Haradinaj i “ikë” debatit, LDK e VV me akuza të ashpra ndaj Qeverisë

Aktuale

Haradinaj i “ikë” debatit, LDK e VV me akuza të ashpra ndaj Qeverisë

Nga: Bota sot Më: 10 shtator 2017 Në ora: 07:37
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se beson shumë që ka një marrëveshje politike mes kryemininistrit Haradinaj dhe Listës Serbe, në mënyrë që ata ta jepnim votën e tyre për të.

Ai ka thënë se para pesë-gjashtë muajve kanë qenë Vuçiq, Daçiq e Gjuriq e të tjerët që kanë kërkuar ekstradimin e Haradinajt në Serbi pas ndalimit në Francë.

“Kemi shumë pyetje për Haradinaj, dilema jonë më e madhe është se çka fshihet pas marrëveshjen me Listën Serbe”.

“Para pesë gjatë muajve Vuçiq, Daçiq e Gjuriq kërkonin ekstradimin e Haradinajt, e pse tash e votuan. Nuk e besoj se kjo është arritur pa ndonjë marrëveshje politike”.

“Nuk them se Haradinaj bën tradhti kombëtare, por që marrëveshjet e arritur mund të shkaktojnë dëme të mëdha për Kosovën”, ka shtuar ai para gazetarëve.

Sipas tij Qeveria Haradinaj është e para që varet direkt nga Lista Serbe dhe Beogradi.

“Fatin e vendit tonë nuk guxoja ta lëmë në duar e presidentit të një vendi fqinj”, ka shtuar ai.

Avdullah Hoti ka disa pyetje për Ramush Haradinajn

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Ramush Haradinajn se për hirë të postit të kryeministrit ka bërë lëshime të shumta në qeverinë e tij. Me këtë rast, Hoti i ka parashtruar disa pyetje kryeministrit të ri.

“Ai e ka pasur mision të jetës vetëm për tu bërë kryeministër. Për të, asgjë tjetër nuk është e rëndësishme. Si do të vazhdojë rritjen e zhvillimit ekonomik? Si do të mbaj relacionit me Brukselin dhe FMN-n?Ai nuk ka dhënë përgjigje as si do ta themelojë ushtrinë e Kosovës, duke parë rolin e Beogradit tani? Si do ta zgjidh Demarkacionin? Si do ta udhëheq dialogun me Serbinë? Ne, LDK-ja, do të jemi gardian të Kosovës edhe në këtë Qeveri. Para 27 viteve ne kemi nisur rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe ne do ta përmbyllim”, ka thënë Hoti.

‘Përlahen’ Hoti dhe Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ia ka ndalur fjalën shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Veseli e ka bërë këtë veprim me arsyetimin se ka shpenzuar 10 minutat e tij. Me këtë rast, Hoti nuk është larguar nga foltorja dhe kanë shkëmbyer shumë fjalë me kryetarin e Kuvendit.

Milaim Zeka përjashtohet nga seanca për shkak të fjalorit

Milam Zeka është përjashtuar nga salla ku po mbahej seanca e jashtëzakonshme për shkak të fjalorit banal që ai po e përdoret në fjalimin e tij para deputetëve.

Kadri Veseli në cilësinë e Kryeparlamentarit ka kërkuar që Zeka ta lëshojë sallën pasi fjalori i tij sipas Veselit nuk përkonte me vendin ku ishin.

Hoti: Qeveria e re me pesë kryeministra

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria e re është formuar duke rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ai përmend marrëveshjes mes PAN dhe AKR ku theksohet se Behgjet Pacolli mund të shkarkojë ministrat e partisë së tij.

“Vetëm kryeministri mund të shkarkojë ministrat e jo sipas marrëveshjes së koalicionit ku këtë mund ta bëjnë shefat e partive”.

“Kjo është qeveri me pesë kryeministri”, ka thënë ai.

“Kjo është qeveri biznesore”, ka shtuar ai.

“Haradinaj duhet të përgjigjet para qytetarëve se çfarë u ka premtuar Listës Serbe, si janë dakorduar për asociacionin. Ky koalicion i mbulon me turp akterët që janë aty”.

“Kjo marrëveshje biznesore është arritur në bazë për përfshirjes së presidentit. Ai ka dialoguar me Vuçiqin për këtë kohëve të fundit. Mision i jetës së Haradinajt ka qenë se si të bëhet kryeministër”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se si LDK do të bëhen gardian të Republikës.

Ndërpritet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Vetëvendosje dhe LDK-ja është ndërprerë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Për këtë është arritur një pajtueshmëri ndërmjet deputetëve të opozitës që ishin prezent në sallë e që munguan ata të PAN-it.

 Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti kërkoi që sot të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe që të martën të vendoset për seancë.

***

Milaim Zeka, nga Nisma për Kosovën, si i vetmi deputet pjesëmarrës në seancën e jashtëzakonshme, ka lëshuar kritika të shumta ndaj PDK-së dhe LDK-së.

Ai i quajti LDK-në dhe PDK-në si partitë që i kanë shkaktuar më së shumti dëme Kosovës.

Zeka iu drejtua deputetëve të partive opozitare, duke i  quajtur maskarenj.

“Këta janë maskarenjë”, tha ai.

Madje, fjalori i tij edhe më tutje duke iu drejtuar deputetëve të LDK-së të cilëve u tha:

“Nëse ne e kemi kthyer kokën kah Beogradi, ju them se ju ia keni kthyer b*th*n Beogradit”.

Deputeti i koalicionit të mazhorancës tha se vjen nga fshati Obri, i cili 100 njerëz të vrarë, në mesin e të cilëve edhe nënën e ka të vrarë.

“Abuzimi që po na bëhet neve se gjoja ne kemi rënë në prehrin e Vuçiqit është abuzim fyes”, ka thënë Zeka.

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ia ka ndalur fjalën Milaim Zekës, duke thënë se nuk do të lejojë fyerje familjare, njerëzore dhe ligjore, pasi vetëm për pushtet u bëmë turp para qytetarëve.

Ai ka lutur të gjithë deputetët që mos e abuzohet me Kuvendin.

Milaim Zeka me fjalë të vrazhda ndaj LDK-së, Veseli ia ndërpret fjalën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ia ka ndërprerë fjalën deputetit Milam Zekës, për shkak të fjalorit që ai ka përdorur gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga Opozita.

“Ju jeni shkaktarë PDK dhe LDK që e keni shkatërru këtë vend, ju hiç mos folni, sallamadi e keni bo këtë vend”.

“Ata që mendojnë që ne disa deputetë e kena kthy krytë kah Beogradi, në qoftë se unë e kam kthy krytë kah Beogradi, ju e keni kthy b***** kah Beogradi”.

Hoti: Çfarë i premtuat Listës Serbe në këmbim të votës?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të errët, pas 3 muaj vonesë janë themeluar institucionet e vendit përmes tri metodave secila më e dëshmshme dhe e turpshme se tjetra.

“Nga sot vendi po hynë në krizë të përgjithshme, të degradimit institucional të Kosovës. Kjo është fatkeqësi për veëndin për këtë koalicion qeverisës”, ka thënë Hoti gjatë seancës parlamentare.

Sipas tij është e pafalshme që të kthehent ndikimi i plotë i Beogradit. Qytetarët e Kosovës nuk do  të falin këta njerëz që shiten si çlirimtartë.

“Puna e luftimit të korrupsionit nuk është kryer përfundimisht, LDK bashkë me qytetrët nuk do të lejohnë këtë qeveri të kthejnë vendin mbrapa”, ka theksuar ai.

Hoti është shprehur i bindur  se partia e tij do të fitojë luftën për të rrëzuar këtë qeveri.

“LDK bashkë me qytetarët nisin luftën për rrëzimin e kësja qeverise dhe do të luftojmë për zgjedhjet e reja”, ka shtuar ai.

Hoti ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj të tregojë se çfarë i ka premtuar Listes Serbe në këmbim të votës.

Image
Avdullah Hoti

“Shpërthen” Kurti: Me çfarë fytyre ia dhatë bujqësinë Listës Serbe – turp t’iu vie

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti ka kritikuar Qeverinë Haradinaj që sipas tij ia kanë dhënë Listës Serbe Ministrinë e Bujqësisë.

Kurti tha me këtë veprim, Qeveria ia fali çelësat e hambarit Serbisë që nuk ka kërkuar asnjëherë për veprimet e saj në Kosovë.

 "Duke ditur këto këta vendosen ta bëjnë Ministër të Bujqësisë jo një serb, por një përfaqësues direkt të Beogradit. Këta kanë vendosur që Beogradit pasi që ja falën tregun e ushqimeve të Kosovës t'ia japin edhe çelësat e hambarit që është bujqësia, atij Beogradit që kurrë nuk ka kërkuar falje për projektet e veta spastruese gjatë gjithë shekullit të kaluar, atij Beogradi që kurrë nuk ka kërkuar falje për krimet. Hipokrizia më e madhe është se e gjithë kjo qeveri që u bë qeveri e sekserëve, në fushatë kanë thënë se do t'i marrin votat e fermerëve dhe bujqve të gjithë këta kanë premtuar fonde pa fund për bujqësinë, e tani bujqësinë ia kanë dorëzuar Listës Serbe, turp duhet t'iu vije", tha Kurti.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër qeverinë e re të Ramush Haradinajt, për faktin se ministrinë e Bujqësisë ia kanë lënë një ministri serb nga Lista Serbe.

Kurti, ka thënë në seancën e jashtëzakonshme, se ky është turp për qeverinë e re dhe ajo po e humb pavarësinë e Kosovës e po e kthen autonominë.

“Këta kanë vendosur që Beogradit, pasi që ia falën tregun e Kosovës, t’ia japin edhe çelësat e hambarit, që është bujqësia. Hipokrizia më e madhe është që e gjithë kjo qeveri e sekserëve, në fushatë patën thënë se do t’i marrin votat e fermerëve, tani bujqësinë ua kanë dorëzuar listës serbe, turp t’u vije”.

“Me cilin moral ua kanë dorëzuar Listës Serbe këtë ministri. Me çfarë fytyre do shkojnë në fshatra t’u tregojmë atyre që fondet për bujqësi ua kanë dorëzuar Listës Serbe”.

“Kosova me këtë qeveri po e humb pavarësinë e po shkon drejt autonomisë”.

Kurti paralajmëron veprime nëse qeveria e sjellë Demarkacionin në Kuvend

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvend, e ka paralajmëruar Qeverinë e re të Ramush Haradinajt që të mos i sjellë në Kuvend temat e mëdha, siç është demarkacioni, pasi që ajo është qeveri e dobët.

Madje Kurti ka thënë se, nëse Demarkacioni do të vijë sërish në Kuvend, ata do ta ndalin, duke shtuar se tash është opozitë edhe më e fortë.

“Mos na sillmi tema të mëdha në Kuvend, sepse jeni qeveri e dobët. Mos provoni të na sillni demarkacionin në Kuvend, sepse ne do t’ju ndalim, se jemi opozitë edhe më e forte”, ka thënë ndër tjera Kurti.

Milaim Zeka sërish “tradhton” koalicionin PANA

Milaim Zeka deputet i Nismës që ka garuar me koalicionin PAN është i vetmi që i është përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në seancë të jashtëzakonshme të ftuar nga opozita.

Asnjë nga kolegët e tij nuk i është përgjigjur ftesës për seancë e caktuar sot nga Kryesia e Kuvendit.

 LDK dhe VV kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për debatin e programit të Qeverisë e cila dje u votua me 61 vota.

Image
Miliaim Zeka

***

Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur me kërkesë të LDK-së dhe VV-së. Në të nuk po marrin pjesë partitë në pozitë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se ata do të merrnin pjesë, por seanca e sotme, sipas tij,  nuk meriton respekt, përcjell Bota sot.

Haradinaj: Seanca e sotme nuk meriton respekt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se sot nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, pasi dje ishin vet ata që kërkuan të ndërprehet debati.

“Dje ishte seanca për zgjedhjen e Qeverisë, sot na kanë njoftuar për një seancë të jashtëzakonshme, shumë e habitshme kjo festë  për shkak se kërkesa për ndërprerjen e debatit erdhi pikërisht nga opozita, kanë bërë 40 nënshkrime për një seancë e janë 31 deputet në sallë, ne nuk e vlerësuam këtë ftesë, do ta respektojmë Kuvendit por kjo e sotmja nuk meriton respekt”, tha ai.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës tashmë kanë filluar të hyjnë në sallën e Kuvendit të Kosovës ku pritet që të fillojë seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga deputetët e opozitës.

Në seancë tashmë kanë mbërritur deputetët e opozitës ndërsa ata të koalicionit PAN-AKR nuk kanë ardhur ende përveç kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

***

Seanca e jashtëzakonshme ka filluar të mbahet me kërkesë të opozitës.

Partitë opozitare LDK, Alternativa dhe Vetëvendosje kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me “parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, prezantuar në seancën e djeshme.

* * * * *

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që sot të mbahet seanca e jashtëzakonshme në ora 12:00 me kërkesë të opozitës.

Partitë opozitare LDK, Alternativa dhe Vetëvendosje kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me “parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, prezantuar në seancën e djeshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se do të ketë seancë me kërkesë të partive opozitare.

Veseli: Sot do të kemi menjëherë seancë me kërkesën e opozitës

“Sot do të kemi menjëherë seancë me kërkesën e opozitës së nderuar, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme dhe do të jetë, nuk do të veprojmë asgjë çka nuk është jashtë rregullores. Në të njëjtën kohë vullneti politik si kryetar i Kuvendit do të shkojmë deri në fund në mënyrë që të jetë e hapur salla e parlamentit për pozitë dhe opozitë barabartë”, tha ai.

Nga grupi parlamentarë i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se presin që në seancën që do të mbahet sot të marrë pjesë edhe Qeveria, pasi që kërkesa është bërë që të debatohet për programin që ka kjo Qeveri.

Konjufca: Presim qe të jetë prezentë edhe Qeveria

“Ne presim që aty të jetë edhe qeveria, sepse kërkesa është bërë që të debatohet lidhur me projektin që e ka kjo qeveri për qeverisjen e Kosovës, pra lidhur me platformën qeverisëse që ata e kanë prezantuar. Ju e keni parë atë draft platformë që quhet platforma për qeverisjen e Kosovës nga viti 2017 deri më 2021. Kështu që ne mendojmë që të diskutohet lidhur me këtë projekt të qeverisë dhe me siguri që Vetëvendosja dhe LDK-ja do ti japin mendimet e tyre gjatë seancës së jashtëzakonshme e cila mbahet pas një ore”, tha ai.

Ndërsa, nëse kabineti qeveritar nuk do të marrë pjesë në seancë, Konjufca tha se ky do të jetë një lajm shumë i keq për Kosovën që Qeveria ta fillonte ditën e parë të punës së vetë me papërgjegjësi.

Shefi i grupit parlamentar të  Lidhjës Demokratike e Kosovës dhe Alternativës, Avdullah Hoti, tha se dje është shkelur rregullorja e Kuvendit dhe si LDK do të marrin të gjitha masat ligjore për të dokumentuar këtë shkelje të rregullores.

Po ashtu, ai tha se edhe gjatë mbledhjes së kryesisë është tentuar që të shtyhet debati për qeverinë që është votuar dje.

Hoti: Edhe sot u tentua që të shtyhet debati

“Edhe sot në mbledhjen e kryesisë u tentua që të shtyhet debati për qeverinë që u votua dje në Kuvendin e Kosovës, për arsyen e thjeshtë sepse kjo është qeveri e arritur me pazare të ndryshme biznesore dhe politike pa asnjë program. Ne sot do të jemi në seancë, kështu u vendos sot me insistimin tonë në kryesi ku do të japim qëndrimin tonë si Lidhje Demokratike e Kosovës për ekspozenë e varfër që dje u prezantua para qytetarëve të Kosovës me rastin e votimit të qeverisë”, tha ai.

Gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës është votuar për qeverinë e Kosovës.

***

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga LDK dhe Alternativa dhe VV do mbahet sot në ora 12:00.

Lajmin e ka bërë të ditur Glauk Konjufca nga VV pas mbledhjes së kryesisë së Kuvnedit.

“Do të ketë seancë të jashtëzakonshme pas një ore, në orën 12:00, ne presim që aty do të jetë edhe qeveria”, tha ai.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur dhe ka shqyrtuar kërkesa e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-së, për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

VV dhe LDK kanë kërkuar që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme në ora 12:00, me arsyetim për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit, lidhur me programet programore të qeverisë së Kosovës 2017-2021.

Megjithatë tash do të dihet vendimin që kryesia ka marrë.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, ku do të shqyrtohet kërkesa e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes dhe LDK-së, për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

Kryesia do të mblidhet në ora 10:00, ndërsa në njoftim për mbajtjen e seancës thuhet “Shqyrtimi i kërkesës së grupit të deputetëve të Kuvendit për seancë të jashtëzakonshme”.  

VV dhe LDK kanë kërkuar që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme në ora 12:00, me arsyetim për shkak të mungesës së debatit në seancën e 9 shtatorit, lidhur me programet programore të qeverisë së Kosovës 2017-2021.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat