“Luzerner Zeitung”: Thaçi dhe Haradinaj duhet t’i durojnë akuzat e rënda nga Gjykata Speciale

Aktuale

“Luzerner Zeitung”: Thaçi dhe Haradinaj duhet t’i durojnë akuzat e rënda nga Gjykata Speciale

Nga: BOTA SOT Më: 8 shtator 2017 Në ora: 19:20
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

“Presidenti dhe kryeministri i qeverisë së re duhet t’i durojnë akuzat e rënda,” shkruan në numrin e sotëm (8 shtator) gazeta zvicerane “Luzerner Zeitung”.

Albin Kurti shihej si kryeministri i ri. 42 vjeçari, dikur udhëheqës i protestave studentore, në fakt ishte fituesi i zgjedhjeve të 11 qershorit: opozita e tij nacionaliste Vetëvendosja fitoi 27.5% të votave dhe e vetme ishte partia më e votuar në shtetin e vogël shqiptar. Megjithatë nuk erdhi deri te një koalicion me partinë e deritanishme në qeveri, LDK. Pra nuk ka fillim të ri për Kosovën, që nga fundi i luftërave për pavarësi nga Serbia 1999, është udhëhequr nga ish komandantët e rebelëve. Ata e sigurojnë pushtetin përmes një rrjeti të klanit mafioz. Më i pushtetshmi është Hashim Thaçi, ish kryeministër dhe momentalisht president.

Figura më e kontestuar është shefi i ri i qeverisë Ramush Haradinaj. Famulltari i mafias në provincën perëndimore, ishte gjatë vitit 2004/2005 vetëm tre muaj kryeministër, pasi më vonë duhej të përgjigjej për akuzat në Tribunalin e Hagës. 49 vjeçari dhe ish komandanti i UÇK, për mungesë provash, është lëshuar dy herë në liri. Megjithatë dhunimi dhe vrasjet e të burgosurve si dhe frikësimi i dëshmitarëve dhe vrasjet me porosi janë akoma të pazbardhura. Ish akuzuesja, zviceranja Carla Del Ponte, ishte e bindur për fajësinë e Haradinaj.

Megjithatë gjithë kjo nuk ka përfunduar pasi në nëntor mund të dalin akuzat e para nga Gjykata Speciale për shumë figura të larta të UÇK, mes tyre edhe për Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj. Një pjesë e ish udhëheqësve akuzohen edhe për trafikim të drogës dhe organeve.

Media zvicerane në fund shkruan se Haradinaj akuzohet si kriminel lufte nga Serbia, që tani duhet ta pranojë si partner bisedimesh. Vëzhguesit nuk përjashtojnë mundësinë që dialogu i inicuar nga SHBA dhe BE, mes Kosovës dhe Serbisë, të dështojë. Partia qeveritare “Lista serbe” është e detyruar të ndjek vetëm udhëzimet nga Beogradi./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat