“Ramush, fillo nga e para! Askush nuk e lëndon UÇK-në më tepër se sa vet eprorët e saj”

Aktuale

“Ramush, fillo nga e para! Askush nuk e lëndon UÇK-në më tepër se sa vet eprorët e saj”

Nga: Bota sot Më: 20 gusht 2017 Në ora: 10:47
Ramush Haradinaj

Opinionisti Islam Fejzullahu, në një shkrim autorial të dërguar në redaksinë e gazetës “Bota sot”, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ka bërë thirrje të mos lëndohet UÇK-ja, pasi sipas tij, sot jemi të lirë falë saj.

“Mua më vjen keq që Kosova nuk ka qenë shtet më funksional që me iu dhënë ushtarëve ndonjë punë, e jo me mbet sikur kanë mbetë. Krimet e pas luftës duhet me e dit gjykata, unë nuk e di që kanë bërë krime ushtarët pas luftës. Ndonjë gabim edhe mundet me ndodhë, por çka kemi mujt me bë ne në Deçan, Pejë e Gjakovë, krejt të djegura? Mos e lëndoni UÇK-në, sepse je i lirë falë asaj dhe nëse e ofendon atë mund ta humbësh lirinë”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë të fundit për mediat në Kosovë.

Por, sipas opinionistit Fejzullahu, UÇK-në nuk e lëndon askush më shumë se sa vet eprorët e saj, përcjell Bota sot.

Në shkrimin e tij, ai ndër të tjerash ka theksuar se kur Kosova përjetonte akoma tmerrin e luftës, nën emblemën dhe keqpërdorimin e emrit të UÇK-së uzurpohej gjithçka.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e tij të plotë:

Askush nuk e lëndon UÇK-në më tepër se sa vet eprorët e saj

Reagim në opinionin e gjeneral Haradinajt lidhur me deklaratën e tij, gjeneral fillo nga e para!

Që nga themelimi i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare, e cila përfaqësohej nga të gjitha trojet etnike, fillimisht nga bartësit e veprimtarisë antikomuniste të vitetve të 80-ta, kombin tonë të përfaqësuar në atë ushtri e kanë drejtuar figura të njohura markante, të cilat sot shkrihen në bronzë dhe ruhen në historinë kombëtare për veprimtaritë e tyre. Lufta e fundit e imponuar pikërisht nga regjimi shekullor serb fillimisht në tërë territorin e ish-Jugosllavisë me parullën Serbi e madhe, me pasoja shumë të mëdha, e përfunduar në Kosovë për plot një dekadë në të gjitha trojet e ish Jugosllavisë, kombi shqiptar i shpërndarë në mbarë botën filloi t’i përgjigjej kushtrimit të atdheut-Dardanisë për një qasje ndryshe sundimit shekullor serb, dhe falë pikërisht djemve dhe vashave tona nga mbarë trojet etnike kombi shqiptar, me ndihmën e mikut të devotshem SHBA , që bëri historinë e re kombëtare!

Fillimisht në Kosovë u rreshtuan në radhët e ngjeshura të UÇK që nga matan Atlantikut, mbarë Evropa e deri tek çdo lagje e të gjitha trojeve etnike-Ilirike, të cilët kishin të vetmin kushtrim dhe qëllim, lirimin e trojeve dhe bashkimin e trojeve etnike! Aleanca mike e kombit shqiptar, e prirë nga SHBA-të, i dhanë një sinjal rinisë mbarëkombëtare se jemi krah jush me çka dëshmuan plotë 78 ditë pa rreshtur sulme mbi caqet serbe dhe forcat paramilitare, mercenare, ushtarako-policore të armikut të përbashkët të ish-Jugosllavisë tani të dislokuar në trojet etnike; Kosovë, Kosovën lindore dhe Iliridë (Maqedoni).

Vlen të theksojmë se këto forca të UÇK të grupuara nën ombrellën e popullit si ushtri e dal nga populli gëzoi përkrahjen dhe mbështetjen gjithpopullore me të gjitha mundësitë, kapacitetet dhe shansat që u jepeshin popullit që të ndihmohej UÇK-ja.

Pas kapitulllimit të forcave armike, fillimisht në Kosovën e djegur, të përgjakur, të dhunuar, të shkatërruar sikur devijoi në një masë forca popullore (UÇK), sepse në emër të tyre dhe për veprimtaritë e tyre, filluan të ndodhin shume pakënaqësi, peripeci fillimisht në emër të UÇK-së dhe nën emblemën e UÇK filluan keqpërdorime të shumta?

Kosova përjetonte akoma tmerrin e luftës, ndërsa nën emblemën dhe keqpërdorimin e emrit të UÇK-së uzurpohej gjithçka (pasuri e luajtshme dhe e pa luajtshme), me çka filloi një ftohje e rëndë e popullit, të cilën e dëshmuan qysh në zgjedhjet e para zyrtare të lira në Kosovë!

Me keqardhje po e cekim dhe në jetën time deri më tani vetëm në Kosovë ndodhë një histori e mbrapshtë; populli ia kthen shpinën ushtrisë çlirimtare(bijve dhe bijave të veta) pikërisht në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike pas lufte dhe këtë pikërisht me te vetmin pretekst: Keqpërdorimi i emblemës dhe emrit të UÇK-së fillimisht nga eprorët e UÇK-së me pastaj edhe e të njerëzve të pandergjegjshëm pjesë e popullit?

Ndryshuan rrethanat, qasjet për të cilat nuk dëshiroj të vazhdoj, ngase çdo ditë dhe në çdo cep e kënd medial janë të stërmbushura lajme, akuza, informacione për pjesëtarët e UÇK-së dhe rreth pjesëtarëve të UÇK-së dhe veprimtarisë së tyre pas lufte kryesisht, por do ta dëshmoj koha me keqardhje po e them se vet pjesëtarët dhe eprorët e UÇK-së, bënë lëndimet dhe ofendimet më të rënda për UÇK-në dhe në emër të UÇK-së. Përkulem para Zotit dhe para deshmorëve dhe të rënëve të UÇK-së, ndërsa atyre të cilët e keqpërdoren dhe e lënduan emblemën dhe UÇK-në, t’u mbetet në ndergjegjën e tyre, historia do t’i dënojë sikur edhe dënimi i Zotit do t’i gjejë./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat