Hashim Thaçi me diplomë universitare false, dyshime të bazuara për Presidentin!

Aktuale

Hashim Thaçi me diplomë universitare false, dyshime të bazuara për Presidentin!

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 23:40
Hashim Thaçi

Gazetari Kastriot Myftaraj ka publikuar një hulumtim nga gazetari Ali Ukaj, i cili kishte lidhje të mira në Tiranë, dhe që ka qenë duke zhvilluar një investigim për blerjen e diplomave dhe të gradave e titujve shkencorë nga shqiptarët e Kosovës në Tiranë.

Ai thotë se vrasja e Ali Ukajt është një ngjarje që quhet closed room mystery.

Mystafarj përmes një shkrimi thotë se Ukaj dhe Thaçi gjendeshin në të njëjtin apartament; askush prej tyre nuk kishte dalë, askush nuk kishte hyrë, e megjithatë të nesërmen Ukaj u gjend i vrarë duke qenë më parë i torturuar.

Shkrimi i plotë:

Në jetëshkrimin zyrtar të Thaçit në faqen elektronike të Presidentit të Kosovës, natyrisht të shkruar nga ai në vetën e tretë, thuhet se: “Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, z. Hashim Thaçi me sukses të lartë i përfundon studimet në degën e Historisë. Në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996), i ndjek studimet postdiplomike në lëmin e historisë së Europës Juglindore dhe shkencave politike deri në fillim të vitit 1998.”

Nga sa thuhet më lart, kuptohet se Hashim Thaçi ka diplomuar për Histori në Universitetin e Pishtinës, në 1993 dhe me këtë diplomë universitare është paraqitur në 1996 në Universitetin e Zurich (Cyrih) në Zvicër, ku është regjistruar si student pasdiplomik për master, dhe ka ndjekur studimet në periudhën 1996-98. Vini re: Në jetëshkrimin zyrtar nuk thuhet që Thaçi të ketë marrë gradën shkencore master në Universitetin e Cyrihut, por vetëm që ka ndjekur studimet pasdiplomike gjatë një periudhe kohe aq sa zgjatin studimet për master.

Por në Universitetin e Cyrih nuk pranohej diploma e një Universiteti zyrtarisht joekzistent si ai i Prishtinës, i cili ishte mbyllur me vendim të autoriteteve serbe që në 1991. Prandaj Thaçi paraqiti në Universitetin e Cyrihut një diplomë të rreme të Universitetit të Tiranës. Por megjithatë Hashim Thaçi nuk e përmend kurrë se ai është diplomant i Universitetit të Tiranës. Thaçi u regjistrua në Universitetin e Cyrihut që të siguronte qëndrimin e përkohshëm në Zvicër.
Kur do të botohej Fjalori Enciklopedik Shqiptar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, në 2009, autori i deklaruar i jetëshkrimit të Hashim Thaçit, Haki Kasumi, nga Instituti i Historisë i Prishtinës, u bë burim anekdotash pasiqë e përcolli procesin teknik deri në faqosjen e librit dhe prodhimin e tij në shtypshkronjë për të parë se mos ndryshohej ndonjë detaj në jetëshkrimin e Kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, që ishte pikërisht Hashim Thaçi. Merret vesh, jetëshkrimi ishte shkruar sipas udhëzimeve të vetë Thaçit, çka duket qartë nga përmbajtja e tij. Por ironia është se jetëshkrimin e kishte ndryshuar vetë Thaçi, krahasimisht me versionin zyrtar që ka publikuar në faqen elektronike të Qeverisë së Kosovës dhe që ishte i njëjtë si atëherë dhe sot. Sipas jetëshkrimit zyrtar të Hashim Thaçit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), thuhet se Thaçi: “Kreu shkollën e mesme në Skënderaj dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Fakultetin e Historisë të UP (1993)”. (“Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Botim i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2009, vol. 3, f. 2771)

Këtu bie në sy se nuk thuhet asgjë se për çfarë diplomoi Thaçi. Madje, në jetëshkrimin e Thaçit të botuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar në 2009, nuk thuhet që deri më atëherë ai të kishte kryer studime pasuniversitare.

Në shkurt 2014, me rastin e protestave studentore për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili mbrohej nga Qeveria, Hashim Thaçi tha me kërcënim: “Jemi dëshmitarë që nga viti 1991, edhe në kohën kur jemi pavarësuar si universitet, ka pasur politikë.

Ka pasur edhe të atillë që pa fakultet, kanë kryer magjistraturë, pa shkollë fillore kanë kryer fakultet. Titujt shkencorë që nga viti 1991, më shumë kanë qenë politikë se sa shkencorë. Nuk po flas me emra, të gjitha partitë politike e dinë vetë. Nëse janë bërë akademikë me plagjiaturë, duhet t’iu vijë turp nëse flasin këtu. Ata janë nga të gjitha partitë politike. Unë nuk po flas për asnjë parti politike apo person. Ju bëj thirrje që ta bëjnë së bashku të kërkojnë verifikimin e titujve shkencorë që nga viti 1991.”

Thaçi do të bënte mirë që ta niste transparencën nga vetja duke treguar të vërtetën e diplomës dhe gradës së të tij shkencore. Por duket se edhe Thaçi “e di vetë” nëse shprehem sipas asaj që ai tha më lart.
Hashim Thaçi, në jetëshkrimin e vet zyrtar qeveritar, të cilin e kam cituar më lart, thotë se ai ka bërë studime pasdiplomike në Universitetin e Cyrihut që nga viti 1996 deri në fillim të vitit 1998. Nëse është kështu si shpjegohet që në qershor 1997 Thaçi gjendej prej muajsh me banim në Tiranë, në të njëjtin apartament me gazetarin Ali Ukaj?

Ali Ukaj, një gazetar me lidhje të mira në Tiranë, ndër të tjera ishte duke zhvilluar një investigim për blerjen e diplomave dhe të gradave e titujve shkencorë nga shqiptarët e Kosovës në Tiranë. Vrasja e Ali Ukajt është një ngjarje që quhet closed room mystery. Ukaj dhe Thaçi gjendeshin në të njëjtin apartament; askush prej tyre nuk kishte dalë, askush nuk kishte hyrë, e megjithatë të nesërmen Ukaj u gjend i vrarë duke qenë më parë i torturuar.

Mjafton që opozita të krijojë një komision hetimor parlamentar për të hetuar cështjen e shkollimit të Presidentit Thaçi, të cilit komision Thaçi është i detyruar që t’ i japë shpjegime dhe gjithçka do të zbulohet zyrtarisht. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat