Kjo është arsyeja pse Gjykata Speciale ende nuk mund t’i ngritë aktakuzat

Aktuale

Kjo është arsyeja pse Gjykata Speciale ende nuk mund t’i ngritë aktakuzat

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 gusht 2017 Në ora: 07:17
ilustrim

Gjykata Speciale në Hagë ka rinisur punën e saj pas dy javë pushim. Vendimi për pauzën dyjavore të kësaj Gjykate, vendimi ishte marrë më 7 korrik, sipas të cilit, e gjithë gjykata kishte shfrytëzuar pushimin veror në të njëjtën kohë.

“Periudha e pushimit veror të Dhomave të Specializuara të Kosovës zgjati nga 24 korriku 2017 deri më 11 gusht 2017”, është thënë nga kjo gjykatë dje për mediat.

Pushimit i kishte paraprirë miratimi i Rregullores së Procedurës dhe Provave edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, që ishte hapi i fundit që do t’i çelte rrugën Gjykatës që të fillojë të pranojë aktakuzat e para nga Prokuroria.

Por, a do t’i ngrit aktakuzat e para gjatë këtij muaji Gjykata Speciale?

Në lidhje me këtë, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar avokatin Adrian Gjoshi.

Image
Adrian Gjoshi

Ky i fundit ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk mund t’i ngrisë aktakuzat, pasi pavarësisht hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave, ka ende pengesa procedurale.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ende nuk mund t’i ngrisë aktakuzat. Pavarësisht hyrjes në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe Provave, prapëseprapë, ka pengesa procedurale për t’u ngritur aktakuzat. Kjo, sepse sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, do të miratohet një ‘Direktivë për Avokatët’, ku do të caktohen kushtet dhe kriteret e nevojshme që avokatët duhet t’i plotësojnë për të pasur mundësi për t’i ofruar shërbimet e tyre juridike”, ka sqaruar Gjoshi.

Ai ka theksuar se asnjë aktakuzë dhe asnjë arrestim nuk do të mund të bëhet pa u miratuar, shpallur dhe hyrë në fuqi “Direktiva për Avokatët”.

“Vetëm pas pranimit në këtë regjistër nga paneli, avokatët do të mund të përfaqësojnë. Pra, qoftë ne si avokatë të brendshëm, qoftë avokatët ndërkombëtarë, duhet të aplikojnë dhe të pranohen nga paneli. Përfundimisht, meqenëse për këto vepra penale mbrojta është e detyrueshme, me fjalë të tjera, i akuzuari duhet patjetër të ketë avokat. Asnjë arrestim dhe asnjë aktakuzë nuk do të ngritet pa u miratuar, shpallur dhe hyrë në fuqi kjo directive”, është shprehur avokati Gjoshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat