Apostolova porosit VV-në: Si partia më e madhe në Parlament, keni përgjegjësi të mëdha

Aktuale

Apostolova porosit VV-në: Si partia më e madhe në Parlament, keni përgjegjësi të mëdha

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 16:59
Pamje nga takimi

Shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka thënë se zgjidhja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të bëhet në Parlamentin e Kosovës, ndërkohë që ka potencuar se dialogu Kosovë -Serbi është shumë i rëndësishëm për BE-në.

Këto komente shefja e BE-së në Kosovë i bëri në takimin që pati me shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca dhe tre kryetarët e komisioneve parlamentare nga kjo parti.

Apostolova në këtë takim tha se demarkacioni me Serbinë duhet të zgjidhet me dialog.

Apostolova: Demarkacioni me Malin e Zi duhet të zgjidhet në Kuvend

 “Për demarkacionin pyetja është ose po ose jo, a është fer a jo nuk do ta diskutojmë, por mendoj që është fer, sepse ne na ka dhënë një dituri  në lidhje me këto probleme dhe nga eksperiencat tjera të shteteve anëtare të BE-së. Do të thotë dialogu për të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen, dikush do të thotë se si do ta bëjnë demarkacionin me Serbinë dhe kjo do të zgjidhet me dialog, ndërsa me Malin e Zi, kjo duhet të zgjidhet në parlamentin e Kosovës”, tha ajo.

Shefja e BE-së tha se pa marrë parasysh formën e dialogut rëndësia e tij është shumë e rëndësishme, duke theksuar se dialogu është progres për Kosovën në rrugën e saj drejt Evropës.

Apostolova: Dialogu i Kosovës, Beograd-Prishtinë është ekstremisht i rëndësishëm

“Siç e keni përmendur drejt në gjërat që i thatë gjatë prezantimit duhet shumë të bëhet në përfshirjen e të gjitha etniteteve në Kosovë, por pa marrë parasysh kjo nuk mund të ndodh gjatë natës dhe për atë arsye për neve dialogu i Kosovës, Beograd-Prishtinë është ekstremisht i rëndësishëm. Unë veç kam dëgjuar deklarata nga liderët e juaj të partisë tuaj, dhe e di se janë disa çështje që ende duhet të konsiderohen apo të diskutohet për to, por më lejoni ta adresoj që për ne, për BE-në dialogu pa marrë parasysh çfarë forme do të ketë është një çështje e rëndësishme dhe është një urë e rëndësishme e cila mund ti krijoj marrëdhëniet e mira fqinjësore. Si dhe do të progresonte Kosovën në rrugën e saj drejt Evropës”, tha ajo.

Apostolova për Vetëvendosjen tha se janë një parti e fortë dhe se duke qenë partia më e madhe në Parlament, e ka përgjegjësinë më të madhe. Ndërsa, tha se pret që Vetëvendosja të jetë një opozitë konstruktive.

E shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se gjithmonë kanë pasur kritikat sa i përket zhvillimit të dialogut. Ai tha se pakënaqësia më e madhe e tyre është që sipas tij Kosova më shumë po konceptohet si një instrument në raport me Serbinë.

Konjufca: Unë nuk di me të vërtetë çfarë kompromise ka bërë deri më tani Serbia

“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka pasur kritikat e saj të mbështetura në argumente se konceptimi dhe korniza për brenda së cilit zhvillohet ky dialog lë shumë për të dëshiruar për shtetin e Kosovës. Këtu ka një pakënaqësi të përgjithshme, popullore dhe qytetare me mënyrën se si Bashkimi Evropian e ka konceptuar këtë proces. Pakënaqësia kryesore është e mbështetur mbi një vërejtje e cila konsiston në atë që neve na duket se Kosova gjithnjë e më shumë po konceptohet sikur një instrument në raport me Serbinë, për të ja shpejtuar sidomos Serbisë proceset e integrimeve evropiane. Në anën tjetër shumë marrëveshje të cilat janë bërë në Bruksel ne konsiderojmë që nuk kanë qenë zgjidhjet më të mira për Kosovën. Ne e dimë që çdo proces negociator i ka edhe kompromiset e veta të dhimbshme, mirëpo unë nuk di me të vërtetë çfarë kompromise ka bërë deri më tani Serbia”, tha ai.

Konjufca për Apostolovën pati edhe një kërkesë, që Lëvizja Vetëvendosje të udhëheqë komisionin parlamentar për implementimin e MSA-së.

Ndërsa, Kryesuesja e Komitetit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se shqetësuese mbetet mënyra e funksionimit të Kuvendit, që ajo tha se nga krijimi i Kuvendit vetëm një seancë është thirrur nga kryesia e Kuvendit.

Po ashtu, ajo tha se shqetësuese për Vetëvendosjen mbetet varësia e Qeverisë Haradinaj nga votat e Listës Serbe.

Haxhiu: Varësia nga votat e Listës Serbe për ne mbetet problem

“Varësia nga votat e Listës Serbe për ne mbetet problem, për faktin se ne dimë që Lista Serbe ka dal nga një proces i dialogut me Serbinë. Sigurisht që edhe kohën kur është votuar në Kuvendin e Kosovës për Qeverinë Haradinaj është dashur që të presim si deputet të Kuvendit është dashur të presim diku katër orë për të ardhur ata nga Beogradi për të marrë leje nga Vuqiq për të votuar qeverinë e Haradinaj.  Kur të flitet ta zëmë për ushtrinë Lista Serbe kundërshton duke ditur që për ta bërë ushtrinë nevojitet ndryshimi kushtetues atëherë ata e kundërshtojnë pikërisht duke marrë parasysh privilegjet që i kanë vendosur më parë”, tha ajo.

Gjatë ditës, Shefja e BE-së, Natalya Apostolova, është takuar edhe grupin parlamentar të PDK-së, ndërsa ditëve në vijim do të takohet edhe me partitë e tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat