Haradinaj shkarkoi kundërligjshëm Komisionin për Demarkacion (Dokument)

Aktuale

Haradinaj shkarkoi kundërligjshëm Komisionin për Demarkacion (Dokument)

Më: 13 shtator 2017 Në ora: 13:52
Ramush Haradinaj

Me vendimin e parë të tij si kryeministër, Ramush Haradinaj duket se ka bërë shkelje ligjore. I pari i ekzekutivit po del se kundërligjshëm ka shkarkuar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Duke mos pasur shumë njohuri për punët institucionale, Haradinaj ka marrë vendimin për shkarkimin e komisionit duke shkelur Rregulloren QRK nr. 17/2013 për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, të miratuar me vendimin nr. 03/140, më 17 korrik 2013.

Sipas kësaj rregulloreje, Qeveria me vendim mund t’i shkarkojë kryesuesin dhe anëtarët e komisionit para kryerjes së mandatit vetëm nëse janë dënuar për vepër penale apo paraprakisht u është kërkuar me shkrim dhe argumente llogari.

Por, në rastin konkret nuk është vepruar me ndonjërën prej pikave të parapara në nenin 13 të saj.

Këtë e thonë edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ish kryeministri Isa Mustafa shkarkimin e komisionit për demarkacion me Malin e Zi nga kryeministri Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si vendim më shumë demonstrativ, se sa një veprim me logjik shtetërore.

“Në këtë rast do të duhej ta thërret komisionin, të kërkojë llogari prej tyre, pas asaj të komunikojë me Malin e Zi dhe pastaj ta çojë në qeveri. Kjo më shumë është bërë për publik, realizim i disa zotimeve”, ka thënë ai.

Gecaj kërkon të hetohet “shkarkimi” i Mehës

Ndërkaq, bashkë partiaku i tij, Bajram Gecaj, tërë këtë e ka vlerësuar si spektakël medial.

Ai ka thënë se Haradinaj nuk ka pasur as kë të shkarkoi, pasi kryesuesi e komisionit, Murat Meha kishte dhënë dorëheqje paraprakisht.

Për këtë, sipas tij duhet të merren institucionet e drejtësisë për ti evidentuar shkeljet e bëra të rregullores, me të cilën përcaktohet mënyra e punës, organizimi, fushëveprimi dhe funksionimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i themeluar sipas nenit 40 të Ligjit Nr. 04/L-072 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror.

Neni 13 i Rregullores QRK – nr. 17/2013 për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, përcakton edhe procedurën e shkarkimit të kryesuesit dhe anëtareve të tij.

Kjo parashihet në nenin 13 të kësaj rregulloreje:

“1. Qeveria me vendim mund t’i shkarkoj kryesuesin dhe anëtarët e komisionit para kryerjes së mandatit nëse:

1.1. është dënuar për vepër penale nga Gjykata Kompetente;

1.2. kërkohet me shkrim dhe me argumente nga institucioni që ai e përfaqëson;

1.3. kërkohet me shkrim dhe me argumente nga komisioni që të bëjë shkarkimin.

Komisioni me shumicë votash mund ta kërkojë nga Qeveria që të shkarkojë secilin anëtar duke përfshirë edhe kryesuesin e komisionit nëse:

2.1. nuk i kryen detyrat që i janë dhënë nga komisioni;

2.2. nëse e keqpërdor pozitën e tij si anëtar i komisionit.

Image

Mospjesëmarrja pa arsye tri (3) herë radhazi në mbledhje të komisionit mund të sjell deri te shkarkimi tij nga komisioni”, thuhet në këtë rregullore për shkarkimin e komisionit apo anëtarëve të tij.

Përveç kësaj, e dyshimet po shihet edhe mënyra e caktimit të kryesuesit të ri të komisionit, të udhëhequr deri më tani nga Murat Meha.

Nga praktika e deritashme, kryesimi i komisioneve shtetërore gjithmonë është bërë nga bartës të institucioneve dhe jo nga persona të jashtëm, që nuk kanë përgjegjësi institucionale apo nuk janë fare pjesë e institucioneve.

Gazeta Fjala, ka provuar të kontaktoj me kryesuarin dhe anëtarët e deritashëm të komisionit, por asnjëri nga ta nuk ka qenë në dispozicion të flas për këtë vendim.

 Kur Haradinaj e quante Mehën “peder”

Veprimi i Haradinajt ndaj kryesuesit të këtij komisioni është vlerësuar edhe si hakmarrje për shkak të mospajtimeve dhe përplasjeve që Haradinaj dhe Meha kishin në të kaluarën.

Në shtator të vitit 2015 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pati fyer rëndë Mehën, në një mbledhje të Komisionit për përcaktimin e pikës kufitare me Malin e Zi, Murat Mehës duke e quajtur “peder”.

Kjo ndodhi në Komisionin e Punëve të Jashtme, ku Enver Hoxhaj tha se Kosova duhet të mobilizohet dhe të pres refugjat nga Siria sepse edhe ne si popull kemi përjetuar të njëjtën situatë.

Hoxhaj tha se marrëveshjet e duhet të zbatohen dhe të kërkoi reciprocitet nga Brukseli, sepse BE po tregohet e pa drejt me Kosovës.

Ai pati thënë se komisioni ka pranuar edhe raportin e Murat Mehes sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, çka pati reagime nga Ramush Haradinaj, i cili e quajti Mehen “peder”.

“Nuk pranoj të dëgjoj raport prej këtij pederi. Kjo çështje është e rëndësishme dhe nuk duhet të bëhet hajgare me të, kujt t’i q…. të vjen këtu, ju e keni gabim, Isa Mustafa e ka gabim, Hashim Thaçi e ka gabim”, tha Haradinaj.

Ai pas këtij shpërthimi e lëshoi mbledhje, derisa komisioni është duke diskutuar për planin vjetor.

 Rregullorja për shkarkim të komisionit

Megjithatë, si akt nënligjor, Qeveria në mbledhjen e 140 të saj e kishte miratuar edhe rregulloren ku parashihet më detajisht secila procedurë, përfshirë edhe shkarkimin e komisionit, i cili në këtë rast është tërësisht në kundërshtim me nenin 13 të saj.

Neni 40 i Ligjit nr. 04/L-072 për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror (Gazeta Zyrtare/nr. 02/20 janar 2012), përcakton se Qeveria e Republikës së Kosovës emëron anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, të vendosur në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare.

Në pajtim me këtë nen, me vendimin nr. 12/67 të 21 marsit 2012, Qeveria kishte themeluar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të kryesuar nga Murat Meha, ndërsa me vendimin nr. 05/28 të 8 majit 2015 i kishte vazhduar mandatin këtij komisioni edhe për tre vjet të tjera.

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror kishte mandat deri në vitin 2018.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat