Thaçi: Themeluam Specialen por premtimet nuk u realizuan

Aktuale

Thaçi: Themeluam Specialen por premtimet nuk u realizuan

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 10:08
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e dhëna në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale.

Presidenti Thaçi deklaroi se themelimi i Gjykatës Speciale ndodhi në rrethana imponuese diplomatike por ishte nevojë politike dhe me qëllim të ruajtjes së partneritetit strategjik me SHBA-të, BE-së dhe NATO-n.

Ai këto komente i bëri gjatë një paneli të organizuar nga OJQ-të, Integra, CPT, PAX, me temën “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë.

Thaçi tha se Kosova si asnjë vend tjetër në rajon bashkëpunoi edhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, dhe në të gjitha këto procese u tregua më liberale se vendet tjera, por u ndëshkua më së shumti.

Thaçi: Pranimi erdhi në rrethana imponuese

“Vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale, erdhi si nevojë politike ndërkombëtare e akterëve ndërkombëtar, se sa për drejtësi të mirëfilltë. Pranimi ndodhi në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtar, me arsyetimin se duhet të kënaqin akterët tjerë në veçanti Beogradin dhe Rusinë, që kjo çështje të mos delegohen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që ta ruajmë partneritetin strategjik me SHBA dhe BE dhe NATO-n, pranova ta udhëheq një proces të padrejtë historik ndaj Kosovës, përkundër opinionit masiv politik dhe qytetar ndaj kësaj gjykate. Nga BE na u premtua se do  të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodh liberalizimi i vizave shpejtë, se do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do të themelonin Forcat e Armatosura shpejtë dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi e gjy katës, bashkësia ndërkombëtare asnjë nga këto premtime nuk i realizoi, përkundrazi Kosovës iu vështirësua integrimi euroatlantik”, tha ai.

Thaçi më tej tha se kjo Gjykata Speciale, ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa me Kosovën ky bashkëpunim është minimal.  

Thaçi: Bashkëpunimi me Kosovën minimal

“Gjykata Speciale do t’i shfrytëzoj vetëm pretendimet e ngritura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, aq sa di unë.  Gjykata Speciale ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë dhe zyrën për krime lufte në Beograd, me Kosovën bashkëpunimi është minimal, simbolik dhe i njëanshëm, të mos themi se s’ka bashkëpunim fare. Ka informim minimal procedural. Autoritete në Beograd pretendojnë se e dinë se kur do të akuzohet dhe pse do të akuzohet për shqiptarët e Kosovën”, tha ai.

Megjithatë tha se Gjykata Speciale është avantazh për Kosovën dhe jo disavantazh. Ndërsa theksoi se si President i vendit, është i përkushtuar për të vërteten dhe pajtimin dhe se Gjykata Speciale do të jetë vetëm një pikë drejtësi në detin e pa drejtësive që kanë ndodhur në Kosovë.

Thaçi foli dhe për raportin e Dick Martit për të cilin tha se nuk ka qenë aksidental, por i motivuar politikisht.

Avis Beneš, shefe e njësisë së informacionit dhe komunikimit publik në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, tha se dhomat e specializuara kanë mandatin për të kryer gjykim të drejtë dhe për të siguruar një proces të rregullt.

Benes: Mandati ynë është një gjykim i drejtë

“Prokuroria Speciale janë ata që hetojnë dhe duhet të ngrenë akuza dhe ne nga ana jonë, ne Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi mandatin për të kryer një gjykim të drejtë dhe për të siguruar që ka një proces të rregullt. Dhe që të gjitha aspektet e proceseve gjyqësore, po vendosen dhe se ka një gjyq të sigurt, të pavarur dhe të paanshëm. Gjithashtu për t'u marrë me pjesëmarrjen e viktimave dhe aspektet e tjera...Një gjë që unë dua të theksoj është se ne jemi një gjykatë e ligjit dhe mandati ynë është një gjykim i drejtë, në thelb, mandati është që të informojmë, të informojmë objektivisht se çka po ndodh dhe të sigurojmë të gjithë informacionin në lidhje me procedurën dhe të ofrojë informacionin aktual’, tha ajo.

Por kritika për themelimin e Gjykatës speciale, kishte Baton Haxhiu, i cili tha se presidenti Thaçi se me votimin e Gjykatës Speciale, bëri një dështim historik e moral.

Haxhiu: Keni bërë dështim historik

 “Ju me Gjykatën Speciale keni bërë dështim moral, i juaji personalisht dhe i deputetëve. Ju me Gjykatën Speciale keni bërë një dështim moral, dy keni bërë dështim politik, tre keni bërë dështim juridik dhe katër keni bërë dështim historik”, tha ai.

E Thaçi iu përgjigj duke thënë se e lehtë është të kritikohet.

Thaçi: Është lehtë me kritiku e me sulmu presidentin

 “Më së lehti është me kritiku dhe sulmu presidentin. Unë i marrë përgjegjësit dhe pranoj përgjegjësitë e mia, por vetëm ato që theksoj dhe mos mi keqinterpretoni. Unë nuk kërkoj rishqyrtim dhe në anën tjetër, e kam theksuar në Parlament që ditën e parë që është padrejtësi historike ndaj Kosovës por domosdoshmëri politike me rujt partneritetin me miqtë tanë ndërkombëtar”, tha ai.

Ndryshe, në të gjeturat e raportit i cili u prezantua, lidhur me perceptimin publik për Gjykatën Speciale thuhet se  51 për qind e qytetarëve shqiptarë, janë të gatshëm të protestojnë në rast të paraqitjes së aktakuzave të para dhe se ndjenja e padrejtësisë nga ana e të anketuarve, është në masë të madhe.

Po ashtu, sipas raportit  67 për qind e shqiptarëve të Kosovës vlerësojnë se krijimi e Gjykatës Speciale, është i padrejtë. Ndërkaq serbet e Kosovës, janë shumë skeptik që Gjykata Speciale do të vë drejtësi.

Ndërkaq pakënaqësitë e njerëzve mund të qojnë në trazira civile dhe se qytetarët mund të angazhohen në pengimin e autoriteteve të Kosovës, akterëve ndërkombëtare, Gjykatës Speciale nga ndjekja penale ndaj atyre që është ngrit aktakuza.

Thaçi kritikon Gjykatën Speciale: Po bashkëpunojnë maksimalisht me Serbinë e aspak me Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në panelin e organizuar nga OJQ-të: Integra, CPT, PAX, me temën : "Përceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë, tha se Kosova është treguar me lojale, por është ndëshkuar më së shumti.

“Gjykata Speciale është hibride. Dosjet janë dorëzuar nga Beogradi. Gjykata Speciale do të shqyrtojë vetë pretendimet e ngritura”, tha ai, raporton RTK.

Thaçi, theksoi se duhet të themi atë që dimë dhe që është e saktë. “Gjykata Speciale është një etnike. Gjykata Speciale nuk do të merret me dhunimet që i ka bërë serbët në Kosovë, nuk do të merret me 12 mijë vrasjet në Kosovë. Pra kjo gjykatë s’merret fare me krimet në Kosovë që i ka bërë Serbia”, tha ai.

Sipas tij Lufta e UÇK-së, ka qenë e drejtë.

“Ne duhet të punojmë që çdo krim të ndëshkohet. Unë dua të besoj se pavarësisht sfidave dhe pengesave që i kemi, dialogu me Serbinë është i pa alternativë”, tha ai. Thaçi ka ftuar për debat të gjerë të të gjithë akterëve që të marrin pjesë në debat.

Thaçi kritikon Gjykatën Speciale: Po bashkëpunojnë maksimalisht me Serbinë e aspak me Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se raporti i senatorit zviceran, Dick Marty, ka qenë i motivuar politikisht dhe jo aksidental.

Ai madje ka thënë se ky raport u botua një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010 në Kosovë, madje, sipas tij, votimi në Këshillin e Evropës i këtij raporti ndodhi në kohën kur po zhvilloheshin negociatat për formimin e qeverisë së re.

Thaçi gjatë këtij fjalimi madje ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke thënë se kjo e fundit ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa bashkëpunimi i saj me Kosovën është minimal, përkatësisht nuk ka bashkëpunim fare.

Ai madje u ka bërë me dije të pranishmëve në konferencën e organizuar se rreth 50 për qind e kosovarëve janë të gatshëm të protestojnë kundër Gjykatës Speciale, pasi që kjo do të merret vetëm me krimet e supozuara të UÇK-së. 

Thaçi tregon arsyen pse nuk e paditi Dick Martyn për akuzat ndaj UÇK-së

“Pas publikimit të raportit unë paralajmërova se do ta padisë senatorin Dick Marty. Por ai kishte imunitet dhe padia nuk do të mund të ndodhte”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Ai ka thënë se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi si nevojë politike dhe jo si nevojë për drejtësi”.

Presidenti ka thënë se, për ta ruajtur partneritetin me aleatët, ka pranuar që ta udhëheqë një proces aspak të lehtë.

Sipas tij, Serbia ka dorëzuar mbi 80 mijë dosje për Gjykatën Speciale, përfshirë edhe raportin e Dick Martyt, të cilat mund të përdorën në këtë proces.

Thaçi ka thënë se kjo gjykatë është një-etnike, vetëm kundër shqiptarëve dhe ajo nuk do të merret me shqyrtimin e asnjërës prej 400 masakrave të kryera në Kosovë nga forcat serbe.

Këto deklarata presidenti Thaçi i ka bërë sot gjatë një paneli të organizuar nga OJQ-të me temën “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”

Thaçi thotë se ka dezinformata për atë që do të sjellë Gjykata Speciale

Presidenti Thaçi në debatin e organizuar nga OJQ-të Integra, CPT, PAX, me temën: "Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë” ka theksuar se ekzistojnë dezinformata, pritje joreale, dezinformata të qëllimshme, për atë se çfarë është dhe çfarë do të sjellë Gjykata Speciale.

“Në rrethana të tilla, vështirë se Gjykata Speciale do të mundë të arrijë të bëjë atë që synon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës por edhe për të gjithë ata që janë angazhuar dhe vazhdojnë të angazhohen për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë”, ka theksuar ai.

Thaçi ka thënë se kur jemi tek e drejta për drejtësi, janë pesë mekanizma që kanë vepruar në Kosovë tashmë e dy dekada me mandat ekzekutiv ndërkombëtar, gjyqet e UNMIK-ut, ato të EULEX-it, Tribunal i Hagës, EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në një debat me temë Përceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”.

Ky aktivitet organizohet nga OJQ-të Integra, CPT, PAX.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat