza Kusari-Lila nga koalicioni LAA, ka akuzuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të 11 qershorit PAN, se ka thyer të gjitha premtimet për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa ka shprehur shqetësimin për humbjet ekonomike si pasojë e mos formimit të institucioneve të Kosovës.

Ajo gjatë diskutimit në tryezën e organizuar nga koalicioni LAA, ka thënë se Kosova ka humbur 15 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për shkak të mos konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

“Kosova rrezikon të humbasë edhe 75 milionë euro të fondit IPA, të cilat si parakusht kryesor e kanë marrëveshjen me FMN-në”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, lajm tjetër i keq që vjen si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit është edhe pamundësia e rishikimit të buxhetit.

“Kjo krizë e shkaktuar sot nga PAN, po i troket dhe do të vazhdojë t’i trokasë secilit qytetar të Kosovës në derë”, u shpreh Kusari-Lila.

***

Analisti Ramush Tahiri ka thënë se partitë politike nuk janë duke treguar vullnet për gjetjen e zgjidhjes për të dalë nga kriza e krijuar për shkak të mos formimit të institucioneve të Kosovës.

Ai në tryezën e diskutimit të organizuar nga koalicioni LAA, ka thënë se nëse koalicioni PAN ndërron mendje dhe konstituohen organet, lënda duhet të shkojë në gjykatë.

“Pasi nuk tregohet vullnet, lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka zgjidhje tjetër. Gjykata Kushtetuese është autoriteti i vetëm që krijon hapësirë juridike për gjetjen e zgjidhjeve”, ka thënë Tahiri.

Ai ka propozuar edhe formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, në të cilën do të përfshihej edhe shoqëria civile, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme si mjeti i fundit për të dalë nga kriza politike.

Tryeza e sotme e diskutimit me partitë politike, analistë dhe shoqërinë civile, është organizuar nga koalicioni LAA dhe aty nuk po merr pjesë PAN, pasi që nuk ka marrë ftesë.

Para mbajtjes së kësaj tryeze është zhvilluar një takim konsultativ i partive politike, në të cilën u vendos që më 24 gusht të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, propozim ky i koalicionit PAN-it.

Në këtë takim konsultativ, i thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci, nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje.

***

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka folur për efektet negative në ekonominë vendore të moskonstituimit të institucioneve të reja.

Ajo ka thënë se Kosova rrezikon të humbë 100 milionë euro dhe se pamundësia e rishikimit të buxhetit rrezikon një tjetër krizë financiare.

Kusari-Lila ka thënë se egoja e dy personave ka bllokuar shtetin e Kosovës.

***

Vetëvendosje kundër dërgimit në Kushtetuese të ngërçit në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet një propozim që bllokada institucionale të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për sqarim.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, në takimin konsultativ të thirrur nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, tha se dërgimi eventual i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese do ta vononte zgjidhjen dhe, sipas tij, do t’i jepte më shumë kohë koalicionit PDK-AAK-NISMA.

“Në kuptimin praktik, e shton komplikueshmërinë e situatës. Ia japim një kohë të panevojshme koalicionit PAN për ta vazhduar këtë bllokadë. Kjo do të ishte pasoja politike e një veprimi eventual të tillë”, tha Konjufca.

“Kushtetuesja do të merrte disa ditë, deri në dy muaj, për të dhënë një përgjigje dhe kjo nuk na konvenon”, shtoi ai.

Konjufca, sot, duke folur në tryezën politike të LAA-së kushtuar krizës aktuale politike dhe zgjidhjes së saj, ka fajësuar PAN-in se ai po pengon krijimin e institucioneve të Kosovës.

Ky koalicion, tha Konjufca, me mosardhjen e vet në seancat konstitutive po e pengon krijimin e organeve të Kuvendit.

Por analisti Ramush Tahiri, preferon që lënda të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese meqë, sipas tij, ekziston mundësia që rasti të mbyllet sapo të gjendet një zgjidhje politike për të dalë nga kriza.

Zemaj: Papërgjegjësitë politike, shkaktarë të bllokadës në vend

Deputeti nga radhët e LAA, Armend Zemaj ka thënë se Kushtetuta nuk është shkaktari kryesor i krijimit të bllokadave politike.

Ai në tryezën e diskutimit të organizuar nga LAA, ka thënë se shkaktar kryesor i ngecjes së mos formimit të institucioneve të Kosovës janë papërgjegjësitë politike, të cilat për bazë kanë interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, përkundër faktit që Kushtetuta e rregullon mënyrën e konstituimit të Kuvendit, kjo është hera e dytë që vendi ynë po ballafaqohet me bllokada dhe kriza politike. 

Në këtë tryezë nuk po merr pjesë PAN, pasi që koalicioni LAA nuk i ka dërguar ftesë. 

Hoti: Institucionet të formohen sa më shpejt, duke respektuar Kushtetutën

Koalicioni LAA ka organizuar tryezë diskutimi me partitë politike me përjashtim të PAN-it, mbi rrugëdaljen që duhet gjetur për të dalë nga gjendja e tanishme institucionale.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LAA, Avdullah Hoti, ka thënë me këtë rast se konstituimi i Kuvendit të Kosovës  ka ngecur në ditën kur është dashur të propozohet kryetari i Kuvendit. Ai e ka quajtur jo kushtetues kërkesën e PAN që të votohen në një pako kryetari i Kuvendit dhe kryeministri i Republikës të Kosovës.

“Gjendja në të cilën jemi dhe sjellja e koalicionit PAN tregon mungesën e maturisë politike të një spektri politik në Kosovë karshi qytetarëve të Kosovës dhe karshi partnerëve tanë ndërkombëtar... Qëllimi i tryezës është që të debatojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur për dy çështje. E para që në afat të shkurtër të shohim se si mund të zhbllokohet themelimi i institucioneve të vendit dhe  e dyta besoj se kjo nga tryezë duhet nisë dhe të formalizohet diskutimi substancial për të ndërtuar konsensusin politik dhe shoqëror për të ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, tha ai

LAA në tryezë diskutimi me partitë politike

Koalicioni LAA organizon tryezë për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e krijuar pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në këtë tryezë, koalicioni LAA ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje, minoritetet si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese, por ka injoruar deputetët e koalicionit fitues të zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma, të cilët nuk janë ftuar në këtë tryezë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat