Delawie mbështet ministren Hoxha në punën e saj drejt integrimit evropian

Aktuale

Delawie mbështet ministren Hoxha në punën e saj drejt integrimit evropian

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 17:20
Greg Delawie dhe Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u takua sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin bisedoi për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Ministrja Hoxha njoftoi ambasadorin Delawie për proceset aktuale në kuadër të agjendës evropiane të reformave dhe prioritetet kyçe që parasheh të realizohen në këtë periudhë. 

Ministrja Hoxha dhe ambasadori Delawie vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë të dy qeverive e në veçanti me Ministrinë e Integrimit Evropian pasi që procesi i integrimit evropian është një proces horizontal, që ndërlidhet me të gjitha zhvillimet në vend duke i kontribuar qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. 

Hoxha shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar bashkëpunimin e  mëtutjeshëm me Qeverinë Amerikane dhe njëkohësisht të ketë një koordinim sa më efikas ndërmjet projekteve të Qeverisë së Kosovës, BE-së dhe Qeverisë Amerikane si një ndër kontribuuesit më të mëdhenj për zhvillimin e vendit tonë.

Nga ana e tij, ambasadori Delawie premtoi vazhdimin e bashkëpunimit për t’i kontribuar forcimit të shtetit demokratik drejt integrimit në familjen evropiane.  

Njëkohësisht, theksoi ambasadori Delawie, se Amerika është mjaft e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit në këtë proces pasi që një Evropë sa më e bashkuar i kontribuon paqes dhe zhvillimit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat