Haradinaj i amniston tre ministrat që mund të përballen me drejtësinë

Aktuale

Haradinaj i amniston tre ministrat që mund të përballen me drejtësinë

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 21:32
Haradinaj, Beqaj, Lluka dhe Rikalo

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj nuk i ka punët edhe aq mirë me tre ministra të emëruar. Tre prej tyre mund ta zhvillojnë punën e tyre mes ministrive dhe betejës për të treguar pafajësinë ndaj dyshimeve që drejtësia ka ndaj tyre, shkruan Insajderi.

Besim Beqaj, nga Partia Demokratike të Kosovës, i cili morri besimin e Haradinajt të jetë ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, është duke u hetuar për korrupsion.

Ai pritet që brenda këtij viti të akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të të drejtave të barabarta të qytetarëve të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin “Dosjes së Shefave”.

Ministri tjetër që pritët të përfundoj në bankën e të akuzuarve është, Valdrin Lluka i AKR-së. Lluka si ministër i ri në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, rëndojnë akuzat për konflikt interesi.

Madje, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, për “Betimi për Drejtësi”, tha sot se shumë shpejt do ta caktojë datën e shqyrtimin kryesor gjyqësor në këtë çështje penale.

Lluka akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Ministri tjetër në Qeverinë Haradinaj, që shumë shpejt mund të përfundojë duke u përballur me drejtësinë është Nenad Rikalo.

Rikalo si ministër i Bujqësisë nga Lista Serbe, pretendohet se kishte torturuar qytetarë të Prishtinës sa ishte duke banuar në lagjen ‘Dardania’.

Banorët e ndërtesës në Kurriz të Dardanisë kanë treguar për torturat që thonë se Rikallo ka bërë dhe faktin që ai gjithmonë aty është shfaqur me uniformë dhe i armatosur.

Insajderi ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se cilat do të jenë hapat që do të ndërmerren ndaj këtyre ministrave që dyshohen për veprimet jo ligjore.

Arber Vllahiu, këshilltari i kryeministrit, Haradinaj ka thënë për Insajderin se sa i takon çështjeve të sistemit drejtësisë, qeveria nuk e komenton çfarëdo procesi gjyqësor.

“Çështjet ligjore i takojnë sistemit të drejtësisë. Pushtetet janë te ndara dhe drejtësia është e pavarur. Nuk i takon qeverise qe te komentoje dhe paragjykoje çfarëdo procesi gjyqësor”, ka thënë Vllahiu shkurt.

Kryeministri i vendit, Haradinaj të martën ka e emëruar Gazmend Sylën këshilltar për çështje të veteranëve të luftës. Por, Syla në shumë dosje hetimore përshkruhet si i dyshuar për lidhje me grupe të rrezikshme kriminale në Kosovë.

Ai dyshohet se ishte pjesë e rastit të rrëmbimit të biznesmenit Azem Morina, së bashku me Bedri Krasniqin dhe dy truproje të Haradinajt. Po ashtu, Syla dyshohet se kishte lidhje të shumta me grupin e vrasësve të dy policëve në vitin 2004.

Lidhur me hulumtimin, Syla ka kërcënuar edhe me vdekjen gazetarin, Vehbi Kajtazi./Insajderi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat