Tahiri: Do të propozoj ndryshime në Kodin Penal dhe atë Procedurës Penale

Aktuale

Tahiri: Do të propozoj ndryshime në Kodin Penal dhe atë Procedurës Penale

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 11:41
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, thotë se prioritet i tij si ministër do ta ketë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tahiri në një intervistë për KP ka folur për rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari, gjendjen nëpër burgjet e Kosovës si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me drejtësinë.

Ministri i ri tregoi se me ta marrë detyrën ka kërkuar që të shpallet konkursi për drejtor të Shërbimit Korrektues, i cili është duke funksionuar me ushtrues detyre.

Po ashtu ai paralajmëroi se do të propozojë që të ketë ndryshime në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale si dhe në rishikimin e legjislacionit për konfiskimit të pasurisë së paligjshme.

Tahiri ka thënë se me këto ndryshime do të arrihet lehtësimi i punës së gjyqtarëve si dhe hetuesve që janë të involvuar në këto çështje.

Tahiri: Prioritet kam luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

“Si Ministër i Drejtësisë e kam cekur në fillim do të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë jam përgjegjës për hartimin e politikave dhe ligjeve që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një të ardhme të afërt do t’i  drejtohem Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Parlamentit të Kosovës me plotësim ndryshimet që do t’i bëjë në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale si dhe në rishikimin e legjislacionit siç e thash për konfiskimin e pasurisë. Me këtë do ta arrijmë që ta lehtësojmë punën e prokurorisë, ta lehtësojmë punën e gjyqtarëve dhe ta lehtësojmë punën e të gjithë atyre hetuesve që janë të involvuar në këto çështje”, tha Tahiri.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë është shprehur i bindur se deri në përfundim të mandatit të tij qytetarët e Kosovës do t’i besojnë drejtësisë në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Ndërkohë që gjendjen nëpër burgjet e Kosovës e sheh si shumë problematike, ku ai bëri të ditur se me të marrë detyrën ka kërkuar hapjen e konkursit për drejtor të Shërbimit Korrektues.

Tahiri: Gjendja nëpër burgje problematike

“Unë e kam thënë edhe më parë jam shumë i sigurt se në fund të mandatit tim qytetari i Republikës së Kosovës do t’i besoj drejtësisë në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe nuk do të kërkojnë rrugë alternative...Ajo është një sfidë shumë e madhe, ju e dini në të kaluarën ka pasur probleme vazhdimisht, unë jam në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit të Shërbimeve Korrektuese. Kur kam ardhur do të thotë sapo e kam marrë detyrën ditën e dytë kam kërkuar që të hapet konkursi dhe të zgjidhet drejtori i Shërbimit Korrektues. Ne besojmë që do të arrijmë të gjejmë një figurë kredibile, një figurë që mund ta menaxhoj një institucion shumë sfidues”, tha ai.

Sa i përket rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizje Vetëvendosje Astrit Dehari, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se do të procedojë këtë rast në bazë të rekomandimeve të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri: Në rastin Dehari do të veproj në bazë të rekomandimeve të Kuvendit

“Unë e kam disa rekomandime nga Kuvendi i Kosovës, sa i përket ‘rastit Dehari; dhe ashtu siç e kam thënë në mbledhjen e Qeverisë unë do të procedoj konform atyre rekomandimeve. Rekomandimet e Kuvendit të Kosovës janë që ‘rasti Dehari’ të procedohet më tutje për një ekspertizë në një nga shtetet e Bashkimit Evropian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe unë në një të ardhme shumë të afërt do të veproj konformëatyre rekomandimeve”, tha ai.

Tahiri ka folur edhe për vrasjen e 16 vjeqarit Aulon Zeka, ku Tahiri ka kërkuar nga organet përgjegjëse që sa më shpejt përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Tahiri: Është një akt tragjik

“Ka qenë një akt tragjik, e kam dënuar si akt dhe kam kërkuar nga organet përgjegjëse që sa më shpejt përgjegjësit për këtë vepër të dalin para drejtësisë”, tha Tahiri.

Abelard Tahiri para marrjes së drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë këshilltar i lartë politik i Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat