Nxënësit kërkojnë drejtësi për Aulon Zekën

Aktuale

Nxënësit kërkojnë drejtësi për Aulon Zekën

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 15:37
Nxenesit duke kerkuar drejtesi per Aulon Zeken

(E plotësuar) - Nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës kanë bllokuar sot rrugët e qytetit duke kërkuar drejtësi për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre, Aulon Zeka, të cilin e kanë nderuar edhe me një minutë heshtjeje.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vazhduan marshin drejt rrugës “Luan Haradinaj” dhe  “UÇK” në Prishtinë.

Shoku i Aulon Zekës, Fatlum Batatina ka thënë se ata nuk do të lejojnë që drejtësia të shkojë ashtu siç shkon në Kosovë me të njohshëm.

Batatina: Kërkojmë drejtësi për Aulonin

“Sot kemi dalë në protestë se nuk kemi me lanë që drejtësia qysh shkon në Kosovë me të njohshëm, drejtësia do të shkojë në vendin e vet, burg për ata që nuk e meritojnë të jetojnë. Auloni nuk është me neve, as kriminelët s’kanë me jetuar dhe do të lypim drejtësi derisa t’i gjejmë ata. Krejt janë duke kërkuar drejtësi prej organeve kompetente, ndërsa deri tash asnjëri nuk ka dalë asnjë fjalë, as nuk na ka thënë kurrgjë hiq”, tha ai.

Protesta e sotme është mbikëqyrur nga forcat e policisë, por ajo gjithë kohën ka qenë e qetë.

Ndryshe, protestuesit kanë paralajmëruar edhe protesta tjera duke kërkuar të dinë se çfarë po ndodh me hetime për vrasjen e Aulon Zekës.

Edhe ditën e djeshme nxënësit e shkolla të kryeqytetit kanë protestuar në shesh duke kërkuar drejtësi për bashkëmoshatarin e tyre.

I riu Aulon Zeka është gjetur i vrarë ditë më parë në afërsi të shkollës “Model”, ndërsa si të dyshuar janë arrestuar një 16-vjeçar dhe një 15-vjeçare. Gjykata atyre ua ka caktuar nga një muaj paraburgim.

***

Nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës kanë bllokuar sot rrugën “Luan Haradinaj”, në shenjë proteste për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre Aulon Zeka.

Protestuesit janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë duke kërkuar drejtësi për zbardhjen e rastit të vdekjes së të Aulonit.

Marshi do të vazhdojë deri tek objekti i ish- gjykatës duke kërkuar drejtësi për Aulonin.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat