KQZ anulon vendimin për decertifikimin e 87 kandidatëve

Aktuale

KQZ anulon vendimin për decertifikimin e 87 kandidatëve

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 10:18
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

(E plotësuar) - Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka anuluar vendimet për decertifikim e 87 kandidatëve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, pas vendimit të marrë nga Gjykata Supreme.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor zbaton ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, por në këtë rast do ta zbatojë edhe vendimin e Gjykatës Supreme.

Daka: Ne zbatuam ligjin, por do ta zbatojmë vendimin e Supremes

“KQZ e zbaton ligjin mbi zgjedhjet e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale, dhe në bazë të këtij ligji dhe në bazë të nenit 29, KQZ-ja ka qenë e obliguar që të veprojë ashtu siç ka vepruar se çka ka ndodhur më tutje dhe se cilat janë vendimet e gjykatave dhe instancave të tjera është çështje tjetër me të cilin unë as që jam marrë, as që do të merrem. Ne do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Supreme çfarëdo qoftë ai”, tha Daka.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se në bazë të vendimit të marrë nga Gjykata Supreme i bie që edhe ata që kanë kryer krime të çfarëdo lloji mund të kandidojnë në zgjedhjet lokale. Ai po ashtu e theksoi edhe nevojën për reformimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale.

Gjoshi: KQZ nuk ka shkelur ligjin

“Në vendimin e gjykatës thotë se KQZ nuk ka shkelur ligjin, por është konstatuar një gjendje që ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.  Unë nuk komentoj vendime të gjykatave e kam edhe në parim, por është fat i mirë që 10 vite KQZ nuk është në kundërshtim me ligjin, të cilin e zbaton dhe e ka detyrë për këtë çështje. Edhe për këtë neve Kushtetua na  kërkon që me zbatuar këtë ligj, edhe autorizimet që kem me Kushtetutë edhe të dyjat, edhe certifikimi i kandidatëve është e drejtë e jona me Kushtetutë hyn në këtë fushë. Kjo dëshmon edhe një herë që ligji i zgjedhjeve duhet reformuar siç kam kërkuar në vazhdimësi që një kohë të gjatë dhe mu përshtat me rregullativën tjetër. Është çështje vlerësimi tjetër, mua më vjen keq që një standard dhe që ka tentuar dhe një vullnet i mirë me u ngrit nga institucioni jonë është dal si rezultat i tillë në bazë të vendimit që neve na është sjell nga Gjykata Supreme, i bie që  edhe ata që kanë kryer masakra në Kosovë, edhe të gjithë personat që kanë kryer edhe krime lufte, edhe krime ndaj çfarëdo lloji kanë të drejtë me kandidua nëse Gjykata nuk ka marrë vendim jashtë nuk ka marrë ndonjë vendim me iu heq këtë të drejtë“, tha Gjoshi.

Se KQZ nuk e ka shkelur ligjin është i pajtimit edhe anëtari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti, i cili tha se Gjykata Supreme nuk e ka interpretuar Kushtetutën.

Hamiti: Gjykata Supreme nuk e interpreton Kushtetutën

“E shoh që Gjykata Supreme nuk e interpreton Kushtetutën. Në këtë rast ata kanë hyrë dhe kanë interpretuar në Kushtetutë, po e  kanë marrë një vendim, i cili është obligues për ne. Le të merren tash. Edhe presioni politik, edhe publik me vendimin që është marrë në këtë rast, gjithçka është konstatuar që KQZ-ja nuk e ka shkel ligjin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Miradije Mavriqi nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar kthimin e listave të kandidatëve të certifikuar për zgjedhjet e 22 tetorit në gjendjen e para vendimit të marrë nga Gjykata Supreme.

Mavriqi: Rekomandojmë anulimin e vendimit për decertifikim

“Zyra rekomandon anulimin e vendimeve për decertifikim që është marrë më datën 10 shtator dhe 20 shtator për decertifkimin e 87 kandidatëve, sepse kanë qenë edhe dy të tjerë, vendimet bazuar në aktgjykimet e plotfuqishmërisë të ndërruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Gjithashtu, zyra rekomandon kthimin e listave të kandidatëve të certifikuar për zgjedhjet e 22 tetorit në gjendjen e para vendimit të marrë“, tha Mavriqi.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se lista përfundimtare për zgjedhjet lokale të 22 tetorit do t’i ketë 1.890.962 votues, 899 qendra të votimit dhe gjithsej 2555 vendvotime.

Rrustemi:  Lista përfundimtare ka 1.890.962 votues

“Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e 22 tetorit do t’i ketë 1.890.962 votues me dallim prej 12 mijë e 603 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e 11 qershorit. Në zgjedhjet e 22 tetorit do të kemi 899 qendra të votimit, me 10 qendra më shumë  në krahasim me zgjedhjet e 11 qershorit, do të kemi 2555 vendvotime, ndërkohë ia vlen të theksohet që janë 14 mijë e 176 votues të rinj kanë mbushur 18 vjet në mes të këtyre dy palë zgjedhjeve”, tha ai.

KQZ ka akredituar gjithsej 3883 vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Ndryshe, KQZ në muajin gusht ka decertifikuar 87 kandidatë për zgjedhjet lokale për shkak të veprave penale që ata kanë kryer, ndërkaq ditë më parë Gjykata Supreme ka vendosur që t’ua kthejë të drejtën për kandidim. 

KQZ anulon vendimin për decertifikim të kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar vendimin për decertifikimin e 87 kandidatëve që kanë kandiduar për zgjedhjet lokale pas vendimit t të Gjykatës Supreme.

"Nga ne kërkohet që të  anulohet vendimi për decertifikimin e 87 kandidatëve. Komisioni Qendror Zgjedhor ka  vepruar sipas ligjit dhe ka zbatuar ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale dhe ka qenë e obliguar të veprojë ashtu siç ka vepruar. Ne do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Supreme çfarëdo qoftë ai. Pas zgjedhjeve rekomandoj të mblidhemi dhe të diskutojmë për ligjet", tha kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja Betim Gjoshi ka thënë se ky vendim i Gjykatës Supreme i mundëson të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale dhe krime të rënda që të kandidojë në zgjedhje

KQZ shqyrton vendimet e Supremes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtohen vendimet e Gjykatës Supreme, vendime këto që hedhin poshtë decertifikimin e disa kandidatëve nga KQZ, duke ua mundësuar atyre pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Kështu thonë burime të kp, sipas të cilave pjesë e shqyrtimit të vendimeve të Supremes është edhe rikthimi i Zafir Berishës në garën për kryetar të Prizrenit.

Gjithashtu, do të shqyrtohen edhe vendimet tjera të Gjykatës Supreme, lidhur me kandidatët që kohë më parë KQZ ka decertifikuar për shkak se gjatë tri viteve të fundit kanë qenë të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm.

 Lidhur me decertifikimin e 86 kandidatëve për zgjedhjet lokale nga KQZ-ja, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, duke thënë se ky veprim i KQZ-së është rast flagrant i diskriminimit përmes përdorimit apo keqpërdorimit të standardeve të dyfishta në zbatimin e vendimeve gjyqësore, duke lejuar ata të jenë në garën nacionale dhe të njëjtit duke i eliminuar në garën lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat