Përplasje në interpelancën për ministrin serb, Haradinaj mbron krimet e Rikallos, dështon mocioni i LDK-së

Aktuale

Përplasje në interpelancën për ministrin serb, Haradinaj mbron krimet e Rikallos, dështon mocioni i LDK-së

Nga: Bota sot Më: 3 tetor 2017 Në ora: 11:03
Foto nga seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar mocionin e iniciuar nga LDK-ja për shkarkimin e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo.

Për mocionin kanë votuar 27 deputetë, kundër 40 ndërsa një ka abstenuar.

 Për Nenad Rikallon janë hedhur dyshime se ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Për këtë kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar të dhëna nga organet e sigurisë por që sipas tij nuk janë gjetur ato të dhëna se ka bërë vepra të tilla.

Selimi beson se Haradinaj do ta shkarkojë Rikallon

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi është i bindur se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shumë shpejt do ta shkarkojë ministrin e Bujqësisë Nenad Rikallon.

“E kam një besim  të madh se Ramushi do ta shkarkojë  Rikallon”, ka thënë Selimi.

 Deputeti i VV-së tha se ndoshta Qeveria nuk u beson atyre, por mes Rikallos dhe qytetarëve të lagjes “Dardania” duhet t’u besojë atyre që po sjellin dëshmi.

 Selimi tha se Haradinaj mund ta shkarkojë një ministër sepse e ka këtë mandat.

 Në fund ish-komandanti i UÇK-së tha se ai nuk do ta bashkojë votën me Listën Serbe nëse ata kërkojnë shkarkimin e Ramush Haradinajt.

Haradinaj-Konjufcës: Mos paragjyko

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu përgjigjur akuzave të deputetit Glauk Konjufca, ka thënë se po predikon kur thotë se po mbron ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“Paragjykim që po e mbrojmë dike, kushdo qoftë dhe ka shumë elemente që na obligojnë që të shkojmë nga hapi në hap. Po e them këtë sepse unë kam pas shumë dëshmitarë të rrejshëm, jo vetëm të komunitetit”, tha ai.

Konjufca: Shkarkimi eventual i Rikallos, rrezikon themelin e Qeverisë

Deputeti i VV-së Glauk Konjufca deklaratat e deputetëve të AAK-së në debatin që po mbahet për ministrin Nenad Rikallo i ka quajtur të turpshme.

Sipas Konjufcës duke dëgjuar deputetët e AAK-së duke folur të shkon mendja se opozita ka shkuar e i ka organizuar ato familjet që po akuzojnë për të thënë se ministri Rikallo ka kryer krime.

Konjufca tha se edhe nëse Rikallo mos të ishte pjesë e Qeverisë ish dashur që të mbahet debat e lëre më që ai është ministër.

Konjufca tha se i mirëkupton këtë mbrojtje që po bëjnë deputetët e pozitës pasi që sipas tij shkarkimi eventual i Nenad Rikallos e rrezikon themelin e kësaj Qeverie.

Haradinaj do të jetë përgjegjës për protestat nëse nuk shkarkon Rikallon

Deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk ka të drejt ta mbajë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo pas denoncimeve të 20 dëshmitarëve, prandaj Haradinaj, duhet ta shkarkojë ministrin në të kundërtën do të jetë përgjegjës për protestat dhe proceset politike që pasojnë.

Sipas saj, institucionet e Kosovës kanë dështuar në grumbullimin e fakteve të krimeve të luftës së fundit, pasi nuk ka kriminel që vuajnë burgun dhe as të ngritën aktakuza.

Zeka: Ejani të merremi me ligjin e lustrimit

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka ka thënë se ku Kuvend duhet të merret me ligjin e lustrimit dhe kështu mos të merret tash me ministrin që nëse është fajtor do të duhej të dënohet, por jo të merret Kuvendi me të.

Ai tha se çdo deputet e parti politike ka portale dhe televizione private që ta dëmtojnë imazhin e familjen pa kurrfarë dëshmie.

Hoti: Ministri të shkarkohet derisa të qartësohen akuzat

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, në këtë moment është i pafajshëm por atë që po kërkon LDK është të shkarkohet derisa të qartësohen të gjitha akuzat publike nga 20 persona.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes IPA, tha se i ka kërkuar kryeministrit që të jetë korrekt me opozitën pasi që do të ketë nevojë për të për votimin e marrëveshjeve.

Simiq mbron Rikallon, thotë se akuzat ndaj tij janë me motive politike

Deputeti Sllavko Simiq nga Lista Serbe i ka dalë në mbrojtje ministrit Rikalo, duke thënë se disa deputetë dhe grupe të deputetëve përmes mentalitetit të politikës kërkojnë që të gjejnë viktimën për të fshehur dështimet e tyre politike.

Ai gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, i ka quajtur të pavërteta të gjitha akuzat ndaj Rikallos se ai ka maltretuar dhe torturuar qytetarët e Prishtinës, gjatë kohës së luftës në Kosovë, duke thënë se akuzat ndaj tij janë të pavërteta dhe po bëhen për qëllime të linçimit të ministrit serb të Bujqësisë.

Simiq: Nuk keni arritur të krijoni eufori nacionale

“Më vjen shumë vështirë të besoj që disa që deri dje kanë qenë në pushtet e sot janë në opozitë nuk kanë zgjidhje konkrete për qytetarët tanë, të cilët përballen me probleme dhe më vjen rëndë që disa përmes mediave tentojnë që të krijojnë atmosferën e linçimit të zotit Rikallo. Duket se jeni munduar përmes mediave një eufori nacionale, por në këtë nuk keni arritur, pasi që qytetarët nuk kanë besuar në argumentet që keni nxjerrë. Ky është mentaliteti politik, i cili është i pranishëm te disa deputetë  dhe grupeve të deputetëve, dhe ky mentalitet gjithmonë e përdorni kundër dikujt për të fshehur paaftësinë tuaj dhe për të tejkaluar problemet ekonomike me të cilat përballen qytetarët”, ka thënë Simiq.

Andin Hoti : Mos të merremi me Rikallon!

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti ka folur për herë të parë në foltoren e Kuvendit. Ai është shprehur i pakënaqur që Kuvendi sot po diskuton për cështjen e një ministri serb, sic është, Nenad Rikallo.

Ai thotë se gjendja e rinisë në vendin tonë është tejet shqetësuese.

“Që koka shumë i rëndësishëm ky Rikallo po e shof qe 3 orë tu diskutu për të se sa për programin e qeverisë. Ju bëjë thirrje që t’i kthehemi punës që jemi për Kuvend, për ligjin e rinisë. Rinia në Kosovë është keq.

Rugova-Rikallos: Është e rrugës ta lironi pozitën

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova iu ka drejtuar ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, duke i thënë se ka qenë e rrugës që vet ai ta lirojë pozitën dhe t’i jap mundësi organeve të drejtësisë që ta bëjnë punën e vet, kurse, kryeministri Haradianj ta emërojë dikë tjetër.

Kjo pasi janë 20 qytetarë që po pretendojnë se ai ka kryer krime gjatë luftës. Ai po ashtu i ka thënë deputetëve që të kenë kujdes dhe mos ta bëjnë punën e organeve të drejtësisë.

Albin Kurti pyet: Pse barrën e Rikallos po e merr qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në interpelancën parlamentare për rastin Rikallo ka thënë se nuk e di pse qeveria po e merr si barrë rastin Rikallo për akuzat publike se ai ka keqtrajtuar shqiptarët.

“Ministri i bujqësisë është akuzuar më akuza publike se ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Mësuam se kryeministri aktual i është drejtuar institucioneve për të mësuar të vërtetën për qytetarët. Këtu janë 20 njerëz që kanë dëshmuar.

Ai më tej ka thënë se institucionet të cilat i ka pyetur Haradinaj për informata për rastin Rikallo është dashur të thonë se nuk kanë asgjë.

“AKI, Policia dhe Prokuroria sikur të thoshin se kemi informata lidhur me këtë, atëherë këto institucione do të shkatërroheshin”, tha Kurti.

Sherifi: Çështja e Rikallos s’është më punë e kryeministrit

Deputeti i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se çështja e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, nuk është më punë e kryeministrit Haradinaj dhe as e deputetëve por është çështje e drejtësisë.

Ai kërkoi që mos të shndërrohet Kuvendi në Gjykatë.

Hoti-Rakiqit: Nuk mund të na tregoni ju si duhet të funksionojë shoqëria e Kosovës

 Shefi i grupit parlamentar të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një replikë ndaj deputetit të Listës Serbe, Velimir Rakiq ka thënë se ai nuk mund të tregoj se si duhet të funksionoj shoqëria e Kosovës.

“Kërkesa e grupit tonë ka qenë dhe mbetet e thjesht që të sqarohen akuzat publike ndaj ministrit Rikallo. Nuk është vendi që të na tregoni se si duhet të funksionoj shoqëria kosovare. Në këtë e kemi treguar në vitin 1999”, tha Hoti.

Haradinaj: Kur janë dënuar komandantët e UÇK-së disa jeni gzu e keni festu

Deputeti i VV-së Xhelal Sfeqla, ka kërkuar në emër të dy dëshmitarëve që të shkarkohet ministri i Bujqësisë Nenad Rikallo, nga ky post si dhe dërgimi në Prokurori të këtij rastit të ti.

“Të gjithë dëshmitarët deklarojnë se Rikallo është parë në vazhdimësi me kapelë ushtarake. Banorët përmendin edhe thyerjet e lokaleve e banesave. Rikallo në vitin 1998 i përkiste grupeve kriminale që dhunonte e dëbonte shqiptarëve, i furnizonte të tjerët për të kryer krime”, tha ai.

Ai tha se drejtësia nuk është e barabartë për shqiptarët dhe serbët, sepse shqiptarët janë dënuar pa prova duke përmendur vëllezërit Kiqina, Sylejman Selimin e Sami Lushtakun.

Për këtë ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj,i cili tha kur janë dënuar komandantët disa janë gëzuar dhe kanë festuar.

“Motivi që i shtyn disa me mbrojt të drejtën e viktimës, është me siguri i ndershëm, por nuk besoj që të gjithë janë me i mbrojt viktimat, sepse kur janë dënu komandantat jeni gëzu, keni festu edhe e di që jeni gëzu”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se është interesuar shumë për rastin e Rikallos dhe tha të ketë dëgjuar se disa perosna të cilët e akuzojnë ministrin, ia kanë zaptuar banesën pas luftës dhe më pas i kanë kërkuar para.

“Ata që po folin ja kishin nxon këtij banesën mas luftës dhe ia kishin marrë do pare për me ia lëshu banesën. Edhe na jemi shqiptarë edhe na dhamin këto tema”, tha Haradinaj.

Krasniqi: PDK mbështet hetimin ndaj Rikallos pa keqpërdorim politik

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se deputetët e këtij subjekti i japin mbështetje organeve të drejtësisë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejt hetimet ndaj ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Krasniqi tha se çfarëdo akuze për kohen e luftës duhet të hetohet hollësisht dhe në rastin konkret janë njoftuar nga kryeministri për informatat që ka kërkuar nga disa institucione në Kosovë, gjë që kanë rezultuar se nuk kanë dyshime.

Sipas tij, zoti Rikallo ka qenë në jetën publike në Kosovë që nga përfundimi i luftës por për çudi asnjë akuzë deri thash, por çdo hetim duhet të mos bëhet jashtë kontestit politikë, andaj PDK i jep mbështetje organeve të drejtësisë që të përfundojë sa më shpejt hetimin ndaj ministrit.

Zemaj: Dihen personat që janë rrahur nga ministri Rikallo, ja për kënd bëhet fjalë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në interpelancën parlamentare për rastin Rikallo ka thënë se gjithçka po kërkon LDK-ja është shkarkimi i Rikallos dhe t’i hapet udhë institucioneve të drejtësisë për të hetuar rastin Rikallo.

Ai tha se interesi i përgjithshëm i LDK-së është që në qeveri të ketë njerëz me duar të pastra.

Ai tha se LDK asnjëherë deri më tani nuk ka shfaqur ndonjë tendencë ndaj individit apo ndonjë grupi politik.

“Në aspektin ligjor ne kemi dëgjuar deklaratat e qytetarëve, po të ishte një, por janë dhjetëra banorë të moshave të ndryshme që e flasin të njëjtën ngjarje për këtë person”, tha Zemaj.

Ai tha se deklaratat e kryeministrit se institucionet zyrtare mund të jenë të sakta dhe se ato nuk kanë sjellë asnjë fakt për Rikallon, kanë qenë kur banorët kanë deklaruar në media.

Fjalim i plotë:

Është e qartë se si ligjvënës jemi të detyruar që ta mbrojmë interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Kërkesa për të kaluarën invidivuale, grupore por edhe etnike u takon organeve përgjegjëse në vend.

Interesi jonë i përgjithshëm është që të kemi qeveri me duar të pastërtia. Asnjëherë, deri më tani, nuk kemi shfaqur ndonjë tendence, qoftë ndaj individit apo grupi politik.

Ajo që është shqetësuese që ne kërkojmë drejtësi dhe verifikim të ministrit Rikallo. Ajo që është ulur afër z.Haradinaj tregon vartësinë që keni nga ky koalicion për të qenë në pushtet.

Në aspektin ligjor, ne kemi dëgju deklaratat e qytetarëve. Janë dhjetëra banorë, të moshave të ndryshme, që e flasin të njëjtën ngjarje për të kaluarën e tyre. Ata që kanë jetuar në Prishtinë, gjeneratat e ndryshme, ka qenë vështirë që dikush të deklarojë se është i komunës së Deçanit apo Drenicës.

Kërkojmë që institucionet tona të jenë me duar të pastërta. Deklaratat e kryeministrit se janë zyrtare, mund të jenë të vërteta. Ato janë në momentin që ju i keni kërkuar, jo kur dëshmitarët kanë folur. Ne tash duhet të marrim përgjigje se deri kur kanë shkuar hetime.

Mos i përzini temat, pse është në përbërje qeveritare. Pse ky gjendet ministër.  Një lagje e tërë fol për veprimet e këtij njeriu. 

Deputeti i VV-së zbulon detaje tjera për krimet e Rikallos

Deputetet i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla ka thënë se kryeministri Haradinaj duhet urgjentisht të shkarkoj ministrin Rikallo.

Ai tha se tani më ka edhe fakte të publikuara se Rikallo dhe familja e tij kanë qenë pjesëmarrës në spastrimin etnik të Kosovës.

Të gjithë dëshmitarët deklarojnë se Nikallo gjatë kohës së bombardimeve ai zakonisht është parë me uniforme dhe me kallashnikov në krah. Rikallo që sot e kemi në krye të ministrisë, ai gjatë luftës ishte me paralimitarët që dhunon shqiptar. Një njeri që në vitin 98 na ka dhunuar sot ai na përfaqëson në ministri.

Ai më tej ka thënë se drejtësinë mund t’i ndihmoj edhe Kadri Veseli, sepse për shqiptarët ai po ka materiale./BS

Ky është fjalimi i tij:

Dje folëm për çfarëdo qeverie bashkë me Listën Serbe dhe rrjedhimisht peng i Serbisë për hir të pushtetit por jo vetëm me kaq por edhe me të dyshuar për krime lufte,Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Janë emëruar rreth 20 dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar në Prokurori për dëmet e tij, disa nga ta edhe publikisht në media kanë përshkruar ngjarjet nëpër të cilat ata kanë kaluar, për shkak të dhunës, torturës bashkë me disa të tjerë.

Të gjithë dëshmitarët deklarojnë se Rikallo gjatë kohës së bombardimeve vazhdimisht është parë me uniformë dhe kallashin e tij në supe, banorët e lagjes Dardania ndër të tjera përmendin edhe thyerjet e lokaleve, banesave, garazheve e veturave të shqiptarëve në Dardani.

Po ashtu ata përmendin se si Rikallo me kamion kanë shpërndarë armatim për serbët, banorë të Dardanisë.

Ai njihet për gjuajtjen në ndërtesë, ku ende janë shenjat.

Ka qenë pjesë e bandave, që ka rrahur shqiptarët mbi kurriz. Nëse nuk u përgjigjeshin serbisht, ka pasuar dajaki.

Deklaratat tona të cilat janë publikuar nëpërmjet medieve janë mëse të vërteta dhe do të ndërmarrim secilën rrugë ligjore që të dihet e vërteta.

Jemi dëshmitarë të krimeve të Rikallos, dhunuesit nuk kanë as nacionalitet as përkatësi fetare apo kombëtare

Ata përfaqësojnë vetveten dhe ashtu shpresoj të trajtohet ky rast, pa pas përfitime apo dëmtime partiake apo nxitje dhe urrejtjes mes nesh. 

Rikallo, në vitin 1998, i përkiste grupeve që malltretonte shqiptarët. Paramilitarët dhe kriminelët e tjera i furnizonte me armë, nuk duam ai që na ka dhunuar tash të na përfaqësoje. Një kriminel i tillë nuk na jep frymën e lirisë. Ju jeni zëri i atyre që i masakruan  u dëbuan, kërkojmë nga ju t’i dilni zot këtij vendi, dhe neve që kemi parë terrin me sy, ta shkarkoni Rikallon dhe kërkojmë nga Prokuroria e Kosovës që pa ndikim politik ta zbardhë rastin për të ndriçuar lirinë, dy dëshmitarë të rastit.

Deklarimet e tyre përputhen dhe dëshmojnë se Rikallo ka qenë pjesë e krimeve, përpos dëshmive të dëshmitarëve ka edhe dëshmi për aktivitetin e tij dhe të familjes në spastrimin e shqiptarëve. Ndërkohë është lista e oficerëve që kishin bazën në Dardani, babai i tij është i 129-të në këtë listë, ku adresa dhe numri i telefonit përputhen me vendbanimin e tyre të atëhershëm, ka edhe materiale, maska e thikë që i janë dorëzuar atëherë. Ftoj ata që i kanë pranuar që të lajmërohen në Prokurori që t’i dorëzojnë dhe të tregojnë se ku i kanë dorëzuar. Ndoshta Kadri Veseli mund t’u ndihmoj bashkë me SHIK-un e tij, është përgjegjësi primarë që shteti t’i sigurojë ato prova që jo vetëm të shkarkohet nga Qeveria por të burgoset e të dënohet nga gjykatat tona.

Haradinaj: Mekanizmat e sigurisë nuk kanë informacione se Rikallo ka kryer krime

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke raportuar në Kuvendin e Kosovës për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, për të cilin janë hedhur dyshime se ka kryer krime lufte në Kosovë, ka thënë se ka kërkuar informacione zyrtare nga mekanizmat përgjegjës lidhur me këtë çështje, dhe asnjë nga ta nuk ka paraqitur informacione për inkriminimin e Rikallos për dhunë ndaj shqiptarëve.

Haradinaj tha se bazuar në informacionet e dhëna nga Drejtoria për Inteligjencë dhe Analizë, Prokuroria Speciale, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe KMLDNj nuk ka raste të raportuara se Nenad Rikallo ka kryer dhunë ose tortura ndaj shqiptarëve.

Haradinaj ka lexuar përgjigjet e secilës nga mekanizmat e lartpërmendur:

“Drejtoria për inteligjencë dhe Analizë: Nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të PK-së. Nga Prokuroria Speciale kam marrë këtë përgjigje: Ju informojmë se në databazën e PSP nuk evidentohet asnjë shënim apo rast që ka të bëjë me informacione qe po qarkullojnë për personin Nenad Rikallo.  AKI nuk ka dorëzuar ndonjë informatë në Prokurorinë e Shtetit për personin Nenad Rikallo.  Sipas KMLDNj në buletinet e saj për vitin 1999-2000 nuk ka ndonjë dëshmi, deklaratë apo provë që inkriminon Nenad Reikallon për dhunë ndaj shqiptarëve”, tha Haradinaj duke iu referuar përgjigjeve të këtyre mekanizmave të cilëve u është adresuar zyrtarisht në lidhje me përfshirjen e mundshme të Rikallos në krime lufte.

LDK kërkon që Rikallo të shkarkohet menjëherë

Ka rifilluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri Ramush Haradinaj do të jetë në interpelancë për ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalo i cili dyshohet për keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së luftës.

Shefi i grupit parlamentar, Avdullah Hoti në fillimin e interpelancës ndaj kryeministri Ramush Haradinaj për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka propozuar që Haradinaj të shkarkoj menjëherë ministrin Rikalo.

Ai tha se në qeveri nuk duhet të ketë një ministër i cili akuzohet për keqtrajtim të shqiptarëve.

 “Grupi parlamentar i LDK-së ka thirrur në interpelancë kryeministrin Haradinaj për të dhënë përgjigje lidhur me akuzat publike që po i bëhen qytetarët për keqtrajtime. Institucionet e Kosovës duhet të udhëhiqen nga njerëz me duar të pastra dhe në asnjë mënyrë një njeri që ka keqtrajtuar qytetarët shqiptarët”, tha Hoti.

Ai tha se këto dyshime bartin përgjegjësi politik për ministrin dhe kryeministrin.

"Populli i Kosovës ka vuajtur shumë nga torturat sepse vet ka vuajtur nga presioni dhe gjenocidi dhe në nuk duhet të ketë një ministër që akuzohet për keqtrajtim të shqiptarëve", ka pohuar Hoti.

Hoti gjithashtu ka kërkuar që të votohet mocioni, i cili pikë të parë ka shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Rikallo dhe pikë të dytë Prokuroria të fillojë hetimet.

Propozues i kësaj seance është Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në këtë seancë në orët e paradites deputetët diskutuan një mori problematikash.

Nxehet dabati në Kuvend, Krasniqi Haradinajt: Pse e arsyetoni kaq shumë Nenad Rikallon?

Deputeti i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, i ka drejtuar pyetje ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Nenad Rikalo lidhur me akuzat e banorëve të lagjes “Dardania’ të kryeqytetit se ka kryer tortura ndaj shqiptarëve gjatë luftës.

Krasniqi ka kërkuar sqarim për deklaratën e ministrit Rikalo i cili a ka thënë se ka pasur jetë të qetë gjatë vitit 1999 dhe marrëdhënie të mira me fqinjët.

“Ju keni deklaruar se keni pasur jetë të qetë dhe keni pasur marrëdhënie të mira me fqinjët tuaj. Pse fqinjët tuaj nuk po akuzojnë dikënd tjetër, sepse nuk kemi problem me komunitetin serb në Kosovë. çka nënkupton që keni bërë jetë të qetë gjatë vitit 1999, kur shqiptarët torturoheshin. Në jetën e qetë tuajën a janë përfshirë torturat ndaj shqiptarëve”, pyeti Krasniqi.

Ndërsa ministri Rikalo nuk ndodhej në sallën e Kuvendit në momentin kur Krasniqi parashtroi pyetje për të.

Mungesën e tij e ka arsyetuar kryeministri Haradinaj, i cilit tha se e ka porositur Rikalon që të përgatitet për interpelancën e cila pritet të mbahet pas pak në lidhje me këtë çështje.

Krasniqi Haradinajt: Pse e arsyetoni kaq shumë Nenad Rikallon?

Deputeti Frashër Krasniqi ka bërë një pyetje për Nenad Rikallon duke thënë se nuk e di pse thotë se ‘ka pasur raporte të mira me fqinjët e tij gjatë luftës’ derisa thotë që të njëjtit ‘fqinjë po e akuzojnë atë për tortura gjatë luftës’

“Ju keni deklaru se keni bë një jetë të qetë dhe keni pasur raporte të mira me fqinjët, po pikërisht fqinjët tuaj kanë deklaruar se janë maltretuar nga ju. Pra, pse pikërisht ju jeni ai që ata thonë se janë maltretuar. Çka nënkuptoni ju me frazën që keni bërë jetë të qetë me fqinjët tuaj”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë Krasniqi ka thënë se nuk e kupton se si Haradinaj arsyeton ministrin Rikallo, derisa ka shtuar se ai do të duhej ta shkarkonte atë.

“Ju zoti Haradinaj po i dilni në krah një ministri ndaj të cilit ka akuza serioze nga qytetarët e Kosovës. Nuk po ju kuptoj zoti kryeministër. Po i dilni në mbrojtje në vazhdimësi”, ka thënë Krasniqi

Votohet pro formimit të 14 grupeve parlamentare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar propozim vendimin për formimin e 14 grupeve parlamentare për legjislaturën e gjashtë.

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ka thënë se rritja e numrit të komisioneve është rehatim të deputetëve të komisioneve.

Përndryshe, me kërkesë të kryeministrit Haradinaj, deputetët kanë shkuar në një orë pauzë, ku më pas do të jetë interpelanca e kryeministrit.

Molliqaj  Haradinajt: A është vërtetë i mundur liberalizimi brenda 3 muajve, Haradinaj: Nëse është e paarritur kërkojë edhe falje

Image

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj i ka parashtruar një pyetje parlamentare të parit të vendit, Ramush Haradinaj lidhur me liberalizmin e vizave.

Ai ka pyetur atë se a është vërtetë i mundur liberalizimi brenda 3 muajve dhe a do të ishte në gjendje të kërkonte falje në rast se nuk bëhet një gjë e tillë.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj ka cilësuar se janë në proces të punëve lidhur me liberalizimin si dhe janë duke u bërë të gjitha përgatitjet.

“Kam marrë edhe një shkrim lidhur me këtë pyetje dhe kështu është gjendja. Kufiri është në Çakorr dhe Kullë, është dhe do të mbetet. Është temë që Kosova e dinë, duhet një Komision i ri t’i kryejë procedurat që i takojnë të vërtetoj. Liberalizimi i vizave është temë që është ndërlidhë përpos reformave në rend dhe ligj në qasjen e korrupsionit, dhe ato administrative në MSA-që janë nxjerrë në agjendën reformuese evropiane ka 22 veprime. Ne mund të jemi më vonë me demarkacionin, pra mund të vonohemi për shkak se Kosova si ka versionet e tashmë. Kjo temë mund të çalojë por është në proces, është operacionale që ende në afat të tillë kohor  pritet të vijë përgjigja për liberalizimin. Kemi bërë përpjekje që në këtë kohë puna të fillojë edhe nga ne edhe nga agjencia evropiane dhe nga Kosova e Ministrja Integrimeve, punë këto të cilat janë intensive dhe  në zbatim.Po përdorim formulën e zbatimit të tyre. Nëse duhet të kërkohet falje për një të paarritur edhe e bëjë por ende mbaj shpresë që do marrim lajmin e duhur”,ka thënë kryeministri Haradinaj

Haradinaj: Do të angazhohemi që rasti i Astrit Deharit të ketë një epilog

Ramush Haradinaj është përgjigjur në lidhje me çështjen e rastit të Astrit Dehari të ngritur nga deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj.

Haradinaj thotë se është e papranueshme kur një rast gjyqësor zgjatet pa kufi , duke thënë se si Qeveri do të angazhohen që këto procese të marrin një epilog.

Kryeministri tha se meqë pushtet janë të ndara, Qeveria e Kosovës ka aprovuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë detyrat që i takojnë ekzekutivit sa i përket çështjes Dehari.

“Për mua është e papranueshme që një rast të zgjatet pa kufi, pa epilog, është një drejtësi e mohuar. Pushtetet janë të ndara, por çdo aspekt i Qeverisë këto procese do të marrin epilog, vetëm se s’mund ta bëjmë rolin prokurorit dhe gjyqtarit”, tha Haradinaj.

Ai me këtë rast ka ngushëlluar familjen e të ndjerit Astrit Dehari, i cili vdiq në qendër të paraburgimit, ku mbahej si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Pajaziti kërkon kod të etikës në rregulloren e Kuvendit

Image

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti propozojë që urgjentisht të ndryshohet rregullorja e Kuvendit lidhur me kodin e etikës ose brenda rregullores të miratohet një kod i veçantë për etikën.

“Nuk mund të sillemi indiferent me atë çka ka ndodhur në Kuvend, me sjelljen dhe gjuhën parlamentare. Kurrë më keq nuk ka qenë imazhi i politikanëve të Kosovës dhe mendoj që duhet të ndalen këto”, tha ai.

Sherifi: Qeveria dhe Kuvendi të merren me qentë endacakë

Image

Deputeti i Nisma për Kosovën Bilall Sherfi, ka shprehur shqetësimin për mossigurimin e fëmijëve dhe njerëzve të moshuar në një kohë ku janë shumuar qentë endacak.

Sherifi thotë se nuk është e udhës u është lënë në përgjegjësi të komunave kjo çështje, për shkak se siç tha ai, kanë kapacitete të vogla buxhetore që të merren me këtë problem.

Ai thotë se është Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi të cilët duhet të merren seriozisht me trajtimin e këtij problemi, para se të ndodhë ndonjë fatkeqësi me pasoja fatale.

“Ky Kuvend dhe Qeveria e kanë për obligim se para se të humben jetëra të vihet kjo çështje nën kontroll”, tha Sherifi.

Ai ka porositur kolegët e tij dhe funksionarët në Qeveri që t’ua dinë hallin njerëzve që udhëtojnë me këmbë.

“Hyni pak nën lëkurën e njerëzve te cilët ecin me këmbë nëpër fshatra e  nëpër Komunën e Prishtinës. Është urgjente që të ndërmerren masa edhe Qeveria të bëjë një plan që të trajtohet kjo çështje”, tha Sherfii.

Molliqaj: Deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë falje nga Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka kërkuar nga qeveria aktuale të ndërmarrë veprime të menjëhershme për zbardhjen e rastit të Astrit Dehari, i cili vdiq në paraburgim.

“Pres nga kjo qeveria që brenda një jave të vij një komision ndërkombëtar për të hetuar rastin e Astrit Deharit”, tha Molliqaj.

Ai tha se përkundër faktit që Kuvendi i Republikës ka marrë nje vendim që të ketë një hulumtim të jashtëm, qeveria e kaluar nuk e përdori një vendim të Kuvendit.

Ai ka thënë se drejtësia, madje edhe raportet e FBI’së, tashmë kanë vërtetuar se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë fajtorë lidhur me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. 

Pres kërkim falje ndaj familjes Dehari, ndaj aktivistëve tonë, ndaj VV’së dhe përfundimisht ndaj qytetarëve. Sepse nuk po thojmë ne, po thojnë institucionet që ju i keni kapë”, ka thënë Molliqaj.

Ai tha arrestimi i aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit është i montuar politikisht, dhe sipas tij edhe të dhënat e forenzikës e tregojnë se të akuzuarit nuk kanë qenë të përfshirë në këtë sulm.

Kuvendi fillon me një minut heshtje për viktimat në SHBA

 Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur seancën me një minutë heshtje për viktimat e sulmit terrorist në SHBA.

Kërkesën për një minutë heshtje e bëri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës përveç pikave të tjera, në rend dite është edhe interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta informuar Kuvendin lidhur me akuzat e publike ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

Pikë tjetër  rendit të ditës së seancës së sotme është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat