Tërheqja e vëmendjes nga demarkacioni dhe propaganda zgjedhore

Aktuale

Tërheqja e vëmendjes nga demarkacioni dhe propaganda zgjedhore

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 shtator 2017 Në ora: 14:26
Haradinaj dhe demarkacioni

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj të më parë gjatë hapjes së fushatës zgjedhore të zgjedhje lokale ka deklaruar se liberalizimi i vizave nuk varet nga demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

“Brukseli e vlerëson se kjo teme është në proces dhe nuk do të lidhet afati i kësaj teme me afatin e liberalizimit. Nuk duhet të lidhet Demarkacioni me vizat. Pse i dhashë kaq peshë rendit dhe ligjit? Sepse është kriteri më kryesor për liberalizimin e vizave’”, ka thënë Haradinaj gjatë hapjes së fushatës së partisë së tij në Prishtinë.

Por, kjo deklaratë e Haradinajt nuk po vlerësohet si e pjekur politikisht dhe janë quajtur gafa, pasi që Bashkimi Evropian nëpërmjet shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini kishte pasqyruar mesazh të qartë për lidhshmërinë e demarkacionit me liberalizimin e vizave.

Gafë e kryeministrit

Analisti Faton Mehmeti e ka quajtur gafë deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se demarkacioni nuk është kriter për liberalizim i vizave.

Sipas tij, këtë deklaratë Haradinaj e ka bërë për të larguar vëmendjen e opinionit dhe të opozitës nga kauza të cilën e ka ngritur vet ai.

Image
Faton Mehmeti

“Mbase  ka harruar Ramushi se shtyrja e liberalizimit të vizave me Kosovën është demarkacioni, kjo është thënë disa herë nga zyrtaret e BE dhe SHBA. Prandaj deklarata e Ramushit se demarkacioni nuk është kriter për liberalizim i vizave nuk qëndron, është një gafe e tij e bërë me qëllim për të larguar vëmendjen e opinionit dhe opozitës nga kauza të cilën ai vetë e ngriti dhe tani po mundohet ta stopoj në harresë”, ka thënë Mehmeti.

Po ashtu, ai ka thënë se deklarata të tilla si të Haradinajt cenojnë raportet e Kosovës me Bashkimit Evropian  të cilat shfaqin vendin si të papjekur politikisht dhe se nëse ai nuk e sjell kufirin në Çakorr duhet të jap dorëheqje.

“Manovra politike të cilat tregojnë papjekuri politike, mungese marrje të përgjegjësive dhe zhveshje nga fytyra e vërtetë e Haradinajt. Deklarata të tilla të pamatura vetëm sa e dëmtojnë imazhin e vendit, cenojnë raportet e Kosovës me BE, duke shpërfaqur imazhin e një vendi ende të papjekur politikisht. Besoj e Haradinaj sa më pak të flet është më mirë, pasi vetëm kur nuk flet nuk bën gabime. Kosovës i nevojiten njerëz jo polist, punëtor dhe që kanë vizion të qartë për të ardhëm e vendit dhe rrugën nëpër të cilën duhet të kaloj Kosova. Nëse Haradinajnuk e sjell kufirin në Çakorr atëherë duhet të jap dorëheqje, e kjo nuk do të ndodh asnjëherë më. Gabimin trashanik e bëri Thaçi duke nënshkruar demarkacionin, prandaj Ramushi nuk kishte nevoje të fuste duart në zjarr pa nevojë”, ka thënë ai.

Më tutje, Mehmeti ka thënë se Haradinaj do të digjet politikisht nga demarkacioni dhe se vendi nuk bën t`i prish raportet me BE-në, duhet të shikojë nga e ardhmja.

“Demarkacioni do e djeg Ramushin politikisht, duke e parë këtë gjë Ramushi vetëm sa ka filluar të ndryshoj fjalët dhe në fund do e pranoj se kufiri aktual është aty ku është nënshkruar, edhe pse mendoj se Kosova ka humbur tokë. Gjithsesi në politikë kur nuk i qëndron pranë premtimit duhet të japësh dorëheqje. Kosova nuk guxon të prish raportet me BE, por të shikoj kah e ardhmja në bashkëpunim të ngushtë me BE dhe SHBA. Ramushi të jetë më i kujdesshëm në këso deklarime, të cilat vetëm sa e shtyjnë me shumë Kosovën nga liberalizimi  i vizave”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Qytetarët të lodhur nga premtimet

Ndërsa, analisti tjetër, Faik Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës janë stërlodhur nga premtimet pompoze të liderëve të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

“Premtimin për liberalizim të vizave e kemi që nga 2010, por një gjë e tillë akoma nuk ndodhi edhe pse kanë mbetur edhe pak muaj që të futemi në vitin 2018. Kushtet e BE-së janë të qarta, dhe janë edhe dy kushte që kanë mbetur për t'u plotësuar. Demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, respektivisht arrestimi i njerëzve të profilit të lartë”, ka theksuar Krasniqi.

Po ashtu, ai ka thënë se  kur të plotësohen edhe këto dy kushte, atëherë qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza.

“Dhe raportet me BE-në nuk dëmtohen nga deklaratat e liderëve tanë, sepse ata tashmë janë mësuar nga premtimet e tyre që nuk i mbajnë. Deklarata të tilla kanë bërë edhe ish kryeministrat e mëhershëm!”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Propagandë zgjedhore

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri thekson se deklaratat e tilla në prag apo gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore, mbesin vetëm si propagandë zgjedhore dhe asgjë më shumë.

Image
Nexhat Haziri

“Ne shohim një populizëm të kryeministrit Haradinaj, që në fillim të mandatit të tij si kryeministër, duke harruar se gjërat në politikë duhet marrë arsyeshëm dhe në bazën faktike në të cilat janë proceset apo zhvillohen ato. Demarkacioni  është vënë si kusht Kosovës nga vetë BE-ja, për të vazhduar drejtimin e sajë drejtë perspektives evropiane, e që  si hap do të ishte liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haziri.

Po ashtu, ai ka thënë se tani duhet kuptuar se kryeministri Haradinaj është përballë një fakti të kryer që vije nga Brukseli sa i përket demarkacionit.

“Refuzimit nga ana e Malit te Zi, për ta rinegociuar çështjen e kufirit , por edhe në anën tjetër presioni që mund ti vije nga opinionin, për shkak të ndërtimit të kauzës se tij politike për ndryshim të demarkacionit. Pra kryeministri Haradinaj, duhet të bëjë zgjedhje, ose të konfrontohet me Brukselin për ta mbrojtur kauzën politike të tij, konfrontim që do të ishte fatal për të ardhmen e Kosovës ose do të duhet të jap dorëheqje nëse dështon në ndryshimin e procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”, ka përfunduar  Haziri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat