Sulmohen fizikisht dy zyrtarë të Vetëvendosjes

Aktuale

Sulmohen fizikisht dy zyrtarë të Vetëvendosjes

Nga: Bota sot Më: 16 tetor 2017 Në ora: 22:20
Lëvizja Vetëvendosje

Deputeti Ismajl Kurteshi dhe kandidati për kryetar të Shtimes Ruzhdi Jashari dhe disa aktivistë nga Lëvizja Vetëvendosje janë sulmuar fizikisht me gurë, vezë dhe shishe.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media, ku kanë thënë se ata janë sulmuar pas përfundimit të tubimit të VV-së në fshatin Caravelë të Shtimes, përcjell Bota sot.

Nga sulmi lëndime trupore ka marrë aktivisti Arbër Krasniqi.

Komunikata e plotë:

Sonte, rreth orës 20.00, persona të panjohur kanë sulmuar me gurë, vezë dhe shishe deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Drejtuesin e Shtabit Qendror të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshin, kandidatin për kryetar të Shtimes z.Ruzhdi Jashari dhe disa aktivistë dhe simpatizues.

Ata u sulmuan pas përfundimit të tubimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në fshatin Caralevë të Komunën e Shtimes, që qëllon të jetë dhe fshati i kryetarit aktual të Komunës së Shtimes.

Aktivisti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbër Krasniqi ka marrë lëndime nga sulmi që është kryer para pranisë së zyrtarëve të policisë, jo më larg se 5 metra prej tyre.

Lëvizja VETËVENDOSJE! fton organet ligjzbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime për zbulimin dhe dënimin e sulmuesve.

Këto sulme që shpërfaqin panikun e pushtetit lidhur me fuqizimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komunën e Shtimes dhe kudo në Republikën e Kosovës nuk do të mund ta ndalin vullnetin popullor për ndryshimin e madh politik, të filluar më 11 qershor dhe që do të masivizohet edhe më shumë në rezultatin e zgjedhjeve të 22 tetorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat