Haradinaj: Adrian Krasniqi, vuri themelin e rrugës për lirinë e Kosovës

Aktuale

Haradinaj: Adrian Krasniqi, vuri themelin e rrugës për lirinë e Kosovës

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 15:46
Ramush Haradinaj

Adrian Krasniqi, ishte ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili vuri themelin e rrugës për liri. Ndërsa mbi supet e tij, përveç peshës së armëve, mbajti dhe peshën e madhe të historisë dhe lirisë së vendit

Kështu u tha  në Akademinë  përkujtimore që u mbajt në Prishtinë në 20 vjetorin e  rënies së heroit të kombit, i cili është mbajtur  nën patronatin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. 

Kryeministri i Kosovës  Ramush Haradinaj, tha se Adriani ishte nga ata që i vuri themel rrugës për liri. Ndërsa tha se Kosova dhe shqiptarët e kanë obligim, ta vlerësojnë kontributin e  tij dhënë për lirinë e Kosovës.

Haradinaj: E kemi obligim ta vlerësojmë kontributin e heroit Adrian Krasniqi

“Shumë prej nesh në këtë sallë,  kemi përvojë të bashkëveprimit me Adrianin, dhe secili nga ne mund të sjellë aspekte që e kanë bërë të veçantë Adrianin. Është mirë t’i themi këto fjalë sot ne këtë 20 vjetor. Ai shihte shumë larg deri në liri. Deri në ditët e sotme.  Ishte nga ata luftëtarë , që përpos rrugës deri në liri, ai kish vizion dhe për më tutje. Ishte i formuar aq shumë jo vetëm për rëndësinë e lirisë, por dhe rëndësinë e lirisë çka ndodh më tutje me popullin e tij.....Ishte po ashtu i gatshëm që përveç organizimit, përhapjes së ideologjisë së lirisë,  ai e kishte kapacitetin që farën e lirisë me mbjell tek plot moshatarë, por jo vetëm të moshës sonë të atëhershme. Të plotë bashkëpunëtor vëllezër dhe motra,  që do ta ndjekshin më vonë rrugën e lirisë dhe rrugën e  tij për me u fliju heroikisht. Jo vetëm të Kosovës por dhe Shqipërisë.  Duke qenà « kështu Kosova, shqiptarët, e kanë obligim me vlerësu  dhe respektu drejt kontributin në rrugën tonë deri në liri, të heroit të kombit Adrian Krasniqi, familjen Krasniqi, bashkëluftëtarëve që janë gjallë dhe ta kemi udhërrëfyes në perspektivën tonë si  Kosovë dhe si shqiptar”, tha  Haradinaj.

Ish anëtari i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, deputeti Rexhep Selimi  tha se Adrian Krasniqin, i cili ishte nder themeluesit e UÇK-së, do ta kujtojnë si ai që furnizonte njësitet e  UÇK-së,  me armët e sjella nga thellësia e atdheut dhe si Adrianin, i  cili shtegtonte dhe kryente aksione kudo në Kosovë, në Dukagjin, Llap apo Drenicë.

Selimi: Adrianin do ta kujtojmë si themeltar të lirisë

“Tash e 20 vite barra e lirisë së Kosovës po pushon pothuajse vetëm mbi supet e dëshmorëve. Sepse vetëm  aty po rrinë liria e Kosovës. Këtë barrë kurrë nuk e morën ata  që nuk morën plumba në gjoks siç morën dëshmorët.  Unë si bashkëluftëtar i tij,  nuk mund të jem sot as analitik, as historian e studiues shkencor,  për veprën e Adrian Krasniqit. këtë gjë nuk mund ta bëjnë shokët e tij . S’mund ta bënte as Iliri,  as Zahiri, sikur të ishin gjallë. E as nuk mund ta bënte as Muja as Luani. Këtë gjë nuk mund ta bëjë as familja e tij. Ne nuk mund ta bëjmë këtë gjë,  për shkak se e ndjejmë Adrianin. Ende i ruajmë gjërat e tij si kujtim. Ende ia ndjejmë dhe ngjyrën e zërit se tij. Këtu s’ka vend për analitikë të ftohtë,  sepse këtu ka emocion. Ne nuk mund ta  shkruajmë historinë e tij. Por këtë do të duhej ta bënte Kosova, për të cilën ai ra. Kjo Kosovë, që n uk e bëri kurrë. Jo pse Kosova nuk deshi, por se nuk  deshën ata që ishin në udhëheqje të kësaj Kosove. Megjithatë ne Adrianin do ta kujtojmë përherë. Do ta ruajmë Adrianin  në kujtimet tona ashtu siç ishte si themeltar i lirisë së Kosovës”, tha Selimi.

Edhe ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo, i cili i pranishëm në këtë akademi, tha se është e vështirë të flas midis heronjve, për një hero siç është Adrian Krasniqi.

Milo: Është e vështirë të flas për heronjtë, midis heronjve

“Është kënaqësi e veçantë që sot jam këtu , jo thjeshtë për të folur për veprën heroike të Adrianit,  siç ju e njihni më mirë se unë.  Por është e vështirë për të folur për heronjtë dhe midisi heronjve. Këtu midis jush ka shumë heronjtë të luftës, ka shumë  bashkëluftëtar të atyre viteve të lavdishme. Aq sa qoftë edhe unë dhe të tjerë si puna ime jemi minorancë,  që duhet t’i dëgjojmë me respekt ata që e bënë luftën.  Ndërkohë që gjithë të tjerët duhet të përulemi në nderim të kujtimit të dëshmorëve dhe heronjve...Pse ne u bëmë më të guximshëm në Tiranë. Pse ne u inkurajuam aq shumë  thjeshtë nga armët tuaja, që kërcisnin nëpër Kosovë. Unë po iu përcjell këtu ato çfarë kam ndjerë.. Ju na trimëruat neve. Ju na bëtë diplomat të shquar. Sepse ishit në të drejtën tuaj. Dhe ne kishim atë moral,  që mbështetej në kauzën tuaj dhe tonën”, tha ai.

Ndërkaq vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari,  Rifat Jashari tha se të gjallëve u ka mbetur obligim moral, që të punojnë për ta çuar vendin, aty ku deshën dëshmorët e rënë.

Jashari: Lavdi për gjithë ata që ranë për liri

“Lavdi dhe nder Adrian Krasniqit. Gjithë atyre që ranë për liri dhe pavarësi.  Ne të gjallëve na ka mbet obligim moral dhe i domosdoshëm,  që të punojmë që veprat gjakun dhe luftën e tyre ta qojmë përpara deri ku ata kanë dëshiruar”, tha ai.

E në emër të bashkëluftëtarëve të Adrianit, foli Gëzim Sejdiaj, i cili kujtoi momente të cilat i kaloi së bashku me Adrianin.  Ndërsa tha se së bashku me armët, mbi supe bartnin dhe peshën e madhe të historisë dhe lirisë.

Sejdiaj: Mbi supe bartnin peshën e armëve dhe historisë

“Sot 20 vite më parë, një natë me shi, në një temperaturë të ulët,  po nisej kolona e UÇK-së  e prirë nga Adrian Krasniqi, bashkë me Mujë Krasniqin, Ilir Konushevci.  Ata mbi supe bartin një peshë të madhe dhe historisë. Peshën e armëve dhe lirisë, armë të cilat ndërruan historinë e popullit. Shiu dhe breshëri nuk mund ta ndalnin rrugën e tyre. Ashtu siç s’mund të ndalnin rrugën pritat e organizuara nga ushtria serbe dhe bashkëpuntorët e saj. Ardiani po sillte në Kosovë pushkën, amanet  të Zahirit dhe Luanit, Edmondit.  Po hynte në Kosovë i bindur në fitore dhe i gatshëm për sakrificë”, tha ai.

Adrian Krasniqi ishe ushtari i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra i veshur me uniformë të UCK-së. Adrian Krasniqi u vra më 16 tetor të vitit 1997 në Kliçinë të Pejës gjatë sulmit në stacionin policor serb. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat