Haradinaj priti përfaqësuesit e shoqatave shqiptare të Kroacisë

Aktuale

Haradinaj priti përfaqësuesit e shoqatave shqiptare të Kroacisë

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 18:16
Pamje nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se shqiptarët në Kroaci janë ambasadorët e Kosovës, pasi janë të njohur si luftëtarë të zotë të luftës atdhetare për pavarësinë e Kroacisë, të cilët me përvojën e arritur atje, ndihmuan edhe konsolidimin e UÇK-së, disa nga ta edhe ranë në altarin e lirisë së Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi që pati me përfaqësuesit e gjashtë shoqatave të shqiptarëve të Kroacisë, Esad Çollakun, kryetar i Unionit të Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Tom Kaqinarin, kryetar i Shoqatës së vullnetarëve të Kroacisë, Gjergj Kolëgjeraj, nënkryetar i Shoqatës shqiptare të mbrojtësve në Kroaci, Beshir Ziberi, kryetar i Bashkësisë shqiptare të Karllovcit, Pren Gjokaj, nënkryetar i Bashkësisë shqiptare të Istrës dhe Behar Mullajupi, kryetar i Shoqatës “Shkëndija”.

Haradinaj tha se shqiptarët në Kroaci kanë zë të mirë edhe si punëtorë e afaristë të ndershëm, por edhe si qytetarë të integruar në jetën institucionale dhe shoqërore të shtetit kroat.

Ndërsa, përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave të ndryshme të komunitetit shqiptar të Kroacisë, janë zotuar se do të vazhdojnë të ndërtojnë ura miqësie ndërmjet dy popujve dhe shteteve.

Ata po ashtu thanë se do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe të lobojnë tek institucionet e shtetit kroat që ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat