Vetëvendosje ia lëkund karrigen presidentit Thaçi

Aktuale

Vetëvendosje ia lëkund karrigen presidentit Thaçi

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 shtator 2017 Në ora: 12:10
Liderët e Vetëvendosjes

Raportet Kosovë- Serbi kohëve të fundit janë qetësuar. Pas provokimeve serbe kundrejt Kosovës, situata ka ndryshuar dhe sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, dialogu ka pasur efekt.

Duke folur rreth raporteve që duhet t’i ketë Kosova me Serbinë, presidenti Thaçi, ka thënë se kjo është faza finale në procesin e dialogut me Serbinë.

Sipas Thaçit, dialogu me Serbinë, ka pasur efektin dhe i gjithë procesi duhet të përfundojë me njohjen e Kosovës nga shteti i Serbisë.

Ai ka shtuar se dialogu ka ndryshuar edhe situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke përmendur doganierët në veri, mbajtjen e zgjedhjeve dhe  siç ka thënë ai, ka mbetur integrimi i sistemit të drejtësisë.

“Është një fazë e re me përmbyllje historike të këtij procesi pas një konflikt për më shumë se 100 vjeçar në përmasa gjenocidiale”, është shprehur Thaçi për medien.

Përkundër deklarimeve të Presidentit se dialogu me Serbinë ka pasur efekt dhe ai ka mundësuar që situata në veri të Kosovës të ndryshojë,  sipas njohësve të sigurisë situata vazhdon të jetë e njëjtë si më herët, e ndoshta edhe do të eskalojë.

Aksioni i policisë

Policia e Kosovës, të enjten e kaluar ka bastisur hapësirat e Kryqit të Kuq të Serbisë në Kosovë si dhe disa shtëpi private të personave të punësuar në këtë organizatë.

Me këtë rast janë konfiskuar dokumente, për të cilat ekzistojnë dyshimet se individë të kësaj organizate i përdorin për regjistrimin e popullsisë. Policia e Kosovës vlerëson se ato dokumente janë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, marrë parasysh që regjistrimin e popullsisë në Kosovë mund ta bëjnë vetëm institucionet ekzekutive të Kosovëd.

Siç, ka informuar Policia e Kosovës, gjatë aksionit policor në Mitrovicë të Veriut, janë lënduar disa zyrtarë policorë, pasi qëjanë sulmuar nga disa individë, ndaj të cilëve edhe është hapur procedura për sulm ndaj personave zyrtarë.

Duke parë këto ndodhi, përkundër deklaratës së Presidentit Thaçi se situata në veri ka ndryshuar, njohësit e sigurisë kanë vlerësuar se pjesa veriore e Kosovës vazhdon të jetë “strehë” e agjenturave serbo-ruse.

“Thaçi i frikësuar nga Specialja dhe rënia e PDK-së”

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava,  ka thënë për “Bota sot” se Thaçi është duke u munduar ta forcojë pozitën e tij dhe të qeverisë, prandaj bënë këso deklaratash.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas Tërnavës, Thaçi  “luan” me këto deklarata politike kohëve të fundit, sepse është duke iu luhatur pushteti.

“Tani me politikat e Presidentit Thaçi, populli është ngopur dhe çfarë të thotë më ai, askush nuk i zë besë, e thënia popullore “Të parin mashtrim ta bëj hallall, por të dytin kurrë jo”. Hashimi si President mundohet që ta forcojë pozitën e vet dhe të qeverisë që u formua, sepse kjo qeveri dihet tani më sa është e “fort” dhe çdo rënie nga pushteti i kësaj qeverie, dëmton shumë reputacionin e Hashimit si President dhe sidomos të partisë së tij PDK-së, sepse me këtë nënkuptohet se kjo parti ka përjetuar katrahurat e saja dhe një kohë të gjatë më nuk do të vijë në pushtet. Ja një thënie e Presidentit Thaçi tani: “Sulmi ndaj deputetëve serbë është racizëm, ata janë nderi i shoqërisë sonë”. Tani me këtë thënie mund të dyshohet në atë që e thashë më lartë, por edhe në akuzat e mundshme nga Gjykata Speciale që përflitet edhe për të si kandidat i mundshëm të hetimeve ndaj tij. Mund të thuhet lirisht se PDK-ja është në mandatin e saj të fundit qeverisës, në këtë koalicion me këto parti bashkë tani që janë. Dhe, me ardhjen në pushtet të VV-së, luhatet edhe karriga e Presidentit Hashim Thaçi, prandaj ai luan këto politika në këto kohë të fundit”, ka pohuar Tërnava.

Tërnava: Situata në veri po eskalon!

Sipas tij, situata në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar, përkundrazi është duke eskaluar.

Ai ka shtuar, se veriu edhe për një kohë të gjatë do të jetë “streha” e agjentuarave serbe.

“Nëse Presidenti, po thotë se falë dialogut është ndryshuar situata në veri të Kosovës, duhet aluduar për të mirë, populli i Kosovës nuk e vëren këtë, përkundrazi situata po eskalon, sikur që bash në atë pjesë të veriut po sulmohen në mënyrë të organizuar nga kriminelët të përkatësisë serbe. Një organizim i regjistrimit nga shteti fqinj pa lejen e shtetit amë, në ato pjesë të shtetit të Kosovës, është shkelje flagrante apo agresion në territorin e Kosovës, gjersa ajo pjesë i takon Kosovës. Sjelljet e pushtetarëve serbë në këto mënyrë, konsiderohet si konflikt serioz, ndaj vendit. Prandaj, mund të themi se veriu ende do të jetë “strehë” e agjenturave serbe dhe një kohë të gjatë, e sidomos deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana serbe, ndoshta edhe pas saj, duke marrë strukturën e popullatës së banorëve nëpër ato vende”, ka theksuar Tërnava.

Islami: Veriu, strehë e kriminelëve serbo-rusë

Kurse, profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami, ka thënë për “Bota sot” se Serbia përmes formave të ndryshme është duke e atakuar shtetësinë e Kosovës.

Sipas Islamit, Serbia i ka përqendruar njerëzit në veri të Kosovës dhe ata qëndrojnë lirshëm atje, të gatshëm për destabilizim apo acarim të situatës.

Image
Avni Islami

“Serbia përmes formave të ndryshme po e atakon shtetesinë e Kosovës. Me qellim që sa më shumë ta shtrijë sovranitetin e vet në veri të Kosovës.  Atje, i ka përqëndruar njerëz me percedentë penale, ata rrijnë lirshëm në veri të Kosovës,  duke mos u ndjekur nga askush. Dhe,  sa herë ju duhen për destabilizim ose acarim të situates përdoren, po këta njerëz u përdoren këto ditë edhe kundër Polisësë së Kosovës, prandaj vërtet veriu i Kosovës është strehë e kriminelëve e agjentëve serbo- ruse”, ka pohuar Islami.

Ndryshe, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arbër Vllahiu, ditë më pare është shprehur për medien se çdo akt i paligjshëm Brenda territorit të vendit, nuk do të tolerohet.

“Aktivitetet e paligjshme brenda territorit të Kosovës, që nuk janë autorizuar nga autoritetet e vendit, pavarësisht nga natyra e punës së cilës do organizatë, janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Mekanizmat e sigurisë të Kosovës janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të vendit, pa dallim dhe ato do të jenë gjithnjë në shërbim të secilit qytetar. VeprimtariahumanitarebrendaterritorittëKosovësështë e rregulluar me ligjdheajonukmundtëshpërdorohet”, thaVllahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat