Eksperti i sigurisë demanton Thaçin dhe jep alarmin: Situata në veri po eskalon!

Aktuale

Eksperti i sigurisë demanton Thaçin dhe jep alarmin: Situata në veri po eskalon!

Më: 19 shtator 2017 Në ora: 08:12
Hajrullah Tërnava dhe Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar se dialogu me Serbinë, ka pasur efektin dhe i gjithë procesi duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga shteti i Serbisë. Ai ka thënë se dialogu ka ndryshuar edhe situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke përmendur doganierët në veri, mbajtjen e zgjedhjeve dhe siç ka thënë ai, ka mbetur integrimi i sistemit të drejtësisë. Por, duke folur për aksionin e Policisë së Kosovës në zyrat e Kryqit të Kuq Serb, ekperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, ka vlerësuar se pjesa veriore e Kosovës vazhdon të jetë “strehë” e agjenturave serbo-ruse.

Tërnava ka thënë për “Bota sot” se Thaçi është duke u munduar ta forcojë pozitën e tij dhe të qeverisë, prandaj bënë këso deklaratash.

Sipas Tërnavës, Thaçi “luan” me këto deklarata politike kohëve të fundit, sepse është duke iu luhatur pushteti.

“Tani me politikat e Presidentit Thaçi, populli është ngopur dhe çfarë të thotë më ai, askush nuk i zë besë, e thënia popullore “Të parin mashtrim ta bëj hallall, por të dytin kurrë jo”. Hashimi si President mundohet që ta forcojë pozitën e vet dhe të qeverisë që u formua, sepse kjo qeveri dihet tani më sa është e “fort” dhe çdo rënie nga pushteti i kësaj qeverie, dëmton shumë reputacionin e Hashimit si President dhe sidomos të partisë së tij PDK-së, sepse me këtë nënkuptohet se kjo parti ka përjetuar katrahurat e saja dhe një kohë të gjatë më nuk do të vijë në pushtet. Ja një thënie e Presidentit Thaçi tani: “Sulmi ndaj deputetëve serbë është racizëm, ata janë nderi i shoqërisë sonë”. Tani me këtë thënie mund të dyshohet në atë që e thashë më lartë, por edhe në akuzat e mundshme nga Gjykata Speciale që përflitet edhe për të si kandidat i mundshëm të hetimeve ndaj tij. Mund të thuhet lirisht se PDK-ja është në mandatin e saj të fundit qeverisës, në këtë koalicion me këto parti bashkë tani që janë. Dhe, me ardhjen në pushtet të VV-së, luhatet edhe karriga e Presidentit Hashim Thaçi, prandaj ai luan këto politika në këto kohë të fundit”, ka pohuar Tërnava.

Sipas tij, situata në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar, përkundrazi është duke eskaluar. Ai ka shtuar, se veriu edhe për një kohë të gjatë do të jetë “streha” e agjentuarave serbe.

“Nëse Presidenti, po thotë se falë dialogut është ndryshuar situata në veri të Kosovës, duhet aluduar për të mirë, populli i Kosovës nuk e vëren këtë, përkundrazi situata po eskalon, sikur që bash në atë pjesë të veriut po sulmohen në mënyrë të organizuar nga kriminelët të përkatësisë serbe. Një organizim i regjistrimit nga shteti fqinj pa lejen e shtetit amë, në ato pjesë të shtetit të Kosovës, është shkelje flagrante apo agresion në territorin e Kosovës, gjersa ajo pjesë i takon Kosovës. Sjelljet e pushtetarëve serbë në këto mënyrë, konsiderohet si konflikt serioz, ndaj vendit. Prandaj, mund të themi se veriu ende do të jetë “strehë” e agjenturave serbe dhe një kohë të gjatë, e sidomos deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana serbe, ndoshta edhe pas saj, duke marrë strukturën e popullatës së banorëve nëpër ato vende”, ka theksuar Tërnava./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat