Gecaj: Maskat po bien, Haradinaj ndërroi fjalët për Asociacionin

Aktuale

Gecaj: Maskat po bien, Haradinaj ndërroi fjalët për Asociacionin

Nga: Bota sot Më: 15 shtator 2017 Në ora: 10:21
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj ka reaguar ndaj deklaratave të Ramush Haradinajt për Asociacionin.

Haradinaj për mediat serbe ka thënë se Asociacioni i komunave serbe do të implementohet, derisa kur ishte në opozitë, AAK e ka kundërshtuar atë.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj shkruan se Haradinaj i ka ndërruar fjalët për këtë çështje, derisa shton se Lista Serbe në qeverinë Mustafa nuk ka pasur ndikim sikur që ka tani, përcjell Bota sot.

Postimi i plotë:

PROFETIZMI përballë HIPOKRIZISË

Profetizmi ynë duket se nuk do të ketë të ndalur. Pasi fillimisht na doli e saktë profecia me dhe për Shpejtim Bulliqin, duket se edhe Kryeministri Haradianj hap pas hapi po bie në të njëjtën “brazdë”. Të gjitha argumentet e tyre për rrëzimin e qeverisë Mustafa po veniten me një shpejtësi marramendëse, edhe pse për këtë qëllim kishin përdorur dhunë të paparë ndonjëherë ndaj institucioneve shtetërore. Derisa jo më largë se në muajin maj të këtij viti z. Haradinaj na thoshte se “Kosova është e vogël nuk ka vend për asociacion”, ai tani po e përsëritë atë që ne e kishim theksuar pandërprerë - se asociacioni do të themelohet vetëm në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese (shih citatet e mëposhtme). Pra, tej mase shumë shpejt po provohet se e tërë ajo dhunë që ishte përdorur ishte vetëm pretekst dhe kishte kryekëput cak grabitjen e pushtetit, e fare jo çështje të interesit patriotik apo nacional. Plus, në qeverinë Mustafa, Lista Serbe nuk ishte element me rëndësi përcaktuese...janë “ngrirë” e “shkrirë” pa ndonjë ndikim substancial...ndërsa “ngrirja” e tyre në qeverinë Haradinaj bllokon cilindo vendim, duke krijuar kështu varësi të plotë dhe servile ndaj qeverisë së Beogradit! Maskat pra po bien jashtëzakonisht shpejt!

Ramush Haradianj (Insjaderi, 17/05/2017): “Kosova është e vogël nuk ka vend për asociacion, kufiri i Kosovës është në Çakorr, në Kosovë nuk ka vend për jug e për veri, në Kosovë nuk do të ketë vend për Serbinë.”

Bajram Gecaj (Kallxo, 19/04/2016“): “Ne i kemi disa korniza të qarta nga Gjykata Kushtetuese dhe do të bëjmë një ekip special sa i përket këtyre vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të detyruar të respektojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.”

Ramush Haradinaj (Express, 14/09/2017): “Sa i përket Asociacionit të komunave serbe, gjithçka që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të realizohet.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat