Thaçi: Amerika, avokat i fuqishëm i anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO

Aktuale

Thaçi: Amerika, avokat i fuqishëm i anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO

Më: 29 shtator 2017 Në ora: 18:52
Takimi Pence-Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë nga zevendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence.

Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit e kemi bërë bashkë me SHBA-në. Tani jemi në proces të jetësimit të aspiratës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO, dhe përsëri lidershipi amerikan është i pazëvendësueshëm”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka theksuar se Kosova, përmes forcimit të subjektivitet ndërkombëtar dhe reformave të brendshme, është shndërruar në faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ai ka njoftuar zëvendëspresientin Pence për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. Sipas presidentit Thaçi kjo do të bëhet në koordinim të plotë me SHBA-në, partnerë tjerë strategjikë dhe NATO-n.

“Ne jemi duke punuar që të kemi një proces gjithëpërfshirës dhe një konsensus sa më të plotë për transformimin e FSK-së”, ka shtuar ai.

Presidenti ka ritheksuar se ushtria e Kosovës do të jetë një force multietnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Në këtë takim është biseduar me theks të veçantë edhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me këtë rast, presidenti Thaçi ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në këtë proces.

“Përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dy palët”, ka thënë Presidenti, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme për të forcuar paqen afatgjatë në rajon.

Presidenti Thaçi, po ashtu është zotuar se Kosova do të vazhdojë luftën e pakomproimis ndaj terrorizmit, duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në dhe partnerët e tjerë.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka vënë kurora lulesh në Kompleksin e Varrezave Ushtarake në Arlington të SHBA-së.

Ai ka theksuar se rikthimi në këtë vend është gjithmonë një moment emocional dhe reflektimi.

“Qindra mijëra ushtarë të vrarë amerikanë, me sakrificën e tyre kanë ridefinuar dashurinë për lirinë, për atdheun dhe e kanë shndërruar atë në frymëzim për botën”, ka shtuar ai.

Sipas Presidentit, për të njëjtat vlera luftoi dhe sakrifikoi edhe populli i Kosovës, prandaj asnjëherë Kosova nuk do të harrojë sakrificën e ushtarëve amerikanë në çlirimin e Kosovës dhe në sigurimin e paqes në botë.

Pas këtij takimi, Thaçi ka thënë se Amerika vazhdon të mbetet burim i rëndësishëm i Kosovës për anëtarësim në BE dhe në NATO.

Postimi i Thaçit në Facebook:

Amerika ka qenë dhe mbetet burim i lirisë, garantues i pavarësisë dhe është avokat i fuqishëm i anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.

Në Shtëpinë e Bardhë, nga zëvendëspresidenti amerikan, Michael Pence, sot mora garanci të fuqishme të vazhdimit të kësaj mbështetjeje.

U zotova se Kosova do të përmbushë çdo obligim ndërkombëtar, dhe do të mbetet e palëkundur në realizimin e aspiratës për anëtarësim në OKB, NATO dhe BE. Ne, vërtetë jemi të bekuar për miqësinë e përjetshme me SHBA-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat