Ambasada e SHBA-së uron formimin e institucioneve, bën apel të respektohen votuesit

Aktuale

Ambasada e SHBA-së uron formimin e institucioneve, bën apel të respektohen votuesit

Nga: Bota sot Më: 11 shtator 2017 Në ora: 11:14
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie

Ambasada e SHBA-së, përmes një njoftimi për media, ka uruar formimin e institucioneve të Kosovës dhe ka uruar Veselin, Haradinajn dhe ministrat e zyrtarët tjerë të emëruar.

“Ambasada e SHBA-së mirëpret konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, dhe uron Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministrin Ramush Haradinaj, dhe ministrat dhe zyrtarët shtetërorë të sapoemëruar. Ne presim që të punojmë me qeverinë e re për të avancuar progresin e Kosovës për të mirën e gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Kosovën në shtegun e saj drejtë integrimeve Euro-Atlantike, forcimit të sundimit të ligjit, përmirësimit të zhvillimit ekonomik, dhe normalizimit të marrëdhënieve rajonale.

“Qytetarët dëshirojnë institucione shtetërore që punojnë për ta, një qeveri me duar të pastra, dhe një udhëheqësi që ndërmerr veprime vendimtare për të shtyer përpara interesat dhe mirëqenien e Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. Apelojmë te të gjithë udhëheqësit e Kosovës – në Qeveri dhe në Kuvend, përfshirë partitë opozitare – që të respektojnë votuesit që i zgjodhën duke i marrë këto parime si udhërrëfyes”, përfundon njoftimi nga Ambasada Amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat