AAK prezanton kandidatët për kryetar të Gjakovës dhe Pejës

Aktuale

AAK prezanton kandidatët për kryetar të Gjakovës dhe Pejës

Më: 16 gusht 2017 Në ora: 12:43
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar kandidatët për kryetar të komunës

(E plotësuar) - Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kandiduar për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Gjinin, ndërsa për kryetar të Pejës, Fatmir Gashin.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj iu ka dorëzuar kandidaturat për kryetar të komunës së Gjakovës, Aridan Gjinit dhe atij për kryetar të Pejës, Fatmir Gashit, duke i cilësuar si dy komuna të rëndësishme për Kosovën.

Ai tha se kandidati i nominuar për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini ka njohje të shumta jo vetëm për qeverisje por edhe për politikën dhe ka një dashuri të madhe për vendlindjen e tij, Gjakovën.

Haradinaj: Gjini ka një dashuri të madhe për Gjakovën

“Arsyeja  e takimit tonë me ju sot është nominimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të kandidatëve për kryetar prej dy prej komunave me rëndësi të madhe për Kosovën, është për Gjakovën dhe Pejën.....Ardian Gjini përpos aftësimeve profesionale, master në Angli ka njohje të shumta temave jo vetëm në qeverisje por edhe politike e ka një dashuri të madhe për vendlindjen  e vetë, për Gjakovën, për njerëzit e Gjakovës”, tha ai.

Ndërsa për, Fatmir Gashin, Haradinaj tha se është një mundësi shumë e mirë për Pejën, për një zhvillim të hovshëm ekonomik.

Ndërsa, kandidati i nominuar për kryetar të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se shumë shpejtë Ramush Haradinaj do vijë si kryeministër.

Për Gjakovën tha se motivi kryesor i tyre është bashkimi i qytetarëve të Gjakovës dhe  ngritja në këmbë e kësaj komune.

Gjini: Motivi jonë kryesor është t’i bashkojmë qytetarët e Gjakovës

“Kosova, vendi jonë ka nevojë për një kryeministër si Ramush Haradinaj edhe po vjen shpejtë, mendoj që shumë shpejtë qytetarët kanë me pa që munet me ndodh diçka mirë në këtë vend se kanë nisur me e humb besimin .....Për Gjakovën po e them kështu kushti i parë për me bo diçka në një vend është me i bo njerëzit bashkë jo me  nda, jo me i qa, jo me i prish mes veti. Nuk mundet ma pas kurfar zhvillimi aty ku dikush punon me i bo njerëzit mos me dashtë njëri tjetrin, motivi jonë kryesor në Gjakovë ka me qenë me i bo bashkë të gjithë banorët e komunës së Gjakovës edhe me qu në këmbë njërën prej komunave e cila ka qenë motor i zhvillimit në Kosovë“, tha ai.

Kandidati nga AAK për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi duke akuzuar qeverisjen aktuale të këtij qyteti, tha se me qeverisjen e tij në këtë komunë, Peja do të bëhet një qytet i rëndësishëm ekonomik e kulturor për Kosovën.

Gashi: Pejë do bëhet qytet i rëndësishëm ekonomik e kulturor

“Pejën e cila në katër vjet që kaluan u degradua, Peja në të cilën qytetari e humbi dinjtetin, Pejë në të cilën duhet të kthehet perspektiva, duhet të ndalet eksodi dhe duhet të kthehet zhvillimi. Peja në fund të mandatit do të jetë një qytet i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, qytet i rëndësishëm kulturor, historik se e ka historinë e vetë e ka trashëgiminë e vetë kulturore të cilën e mbuluar me godina, me dhe, dhe nuk lënë t’i zbulojnë, Peja e cila do të jetë edhe atraksioni turistik i Kosovës” ,tha ai.

Sa i përket kandidimit të Daut Haradinaj për kryetar të Deçanit, lideri i AAK-së, ka thënë se janë në fazën e diskutimeve dhe shumë shpejt do të vendoset edhe për këtë komunë. 

Haradinaj: Shumë shpejt do të ketë një qartësi politike

Kandidati për kryeministër nga koalicion PAN, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se institucionet e vendit do të formohen brenda një afati kohor prej dhjetë ditësh, ndërkohë që seanca e ardhshme konstituive është caktuar për datën 24 gusht.

Ai ka thënë në një konferencë për media ku janë prezantuar dy kandidatët e AAK-së për kryetar të Gjakovës dhe Pejës, se tani janë në periudhën finale dhe se shumë shpejt do të ketë një qartësi politike.

Haradinaj: Jemi në periudhën finale

“Për fat jemi tash në periudhën finale edhe besoj që nuk do të shkojë  shumë kohë, për të humbur shumë kohë  të fillojmë me punë, pra jemi në konsulta finale për të vazhduar me punë. Tani mendoj që një qartësi politike do të vijë shumë shpejt në atë afat kohor, një qartësi politike, implementimi mund të merr ta zëmë sikurse e dimë është seanca për Kuvendin, pastaj seanca për qeverinë, por mendoj që një qartësi politike do të vijë më shpejt”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së konsideron se negocimet për formimin e institucioneve kanë dalë më të komplikuara sesa që ishte është menduar për shkak të bojkotimit të takimeve konsultuese ndërmjet partive politike.

Haradinaj: Ishim më të interesuar se sa për bazat numerike

“Zhvillimet edhe negocimet për institucionet e vendit mua po më vjen keq që dolën më të komplikuara se sa që është pritur. U bë një presion i habitshëm bojkotues edhe i konsultave, edhe i takimeve, por edhe arsyeja pse ndoshta mori më shumë kohë  është se ishim të interesuar për një bazë më të gjerë  jo vetëm numerikisht,  ashtu ta quaj 61 votë, por për një bazë më të gjerë”, tha ai.

Ndryshe, në takimin e sotëm konsultativ ndërmjet partive politike, në të cilën nuk mori pjesë Vetëvendosje, u vendos për propozimin e koalicionit PAN që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet më 24 gusht

Këta janë kandidatët e AAK-së për Gjakovë dhe Pejë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka prezantuar kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës dhe Pejës.

Për komunën e Gjakovës kandidati i nominuar për kryetar nga AAK është Ardian Gjini, ndërsa për Pejën është kandiduar, Fatmir Gashi.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se ka nderin që ka prezantuar këta dy kandidat për dy komuna të rëndësishme siç janë Gjakova dhe Peja.

Ndërkaq Ardian Gjini, tha se shumë shpejt Ramush Haradinaj do të vijë si kryeministër i vendit ndërsa ai si kryetar i Gjakovës do të bëjë bashkimin e qytetarëve të këtij qyteti.

Ndërkaq, kandidati i nominuar për kryetar të Pejës, Fatmir Gashi, tha se qytetin e Pejës do ta kthejë në një destinacion turistik të rëndësishëm për vendin si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat