Tre ministra dhe trembëdhjetë deputetë garojnë në komuna

Aktuale

Tre ministra dhe trembëdhjetë deputetë garojnë në komuna

Më: 14 tetor 2017 Në ora: 08:52
Kuvendi i Kosovës

Në garë për zgjedhjet komunale të 22 tetorit janë tre ministra dhe trembëdhjetë deputetë. Madje njëri nga ministrat e Qeverisë garon për ulëse të Asamblesë Komunale. Analistët politikë thonë se kjo qasje e zyrtarëve të lartë të Qeverisë është joserioze sepse, siç thonë ata, ministrat duhet të fokusohen në problemet e dikastereve që i drejtojnë dhe jo ta shpërndajnë energjinë e tyre edhe në nivele lokale, shkruan sot Zëri.

Ndonëse kanë zënë pozitën e ministrave e të deputetëve shumë prej tyre po synojnë që të mbërrijnë në krye të komunave, duke u kandiduar për kryetarë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Madje ka prej atyre që ndonëse janë caktuar ministra po synojnë që ta zënë edhe ulësen e asamblistit në komunat përkatëse.

Shyqyri Bytyçi e Bajram Hasani janë dy prej ministrave (nga Nisma) që po pretendojnë të udhëheqin me komunat. Përderisa Bytyçi drejton Ministrinë e Arsimit dhe në të njëjtën kohë po pretendon ta fitojë Prishtinën, Hasani duke qenë ministër i Tregtisë dhe Industrisë po synon që ta marrë Komunën e Gjilanit.

Pavarësisht që ata kërkojnë postin e kryetarit, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili po pretendon të zgjidhet asamblist në Komunën e Prishtinës.

Pos kësaj janë edhe më shumë se 10 deputetë, të cilët po synojnë të vijnë në krye të komunave, ani pse në zgjedhjet e 11 qershorit kishin marrë besimin e qytetarëve.

Përderisa ata thonë se një gjë të tillë po e bëjnë për të mirën e qytetarëve, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se tërë këto janë vetëm mashtrime të tyre për t’i realizuar interesat individuale e partiake.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat