USAID kërkon luftimin e korrupsionit përmes prokurimit publik

Aktuale

USAID kërkon luftimin e korrupsionit përmes prokurimit publik

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 12:17
Trajnimi në e-prokurim dhe etikë afariste

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të USAID-it, Majk de la Rosa, ka thënë se luftimi i korrupsionit do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe për të krijuar besimin e qytetarëve për institucionet dhe në veçanti prokurimin publik.

Ai me rastin e fillimit të trajnimit në e-prokurim dhe etikë afariste, theksoi se për luftimin e korrupsionit nevojitet një përkushtim maksimal i gjithë shoqërisë.

Rosa: SHBA-të kërkojnë nga autoritetet e Kosovës luftimin e korrupsionit

“Një gjë të cilës ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie i kushton rëndësi të veçantë, është luftimi i korrupsionit dhe ky do të jetë një aspekt i rëndësishëm i luftimit të korrupsionit. Kontributi i aktivitetit tim do të jetë me rëndësi jo vetëm nga aspekti i luftimit të korrupsionit dhe i zhvillimit ekonomik, por edhe për aspektin e ndërtimit të besimit të publikut për institucione dhe në veçanti për procesin e prokurimit publik”, tha Rosa. 

Kreu i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, tha se prokurimi mbetet një prej fushave më të rëndësishme për bizneset dhe shoqërinë civile. Ai ka bërë të ditur se  janë në finalizim të platformës së prokurimit elektronik, e cila  rrit besueshmërinë në fushën e prokurimit, andaj inkurajoi bizneset që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të cilën e ka mbështetur USAID-i.

Hoxha: Prokurimi publik, instrument i rëndësishëm për krijimin e besueshmërisë

“Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që i kemi në prokurimin publik, për komunikimin mes sektorit publik dhe atij privat. Për klimën e mos besimit që ka ekzistuar në mes sektorëve, për vështirësitë tuaja si biznese, sepse në fund të fundit nëse si shoqëri nuk arrijmë me ndryshuar qasjen ndaj jush për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm, asnjë herë nuk kemi me pasur ekonomi të qëndrueshme. Ne jemi përcaktuar për një ekonomi të lirë të tregut, ndërsa biznesi bart barrën e zhvillimit të kësaj shoqërie. Në këtë plan prokurimi elektronik mbetet një instrument shumë i fuqishëm për të ndërtuar klimën e besimit për ulje të kostos së operimeve dhe ne si KRPP jemi në fund të jetësimit të sistemit të prokurimit elektronik në Kosovë”, theksoi Hoxha.

Ndërsa, drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Kosovës për Administratë Publike në Prishtinë, Refike Sulqefci theksoi se si institucion janë të obliguar t’i trajnojnë të gjithë shërbyesit civilë, por ndonjëherë ka pengesa dhe nuk mund të arrihet që të gjithë të trajnohen.

Drejtues të KRPP-së theksuan se kanë dizajnuar një proces të trajnimit dyditor, i cili përfshin njohuritë themelore dhe të domosdoshme për biznese dhe shoqëri civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat