Abazi flet për akuzat ndaj SHIK-ut, tregon kush duhet të dëshmojë për vrasjet

Aktuale

Abazi flet për akuzat ndaj SHIK-ut, tregon kush duhet të dëshmojë për vrasjet

Nga: A.S Më: 6 tetor 2017 Në ora: 15:37
Haki Abazi

Analisti politik Haki Abazi, ka thënë se në parim nuk do të duhej të ishte në dorën e Kadri Veselit për të treguar se kur duhet hetuar këtë organizatë, pasi që sipas tij ai e ka udhëhequr SHIK-un, që dyshohet të ketë lidhje me vrasjet politike të pasluftës.

“Në parim, ky hetim nuk do të duhej të ishte në dorën dhe vendimin e Kadri Veselit. Ai në fakt po tregon që prokuroria dhe sistemi gjyqësor, janë të varur nga krerët politik. Çfarë është e qartë dhe e padiskutueshme, është se ka listë të njerëzve të vrarë e të eliminuar për shkak të përcaktimit dhe angazhimit të tyre politik. Dhe në anën tjetër, kemi një grup të apostrofuar që mund të ketë lidhje me këto vrasje, e që në këtë rast është SHIK-u e udhëheqësi i kësaj organizate ka qenë vet Veseli”, ka thënë Abazi në një prononcim për gazetën  “Bota sot”.

Sipas tij, Veseli është i fundit që duhet të flas për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Prandaj, kjo situatë në asnjë mënyrë nuk duhet të luhet politikisht me drejtësinë dhe zbardhjen e këtyre rasteve. Dhe aq me pak që Veseli është i fundit që duhet të flas, nëse ai apo dikush nga klani i tij do të lejojë apo nuk do të lejojë hapjen e dosjeve dhe nisjen e hetimeve”, ka thënë më tej Abazi.

Abazi ka vlerësuar se për të pasur sukses në hetimin e SHIK-ut, duhet të merren parasysh deklaratat e ish-pjesëtarëve të SHIK-ut.

“Për të shkuar me tutje akuzat për këtë çështje, organet e drejtësisë duhet të kenë parasysh ish-pjesëtarët e SHIK-ut, siç është Nazim Bllaca dhe Naim Miftari, të cilët hedhin akuza publike lidhjet e SHIK-ut me vrasjet”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, duhet të merren për bazë edhe një numër i madh i bizneseve, të cilat akuzojnë se janë dëmtuar nga organizata SHIK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat