Pacolli i kërkon shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Haradinaj thotë se ai nuk ka kryer krime

Aktuale

Pacolli i kërkon shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Haradinaj thotë se ai nuk ka kryer krime

Nga: Bota sot Më: 14 shtator 2017 Në ora: 15:42
Ramush Haradinaj dhe Rrahim Pacolli

Mbrëmë në media banorë të Prishtinës rrëfyen se si ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo ka rrahur dhe maltretuar shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Pas këtij lajmi reagoi sekretari organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, ku kërkoi nga Prokuroria që të merret me këtë çështje dhe i bëri thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që ta shkarkojë ministrin, për ta emëruar një të ri, shkruan Bota sot.

“Rrëfimi i dëshmitarëve për keqtrajtimin e banorëve të lagjes Dardania nga Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo duhet të vënë në lëvizje të menjëhershme Prokurorinë. Ani pse kanë kaluar 20 vjet, ai që ka kryer krime në kohë të luftës duhet të gjykohet dhe të dënohet. I bëj thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj të shkarkojë Rikalon dhe të emërojë një ministër të ri. Prokuroria dhe gjyqësori duhet ta hetojnë këtë rast në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Mirëpo, në lidhje me këtë rast sot ka reaguar kryeministri, i cila ka thënë se ka kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës dhe se nuk ka gjetur asnjë informatë se Rikalo ka qenë i përfshirë në raste të tilla.

“I kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999. Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër. Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla. Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, thuhet në reagimin e Haradinajt./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat