Dërguti: Opsioni për ndryshimin e vërtetë është ai i Lëvizjes Vetëvendosje!

Aktuale

Dërguti: Opsioni për ndryshimin e vërtetë është ai i Lëvizjes Vetëvendosje!

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 18:08
Aida Dërguti

Në tubimin e parë zgjedhor të VV’së në Prizren, deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se fillimi i fushatës në Prizren nuk ishte i rastësishëm.

“Po e bëjmë besëlidhjen me qytetarët e gjithë Kosovës për ndryshimin e madh që fillon në nivel lokal e do të përmbyllet shumë shpejt edhe në nivel qendror. Kësaj ngrehine të pushtetit të padrejtë e të korruptuar, duhet rrënuar themelet në bazë, në fshatra e qytete”, tha Aida Dërguti në Prizren.

Ajo shtoi se viti 2017 filloi mbarë, pasi që u rrëzua një qeveri shumë të dëmshme për Kosovën. E më tutje tha se mbarësia e këtij viti vazhdoi në zgjedhjet e 11 qershorit, ku ndodhi një revolucion përmes kutive të votimit, duke potencuar se një rritje të tillë nuk e ka përjetuar asnjë subjekt, asnjëherë në historinë e këtij vendi.

“Thuhet se ndryshimet e mëdha fillojnë me hapa të vegjël. Kështu e nisëm. Në zgjedhjet lokale të 2013 fituam vetëm një komunë. Për këto 4 vite Shpendi bashkë me ekipin dhe programin socialdemokrat të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dha shembullin e qeverisjes së mirë për qytetarët dhe bashkë me qytetarët.  Këtij modeli të qeverisjes lokale ia kanë lakmi qytetarët anembanë Kosovës”, u shpreh Dërguti para qytetarëve të Prizrenit, duke shtuar se ndryshimi ka filluar, ai është i pandalshëm, si një lum  që vërshon, duke u futur nën pragun e secilës shtëpi.

“Fitorja në zgjedhjet e përgjithshme po i prinë fitores nëpër Komuna. Le ta përmbyllim këtë vit me fitore, ashtu siç edhe e nisëm. Le të mbahet në mend viti 2017 si vit i kthesës së madhe në këtë vend. Dhe kjo është lehtë e realizueshme.   Me 22 tetor para jush do të jenë listat me shumë opsione,  por vetëm njëri është i saktë dhe është e lehtë ta gjeni. Opsioni për ndryshimin e vërtetë është ai i Lëvizjes VETËVENDOSJE! që mban numrin 10. Me mendje e me zemër, vendosni për të ardhmen tuaj! Me 22 tetor, bashkë me të gjitha komunat edhe Prizrenin e besës dhe shpresës le ta shndërrojmë në qytetin e festës”, ishte porosia e deputetes Aida Dërguti nga Prizreni për qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat