Selimi: Rikallo të shkarkohet, Qeveria u ngut për t’i dalë krah

Aktuale

Selimi: Rikallo të shkarkohet, Qeveria u ngut për t’i dalë krah

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 18:35
Rexhep Selimi

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo duhet të shkarkohet.

“Shkarkimi i Rikallos nuk është dënim ose paragjykim për të, shkarkimi i tij do t’i hapte rrugë drejtësisë që t’i merrte seriozisht ankesat dhe deklaratat”.

“Mjafton fakti, edhe sikur askë të mos e kesh maltretuar, sikur të mos kesh rrahur askë, do të mjaftonte vetëm që të ishte pjesë e uniformave të Millosheviqit në Kosovë”.

“Nuk po them ta dërgojmë në burg pa fakte, po them t’i hapim rrugë drejtësisë”.

Deputeti i Vetëvendosjes në Info Magazine ka deklaruar se ai është i prirë t’i besojë deklaratave të qytetarëve që e kanë akuzuar ministrin Rikallo se i ka maltretuar gjatë kohës së luftës.

“Dëgjova Thaçin që reagimin tonë e mori si racizëm, përafërsisht, nëse kjo quhet racizëm, atëherë çfarë quhet veprimi i Rikallos ndaj shqiptarëve”.

Selimi ka thënë poashtu se Qeveria Haradinaj nuk duhet ta mbështesë ministrin Rikallo.

“Ne kemi dhënë qëndrimin tonë, ashtu sikur që i patëm dhënë rast Mustafës më rastin e ministrit Jabllanoviq por ne nuk do të donim ta shohim Haradinaj në mbrojtje të ministrit Rikallo”.

“Ndodhi diçka e ngjashme me një komunikatë të Qeverisë ku u ngutën për t’i dalë në krahë Rikallos, përballë deklarimeve të qytetarëve”.

Ai ka folur edhe për deklaratën e ministrit Rikallo se ka punuar së bashku me Shpend Ahmetin dhe kanë themeluar së bashku SOROS-in derisa bashkë me Albin Kurtin kanë themeluar KAN-in.

“Ka rrejt, do të deklarohen për një gjë të tillë, edhe vetë Kurti do të deklarohet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat