O’Connell: Kosova të çlirohet nga emërimet politike dhe nepotizmi

Aktuale

O’Connell: Kosova të çlirohet nga emërimet politike dhe nepotizmi

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 14:33
Ruairi O’Connell

(E plotësuar) - Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, ka tërhequr vërejtjen se korrupsioni dhe nepotizmi mbesin probleme serioze në Kosovë.

Ai këto komente i bëri pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Britanisë së Madhe lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Diplomati britanik tha se Kosova nuk përparon me njerëz jo profesional, pasi që ata punojnë për të avancuar qëllimet e shefave të tyre.

O’Connell: Kosova duhet të çlirohet nga emërimet politike dhe nepotizmi

“Korrupsioni dhe nepotizmi, mbesin probleme serioze për Kosovën. Shpërfaqja më e mirë e këtyre dukurive janë rastet e emërimeve publike të njerëzve jo profesional, të cilët nuk janë aty për të ndihmuar agjencionin, por për të avancuar qëllimet e shefave të tyre. Të arriturat e tyre të gjithë e dimë. Me njerëz të tillë nuk përparon Kosova. Në fakt, Kosova duhet të çlirohet nga njerëzit e tillë. Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë interes të përbashkët që Kosova të jetë vend i sigurt,  i prosperuar dhe zhvilluar ekonomikisht e politikisht. Që Kosova të ecë përpara ju keni nevojë për njerëz të mirë, të aftë dhe të pavarur në institucionet publike. Kjo është arsyeja për të cilin ne e filluam projektin e rekrutimit”, tha ai.

O’Connell ka thënë se është i sigurt që qytetarët e Kosovës nuk janë të kënaqur kur punësohen personat në shumë institucione nga partitë politike.

O’Connell: Me një lule nuk çel pranvera

“Bordet e ndërmarrjeve publike, kryeshefa ekzekutiv apo sekretar permanent emërohen pa ndonjë proces të mirëfillta regrutimi. Apo me vetëm 15 minuta intervistë sa për sy e faqe. Gjatë vitit të kaluar projekti pati fillim të ngadalshëm. Nga tetë procese të rekrutimit të zhvilluara përmes ndihmës nga projekti jonë, institucionet e Kosovës përmbyllën me sukses dy emërime. Drejtorin e doganave dhe kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Punësimit, të cilët u përzgjodhën në bazë të meritës. Mirëpo, me një lule nuk çel pranvera. Mua më vjen shumë mirë që kryeministri dhe partnerët e koalicionit kanë vendos të vazhdojnë këtë projekt. Siç i kam thënë edhe herën e kaluar, projekti jonë konsiston me mbështetjen e dhënë paneleve rekrutuese për përzgjedhjen  e kandidatëve më të mirë në bazë të meritave përmes proceseve profesionale dhe transparente. Emërimi final i personave nëpër pozita i takon Kosovës”, tha a i.

O’Connell ka thënë po ashtu se suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Qeverisë së Kosovës. Ai po ashtu tha se Qeveria mund të procedojë menjëherë edhe një çështje tjetër përmes procesit fer,  i ndihmuar me panelet rekrutuese të bordit të KEK dhe PTK-së të përgatisin listën e shkurtër të kandidatëve.

Diplomati britanik po ashtu ka shprehur shqetësimin për numrin e vogël të grave që aplikojnë dhe si rezultat drejtojnë me pozita të larta.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ka falënderuar ambasadorin britanik për përkrahje e po ashtu e ka treguar edhe qëllimin që ka ky memorandum, duke thënë se kjo ka të bëjë me një ekspertizë falas dhe ndihmë.

Haradinaj: Ky memorandum nuk na bën më pak zot shtëpie

“Memorandumi i sotëm hyn në karakterin e marrjes së ekspertizës, kjo nuk e vë në dyshim zotë shtëpinë ose, kapacitetin ose të tjera. Është praktikë për shumë tema marrja e ekspertizë në fakt shpesh për këtë ekspertizë paguhet. Ne e kemi falë këtë ekspertizë. Kjo është vetëm ndihmë nuk e cenon atë kush është Kosova. Duhet ta kemi parasysh se vërtet është që vuajmë prej këtyre fenomeneve që u ceken nga ambasadori. Tani ne shumë herë dëshirojmë mos me i pas parasysh ato, por është vlerësim i përgjithshëm se nuk kanë shkuar mirë këto procese nëpër etapa. I tërë memorandumi është i dakorduar prej zyrtarëve ligjorë të Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryeministri po ashtu ka thënë se do të ndryshojë gjendja në shumë borde e agjenci, duke folur edhe për përgjegjësit që duhet të japin përfaqësuesit e këtyre bordeve.

Ai po ashtu ka thënë se kanë për obligim shkurtimin e numrit të bordeve dhe agjencive pasi kjo është edhe një obligim që del nga MSA dhe ERA.

Haradinaj: Na duhet ligji për Qeverinë, kemi shumë agjenci e borde

“Ne e kemi një problem në Kosovë  edhe ky problem është serioz ka shumë agjencie Kosova, qeveritare, parlamentare, një numër i madh. E kemi direkt detyrë nga MSA dhe ERA, për ta reduktuar këtë numër. Gati në përgjysmim është numri. Ndoshta duhet me bërë edhe ligjin për Qeverinë e vendit, se Qeveria nuk ka ligj. Për këtë arsye është numri kaq i madh i ministrive në të ardhmen kishim mund të bëjmë një ligj për Qeverinë, me bërë tash dhe me ia propozuar parlamentit që kur formohet qeveria e ardhshme nuk humbin sektorë”, tha Haradinaj.

Ai po ashtu ka folur edhe për anëtarët e bordeve të shkarkuara kohët e fundit, duke përfshirë edhe shkarkimin e anëtarëve të Komisionit për demarkacion, Agjencisë së akreditimit ku për këta të fundit tha se janë raportuar nga Agjencia Kundër Korrupsion. 

Emërimet në pozitat e larta drejtuese do të bëhen nën mbikëqyrjen e ekspertëve britanikë

Qeveria e Kosovës dhe Ambasada britanike në Prishtinë kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit lidhur me rekrutimin e pozitave të larta drejtuese.

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se ky memorandum ka për qëllim që procesi i rekrutimit të personave në krye të agjencive që janë në përgjegjësi të Qeverisë të jetë kredibil, ndërsa tha se  gjatë këtij procesi do të ketë ekspertë që nga vijnë nga Mbretëria e Bashkuar.

E ambasadori britanik në Kosovën Ruairi O’Connell, vlerëson se korrupsioni dhe nepotizmi janë dy probleme serioze në Kosovë. Ai tha se ky projekt përfshin të gjitha emërimet në bordet publike duke përfshirë KEK-un dhe PTK-në.

“Kur filluam këtë projekt vitin e kaluar që të sfidojmë praktikën që pozitat e larta fitohen veç me politikë dhe 15 minuta intervistë vetëm sa për sy e faqe dhe pa proces të mirëfilltë, nga 8 projekte, vetëm 2 kanë pasur sukses:  Dogana dhe kryeshefi ekzekutiv  i Agjencisë së Punësimeve, por me një lule nuk qel pranvera”, tha ai.

E kryeministri Haradinaj foli edhe për liberalizmin e vizave, ku tha nuk është i pashpresë dhe se kushti kryesor është  lufta ndaj korrupsionit,  ndërsa për demarkacionin me Malin e Zi, tha se Qeveria është duke e bërë punën e saj.

Sa i përket marrjes së nënshtetësisë shqiptare kryeministri tha se nuk është kundër,  pasi edhe ai e ka nënshtetësinë shqiptare.

“Nuk jam kundër,  unë e kam marr për vete”, u shpreh Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat