Opozita akuzon rëndë, Haradinaj i ikë debatit, përplasje të ashpra në seancën e Kuvendit

Aktuale

Opozita akuzon rëndë, Haradinaj i ikë debatit, përplasje të ashpra në seancën e Kuvendit

Nga: Bota sot Më: 2 tetor 2017 Në ora: 10:40
Foto nga seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se interesat e Hashim Thacit, Kadri Veselit dhe të Ramush Haradinajt janë në përputhje me interesat e Serbisë në Kosovës.

“Një ditë një qytetarë me pyeti si ndjehesh kur në krye të institucioneve janë njerëz të ish-UCK-së janë në krye të institucioneve. Natyrisht që këtë gjë nuk e kam menduar më herët. Në shikim të parë kjo gjë duket mirë, por kur e mendon më gjatë del një problem thelbësor, si u bë që Lisa Serbe pra Serbia, Vuçiqi që është pasues i Millosheviqit ishte faktor përcaktuese në zgjedhjen e Hashim Thaçit, të Kadri Veselit dhe përsëri përcaktues të zgjedhjes të Ramush Haradinaj

“E Vërteta sipas shpjegimit tim është projektet politike të Hashim Thacit, Kadri Veselit e të Ramush Haradinajt nuk po i pengojnë më Beogradit, përkundrazi këto projekte janë në përputhje me interesat e Serbisë në Kosovë.

“Dikur AAK dhe PDK akuzonin LDK-në se po përkrahte Povratakun, sot ato përkrahin Listën Serbe”

Deputeti i grupit parlamentar të LAA, Ilir Deda,  ka thënë se dikur AAK-ja dhe PDK-ja akuzonin LDK-në se po bashkëpunonte me partinë serbe e quajtur Povratak, kurse sipas tij, ato sot po bashkëpunojnë ngusht me Listën Serbe.

“Në vitin 2001-2002 nuk kishte shumicë për me zgjedh kryetarin e Kuvendit sepse thoshin se ata nuk donin të zgjedhin një tradhtar që e përkrah povratakun. Sot ato po përkrahin Listën Serbe. Pas 16 viteve po ndërrohen fytyrat, por jo diskursi”.

Ai më tej tha se duhet pyetur Listën Serbë për lotimet që ajo po i bën kundër shtetësisë së Kosovës.

“Duhet të pyesim se si ata dalin jashtë shtetit dhe lobojnë kundër pavarësisë së Kosovës. Pra një partner i qeverisë lobon kundër pavarësisë së Kosovës”, shtoi Deda.

Pantina: Haradinaj kritikonte kryeministrin Mustafa, sot ai braktisi seancën

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka thënë se kryeministri Haradinaj ka shkelur parimet e qeverisë që në fillim të seancës.

“Tema e cila do të duhej sot të bisedonim për parimet qeverisës u shkel që në fillim, sepse kryeministri Haradinaj iku nga salla, e në duhet të bisedojmë me njërin tjetrin”, tha Pantina. Ajo tha se kur ishte kryeministri Mustafa, Haradinaj e kritikonte Mustafën për mos transparencë.

Sejdiu: Haradinaj me arrogancë vendosi të largojë kabinetin qeveritar nga Kuvendi

Deputeti i pavarur Korab Sejdiu, në seancën e jashtëzakonshme është shprehur kritik ndaj kryeministrit Haradinaj.

Ai tha se Haradinaj u tregua shumë arrogant kur i kërkoi kabinetit qeveritar që të braktis seancën e Kuvendit.

“Dita e sotit u zhvillua me një kërkesë që opozita të jetë konstruktive. Nuk e di se si të kërkohet konstruktivitet nga opozita kur Haradinaj me një arrogancë vendosi që të heq kabinetin qeveritar nga seanca”, tha Sejdiu.

Ai shtoi se kjo është një qeveri që është me këmbë të xhamit që është shumë e ndjeshme ndaj qëndrueshmërisë.

Haliti: VV ka ndal integrimin e Kosovës në mekanizmat evropian

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, duke replikuar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se si VV me veprimet e veta e kanë ndal integrimin e Kosovës në mekanizmat evropian, por gjithashtu kanë ndal demokratizimin në Kosovë.

“Kosova është e lirë, dhe as Zajednica, as lista serbe, as partia e Vuçiqit, as partia e Putinit nuk kanë shancë të hynë këtu, harroje sepse ne jemi të orientuar si popull diku tjetër”, tha ai.

“Qeveria Haradinaj po e zëvendëson autoritetin e popullit me autoritetin e Beogradit”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla është shprehur kritik ndaj qeverisë aktuale.

Ai ka thënë se Haradinaj është nënshtruar tërësisht nga Beogradi.

“Këta po duan të zëvendësojnë autoritetin e popullit me autoritetin Beogradi. Janë mbledh 20 subjekte politik nën presionin e Listës Serbe”, tha Sfeçla.

Ai më tej tha se në qeverinë Haradinaj janë të gjithë ata që e kanë qeverisur Kosovën këto 18 vite që e sollën Kosovën në këtë situatë.

Zemaj: Është krijuar qeveri pa program politik

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në seancën e sotme e cila po mbahet për të debatuar lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021 akuzoi Qeverinë se s’kanë program qeverisës.

Zemaj tha se është normale për të debatuar për të kaluarën në Kuvend dhe se nga foltorja u tha mjaftë nga deputetët se çka e pret qytetarin nga kjo Qeveri.

Zemaj tha se është krijuar një Qeveri e keqe pa program politik më imponim numrash për të fuqizuar klanet e së keqes në vend.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Seanca po vazhdon edhe pa kabinetin qeveritar, i cili është larguar pas fjalimit të Haradinajt, pasi siç tha ai opozita nuk po i përmbahet rendit të ditës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në ora 15:30, për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme, ku kryesisht pozitë dhe opozitë po kritikojnë njëra-tjetrën.

Më së pak që është folur në seancë, deri tash është diskutimi për parimet programore të Qeverisë. Kjo ka bërë që kabineti qeveritar në krye me kryeministrin Hardinaj ta lëshojë seancën.

Ganimete Musliu në mbrojtje të Listës Serbe

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme parlamentar, teksa po diskutohet për parimet e qeverisë Haradinaj, ajo është ven në mbrojtje të deputetëve të Listës Serbe.

Ajo ka thënë se deputetët e Listës Serbe që erdhën nga Beogradi, nuk dolën nga salla kur po këndohej himni i Kosovës.

“Deputetët që erdhën prej Beogradit nuk kishin marrë urdhër që të lirojnë sallën kur u këndua himni i Kosovë”, tha Musliu.

Deputeti i LDK-së fton për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në një adresim të gjatë të vetin, ka ftuar të gjithë deputetët opozitar dhe qytetarët e vendit që me aksione e veprime të përbashkëta, t’ia bëjnë sa më të shkurtër jetën kësaj qeverie Frankenshtajne, siç e ka quajtur ai.

Ai paraprakisht e ka akuzuar koalicionin PAN e në veçanti programin qeverisës të kryeministrit Haradinaj.

“Parimet qeverisëse në 12 faqe, të cilat mëtojnë të jenë program qeveritar për 4 vitet e ardhshme, është hartim i dobët i shkruar nga studentë e nxënës me nivel mesatar. Si i tillë ai nuk është fare program qeverisës”, ka thënë ai.

Bajrami: Haradinaj nuk mund të luftojë korrupsionin me ministra të korruptuar

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, teksa po diskutohet për parimet e Qeverisë Haradinaj, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami është shprehur kritike ndaj ekzekutivit.

Ajo ka thënë se zotimi i Haradinajt për të luftuar korrupsionin është vetëm një premtim, pasi që sipas saj, një e treta e kabinetit qeveritar janë të korruptuar.

“Në dokumentin e parimeve thuhet se Qeveria Haradinaj do të luftoj pakompromis korrupsionin, kur një të tretën e kabinetit e ka me afera korruptive dhe e ka problem ai ministër i korruptuar që ta luftoj korrupsionin”, tha Bajrami.

Image

Kurteshi: Plani i qeverisë për drejtësinë, është broçkullë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës është shprehur kritik ndaj planit të qeverisë për fushën e drejtësisë.

Ai ka thënë plani i qeverisë për përmirësimin e fushës së drejtësisë është një broçkullë dhe asgjë më shumë.

“Kemi fjalë të përsëritura tani e 17 vite, psh Qeveria e Kosovës do të garantoj qe para ligit jemi të gjithë të barabarte. Këto janë premtime brroçkulla, e këto premtime e kanë sjell drejtësinë në këtë fushë. Ju keni gjithçka po nuk keni drejtësi. Nuk ka asnjë fjalë për verimet konkrete për përmirësimin e sistemit të drejtësisë së në Kosovës”, tha Kurteshi.

Demaliaj: Vetëvendosje po shkel parimet

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj, ka shpërthyer në Kuvend duke akuzuar partitë opozitare sidomos Lëvizjen Vetëvendosje se po i shkelin parimet e tyre.

Ai u ka thënë atyre se krejt partia e kanë mundur kryetarin e Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Demaliaj duke iu drejtuar deputetit Albin Kurti i tha se ata janë të gjithë njëjtë mendojnë.    

“Ju keni CD-në e njëjtë në kokë”, u tha Demaliaj deputetëve të VV-së duke shtuar se “nuk janë alienë”.

Demaliaj tha se më 22 tetor AAK dhe partnerët e koalicionit do t’i fitojnë shumicën e komunave ndërsa VV-ja, nuk do të fitojë asnjë komunë.

Pas kërkim faljes për fyerje, Zeka përsëri fyen

Pas fjalimit të tij në Kuvend, deputeti i NISMA-s Milaim Zeka, ka pasur edhe një tjetër përplasje me një nga deputetët e Vetëvendosjes.

Kësaj radhe Zeka është përfshirë në debat me Fisnik Ismailin.

Pas ndërhyrjes në fjalim nga Ismali, Zeka pasi ka zbritur nga foltorja e ka quajtur “Rrugaç” atë.

Kjo nuk është pritur aspak mirë nga Ismali, i cili i ka thënë Zekës që të dalë jashtë Kuvendit.

Image

Haxhiu: Çështja e demarkacionit të zgjidhet para festave të nëntorit

Haxhiu ka thënë se çështja e demarkacioni duhet të marrë epilog Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu në seancën e jashtëzakonshme ka thënë se Kuvendi duhet t’i kthehet temave që janë aktuale dhe që janë të rëndësishme për qytetarët. Haxhiu tha se Qeveria e Kosovës duhet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit dhe për të vazhduar me zgjidhjen e problemeve tjera.

Deputeti i PDK-së tha se çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet para festave të nëntorit në mënyrë siç tha ai që qytetarët e vendit të lëvizin lirshëm gjatë festave të fund vitit nëpër vendet e BE-së.

Milaim Zeka i kërkon falje publike deputetes së LDK-së

Deputeti i Nismës për Kosovën Milaim Zeka, i ka kërkuar falje publike deputetes së LDK-së Besa Gaxherri.

Zeka e kishte ofenduar rëndë deputeten Gaxherri, duke i sharë deputetët e LDK-së në korridorin e Kuvendit të Kosovës, në seancën e kaluar, përcjell Bota sot.

Por, Zeka ka arsyetuar sjelljen e tij, duke thënë se ishte në gjendje të keqe shpirtërore.

“I kërkoj falje publikisht  Besa Gaxherrit. Po të kërkoj falje shpirtërisht falje, sepse kam qenë në gjendje të keqe shpirtëtore dhe shumë të kërkoj falje ty dhe krejt deputeëtve, të cilët janë ndier të fyer nga sharja ime në korridorin e kuvendit”, ka thënë Zeka.

Ai ka njoftuar se i ka kërkuar falje privatisht edhe gazetares të cilës i kishte thënë “Lopë e Danimarkës”.

Milaim Zeka nuk përmbahet: Mundem me i ra shuplakë Albin Kurtit

Në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka, ka folur për shumë gjëra, në mesin e tyre, shkarazi, edhe për rrahjen që ndodhi në Klan Kosova, ku i përfshirë ishte ai dhe deputeti i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

Milaim Zeka tha se mundet ta godasë shuplakë Albin Kurtin, por sipas tij, ai këtë nuk e bën sepse nuk është “rrugaç”.

“Mu nuk munet me më ndal kërkush me dhunë.Unë mundem me i ra shuplakë Albin Kurtit, por nuk jam rrugaq”, tha Zeka.

Zeka ka kritikuar edhe Selimin, për siç thotë ai, mbështetjen e aktit të Frashër Krasniqit ndaj tij.

“Le t’i vjen turp Rexhep Selimit, që ja kam mbrojtë familjen, e ai ka marrë qëndrim duke e mbështet aktin e turpshëm që e ka ba deputeti i tyre”, tha ai.

Ndërsa Zeka, siç bën zakonisht, tha se do të publikoj dokumente.

“Më vjen keq që qytetarët e Kosovës po e shohin që ka këtu parti politike që e kanë program, synim, zhvillim, shkatërrimin e atyre pak institucioneve që janë ndërtu. Qytetarët e Kosovës do ta shohin këtu që kanë ardhë këtu me ba luftë qytetare. Kush e di fjalën e dhunën si argument të kundërshtimit. Do të flasim me fakte, me dokumente dhe jo me akuza paushalle. I kemi raportet që bosat tu janë taku me shërbimin sekret të Kosovës”, tha ai.

Konjufca: Qeveria Haradinaj vizitën e parë e bëri në Moskë, jo në Shqipëri

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjuafca, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se qeveria Haradinaj vizitën e parë e ka zhvilluar në Moskë, e jo në Shqipëri, pasi Lista serbe që është pjesë e kësaj qeverie e ka vizituar Moskën.

“Vizita e parë e kësaj qeverie nuk ka qenë në Shqipëri, por në Moskë. Lista serbe ka shkuar në Moskë dhe e ka falënderur Putinin që s’po e njeh Kosovën”, ka deklaruar ai.

Sejdiu në Kuvend: Qeveria e Republikës së Kosovës 21 ministra, Republika Popullore e Kinës 22 ministra

Deputeti i Vetëvendosjes Dardan Sejdiu ka kritikuar ashpër Qeverinë e Ramush Haradinajt për dikasterët e saj të bollshëm.

Sejdiu tha se Kosova ka 21 ministri me 1.8 milionë banorë, ndërsa Kina me 1.5 miliardë banorë ka 22 ministra.

“Qeveria e Republikës së Kosovës 21ministra, Republika Popullore e Kinës 22 ministra”, tha Sejdiu.

Sejdiu ka kritikuar edhe mungesën e politikave zhvillimore të Qeverisë, duke thënë se po mendon vetëm për profit pa bërë asgjë.

“Kryefjala në këtë program është profiti. Nuk duket asnjë fjalë e politikave zhvillimore që do të shpjete drejt zhvillimit, e rrjedhimisht edhe drejt punësiumit”, tha Sejdiu.

Replikë e ashpër/ Selmanaj nervozon Veselin, ai “shpërthen”: Do t’iu ngijë SHIK në këtë mandant!

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka replikuar ashpër me kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Selmanaj ka deklaruar se ai është detyruar të largohet nga KDI-ja për shkak të Kadri Veselit.

“Kam themelu organizatë të re Demokraci plusin, për shkak se Veseli nuk ka mundur ta durojë praninë time në Kuvend”, ka thënë ai, përcjell Bota sot.

Deputeti i LDK-së ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen mirë për një arsye, se SHIK-u është dobësuar në Kosovë, derisa ka treguar se agja i tij ishte i burgosur politik me Azem Sylën.

“Agja im ka qenë në burg me Azem  Sylën në 1981, ka qenë i burgosur politik tri vjet, Agim Selmanaj është agja im, ka qenë në dhomë me Azem Sylën në Prizren. Çfarë flisni more ju, a po e shihni deri ku keni shkuar”, ishin fjalët e Selmanajt, të cilat i mbetën në gjysmë për shkak se ia ndal mikrofoni.

Atij menjëherë i është kundërpërgjigjur ish-kreu i SHIK-ut dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili ka thënë se gjatë këtij mandati do të ketë komision hetues për SHIK-un.  

“E keni marrë zanat SHIK-u, SHIK-u... do të ngiheni ShIK, do të shkojmë deri në fund në këtë mandat, edhe me komisionin hetues dhe media në mënyrë transparente, veç atëherë mos bëj ciu-ciu me  u tërheq, qëndro deri në fund, mos manipulo me plagët e njerëzve dhe hajni sepse njëri nga ta je ti, shko padit ku të duash se je shpifës, i pa sjellshëm dhe pa dinjitet”, tha ai.

Image

Selmanaj i përgjigjet Veselit, jam detyruar të dal nga KDI-ja

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Driton Selmanaj ka reaguar ndaj kritikave të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, se ai është mashtrues i shoqërisë civile.

Selmanaj është shprehur se “Unë jam detyruar që ta lëshoj KDI-në dhe kam formuar Demokracinë Plus nga fondacioni i USAID-it”, është shprehur ai.

“Deklarimet e mia kurrë nuk kanë qenë personale, unë ka me shpreh çdo herë mendimin tim, bile më kanë thënë që mos dil nga KDI”.

Selmanaj ka thënë se është i gatshëm të përgjigjet, ku do dhe kur do.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka drejtuar një varg akuzash në drejtim të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj.

Ai ka thënë se deputeti Selmanaj ishte larguar nga projekti i USAID-it si shoqëri civile për shkak të keqpërdorimeve dhe manipulimeve.

“Je turpi i shoqërisë civile”, i ka thënë Veseli deputetit Selmanaj.

Driton Selmanaj: Kam menduar se Haradinaj nuk ikë! E keni çoroditur parlamentin!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës. Ai në fjalimin e tij në Kuvend, ka thënë se kjo qeveri e ka “çoroditur” paralamentarizmin, përcjell Bota sot.

Selmanaj ka thënë se kishte menduar se kryeministri Ramush Haradinaj, nuk do të ikte nga seanca, mirëpo tani, sipas tij, “doli se edhe ai është njësoj si të tjerët”

"A keni parë diku në demokracitë perëndimore, ku qeveria dhe shumica ikin nga Kuvendi? E keni çoroditur parlamentarizmit, e keni çoroditur jetën parlamentare. Mosni ju lutem, të shpëtojmë atë që mund ta shpëtojmë", ka thënë ai.

Selmanaj poashtu i ka thënë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli që të mësojë rregulloren e Kuvendit.

Ai e ka këshilluar Veselin që të angazhojë këshilltarë ndonëse sipas tij ka angazhuar mjaft.

Konjufca: Vetë Pal Lekaj kërkoi mbylljen e debatit pasi që Lista Serbe erdhi në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se është ministri i PAN-it, Pal Lekaj ai që e kishte ndalë debatin posa kishte mbërritur Lista Serbe në Kuvend, në ditën e themelimit të Qeverisë.

“Deputeti i PAN-it, Pan Lekaj propozon mocion procedural për me mbyllë debatin. Pal Lekaj e ka mbyllë debatin”, tha Konjufca në një replikë ndaj shefit të GP të Nismës, Bilall Sherifi.

“Ju keni kërkuar debat, sepse nuk ka qenë Lista Serbe aty. Thoshit se debati është më i rëndësishëm në botë. Kur erdh Lista Serbe ju e ndalët debatin”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi po ashtu se votimi i Qeverisë pa debat nga ana e opozitës ishte kërkuar me qëllimin që të demonstrohej varshmëria e Qeverisë së re ndaj Serbisë përmes Listës Serbe. 

Replika të ashpra mes Kadri Veselit e Avdullah Hotit: Pyete akademikun…

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së Avdullah Hoti kanë replikuar lidhur me rregulloren e Kuvendit.

Veseli i ka kërkuar Hotit të kërkojë sqarime nga ‘akademiku’ në partinë  e tij, duke aluduar në Sabri Hamitin i cili ka qenë nënkryetar i Kuvendit legjislacionin e kaluar.

‘Ju lutem pyeteni edhe akademikun tuaj për të cilin kams humë respekt’, ka thënë Veseli.

Ka reaguar Avdullah Hoti i cili ka thënë ai e di mirë si ka punuar akademiku.

“Unë si ka punu akademiku në Kuvend e di zoti kryetar i Kuvendit’, ka thënë Hoti.

"Qeveria ka ikur për të punuar, një program që ende nuk është miratuar nga Kuvendi"

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim ka komentuar veprimin e Qeverisë së Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Sipas tij qeveria ka ikur për të punuar, një program që ende nuk është miratuar nga Kuvendi.

“Qeveria iku nga seanca e Kuvendit me pretekstin se kanë me punu. Punë e Qeverisë është edhe pjesëmarrja në Kuvend dhe llogaridhënia ndaj këtij institucioni. Për më tepër, po shkojnë me punu për një program të cilin ende nuk e ka miratuar Kuvendi”, shkruan Krasniqi në Facebook.

Bilall Sherifi nga foltorja i thotë diçka Glauk Konjufcës për Kadri Veselin, ja si ia kthen ai

Deputeti Bilall Sherifi ka folur me terminologji shkencore në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se fjala ‘parlament’ rrjedh nga fjala greke ‘parla’ për ‘me folëë’.

Ka thënë se opozita ka pikë vështrimi të ndryshëm nga pozita. I ka thënë Glauk Konjfucës se ai ‘e sheh vetëm Kadri Veselin’.

“O Glauk ti e Sheh Kadri Veselin këtu vetëm, unë ju shoh juve këtu”, ka thënë Sherifi.

Ndaj kësaj ka reaguar Konjufca duke i thënë ‘besa edhe ti je me të’.

Krasniqi: Opozita po shantazhon

Deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, ka akuzuar opozitën në Kuvend për shantazh, derisa ka thënë se deputetët opozitarë po e shfrytëzojnë foltoren për të tjera çështje dhe nuk po respektojnë pikën për të cilën është thirrur seanca.

Krasniqi tha se seanca është thirrur për të diskutuar programin qeverisës, e jo për siç tha ai shantazhe për të mos votuar marrëveshje që janë në të mirën e vendit,

“E shantazhuan qytetarin e Kosovës që në traditën që pozitë e opozitë që kemi pasur kur është dashur të votohen çështje  për të mirën e përbashkët, këta thanë se kanë më votu kundër një programi të BE-së duke refuzuar 71 milionë”, tha Krasniqi.

Haradinaj me ministra largohet ikë seanca

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe anëtarët e kabinetit të tij janë larguar nga seanca e Kuvendit.

Haradinaj ashtu siç ka paralajmëruar është larguar nga salla pasi që sipas tij kthehen vetëm kur të debatohet për programin qeverisës.

Image

Haradinaj-opozitës: Mos bëni hajgare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka marrëveshje tjetër me Listën serbe përveç marrëveshje për bashkëqeverisje, siç kanë me partitë tjera.

Ai tha se çdoherë ka kërkuar debat, edhe në kohën kur ka qenë deputet dhe kërkesa për mos me pas debat, ka qenë nga VV dhe LDK.

Ky propozim, Haradinaj kujtoj se u votua dhe opozita duhet të harrojë që mund të bëjë lojëra.

“Programi është ky që është, kur të dëshironi të flasim do të vi dhe do ta prezantoj, por jo debat jashtë këtij programi”, tha ai.

Haradinaj shtoi se nuk ka një germë të nënshkruar nga ai  që e turpëron familjen e tij dhe shtetin.

Konjufca me akuza të rënda ndaj Haradinajt

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka deklaruar se kjo Qeveri është e ndërtuar mbi pazare të ulëta, pasi është e varur nga lista serbe, por gjithashtu një ngritje e dorës në Kuvend, kushton një ministri.

Ai në seancën e jashtzakonshme, tha se Qeverisë i kushtojë një votë një ministri në rastin e votës së siguresës nga Teuta Rugova.

Konjufca ka akuzuar kryeministrin Haradinajn që nuk mori pjesë ditë më parë në seancën e jashtëzakonshme.

“Unë e kam një pyetje për Haradinajn, a e dini ju që me kushtetutë, jo 31 deputetë, por 6 deputetë nëse thirirn seancë t’i duhesh me u vizatu. Kjo tregon që kryeministrit tonë nuk i pëlqen llogaridhënia dhe përgjegjësia”, tha ai.

Ai tha se për ta kuptuar si do të qeverisë Haradinaj, nuk ka nevojë të lexohet programi, pasi kjo kjo u pa që nga themelimi dhe funksioni gjatë këtyre ditëve.

“Kjo Qeveri ka bërë zgjedhje të çuditshme dhe absurde, ku ka parti që ka 3 deputet e katër ministri, dhe listën serbe qeveria e varur nga, mos të harrojmë që këtu kemi Qeveri që janë shpikur për të akomoduar dosta”, tha ai.

Veseli-Konjufcës: Nuk je Zoti

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka reaguar ndaj fjalimit të shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosje Glauk Konjufca i cili tha se vizita e parë e kësaj qeveria ka qenë në Moskë e jo në Tiranë.

Veseli i sugjeroi Konjufcës që të orientohet nga tema për të cilën janë mbledhur sot e jo për tema tjera.

 “E di çdokush kush është te Moska.Secili e kemi një traditë, mos të hyjmë andej se ku me ditë ku dalim”, tha Veseli.

Ndaj kësaj ka reaguar Konjufca nga ulësja e tij por Veseli ia ktheu duke i thënë që të pushojë se nuk është Zoti.

 “O Glauk Konjufca nuk je Zoti. Ulu pusho mbaje rregullin sepse nuk je Zoti me ia ba çdokujt me dorë”, i tha Veseli Konjufcës.

Hoti, Haradinajt: Jep llogari ose nuk e votojmë këtë marrëveshje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdulalh Hoti, ka deklaruar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në ratifikimin e marrëveshjes së IPA, nëse kryeministri i vendit Ramush Haradinaj nuk jep llogari lidhur me atë se si është formuar Qeveria e Kosovës.

“Nëse ju nuk qëndroni për të dhënë llogari si është formuar qeveria, për pazaret politike, ne nuk do të qëndrojmë për votimin e marrëveshjes IPA që kërkon 2/3 votat e opozitës”, tha Hoti.

Hoti i ka kujtuar Haradinajt se pa opozitën ligjet që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve për t’u implementuar, nuk do të arrijnë të realizohen, nëse sipas tij kryeministri injoron partitë opozitare.

“Kjo është Qeveria e parë që 17 vite është votuar pa debat parlamentar .

Kryeministri i ka injoruar 59 deputetë të opozitës. Ju ftoj që të silleni në mënyrë konstruktive, nëse jo këto janë pasojat me të cilat do të përballeni”, paralajmëroi ai.

Hoti tha se kjo është qeveria e parë në 17 vjet, që është votuar pa debat parlamentar.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai në fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit, ka thënë se seanca e sotme është dashur të mbahet tre javë më parë, përcjell Bota sot.

Por, sipas tij, me mosthirrjen e seancës, Haradinaj ka harruar se dikur ishte pjesë e një opozite të bashkuar. Konjufca ka thënë se Haradinaj po bën atë të cilën dikur e kundërshtonte ashpër.

Ai poashtu ka hedhur kritika edhe për programin qeverisës.

Betohen deputetët e rinj

Sot janë betuar katër deputetët e rinj, të cilët zëvendësojnë ata deputetë që kanë marr poste qeveritare.

Kështu që  Nait Hasani nga PDK zëvendëson kryeministrin Ramush Haradinaj, Bekë Berisha i AAK-së zëvendëson Pal Lekajn që është bërë ministër i Infrastrukturës, Imet Rrahmani e zëvendëson Behxhet Pacollin që është bërë zëvendëskryeministër. Ndërsa Bahri Shabani e zëvendëson Rasim Demirin që ka marr post ministror.

Frashër Krasniqi në Kuvend, ja si pritet nga kolegët

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Frashër Krasniqi ka arritur në Kuvendin e Kosovës.

Sot vazhdon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku diskutohet lidhur me programin e Qeverisë së re.

Image

 

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës është debati parlamentar lidhur me parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.

Seanca kohë më parë është thirrur nga opozita, por nuk iu është përgjigjur pozita, me arsyetimin se debati parlamentar për programin qeverisës duhet të bëhet në momentin e finalizimit dhe prezantimit të tij nga ana e Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat