Apostolova: BE krah për krah me Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz

Aktuale

Apostolova: BE krah për krah me Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 12:33
Takimi i organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Është moment i mirë për të treguar porosi të qarta se Qeveria e Kosovës e kupton seriozisht rëndësinë e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore.

Kështu pohoi kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. Haradinaj tha se duhet identifikuar dhe ndëshkuar bartësit e këtij krimi.

Haradinaj: Duhet ta gjejmë kush e ushqen këtë krim

“Parandalimi i këtij lloj krimi specifik, duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni më fuqi. Rëndësi të posaçme dhe duhet të jemi direkt, t’i identifikojmë dhe ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Dikush e ushqen këtë krim, duhet me gjetë kush janë ata.  Kapaciteti ynë veprues dhe ekspertiza jonë duhet me u avancuar në përputhje me kapacitetin e atyre që janë bartës të këtij krimi. Ata janë në raste të caktuara të sofistikuar, kanë lidhje rajonale, ndërkombëtare. Ekspertiza jonë duhet të avancojë, njëkohësisht për me mund me trajtu me efikasitet, duhet të vendoset një bashkëpunim profesional mes të gjitha institucioneve të përfshira dhe artereve tjera, organizatave joqeveritare dhe gjithë mekanizmave që e trajtojnë këtë temë. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi rajonal. Po ashtu edhe bashkëpunimi me BE- në, në përputhje me konventat e dakordume që sot ekzistojnë”, tha ai.

Ndërsa, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova , tha se trafikimi me njerëz, është industri bilionëshe që prek shtresat më të rrezikuara të shoqërisë përfshirë edhe fëmijë.  Ajo tha se BE është krah për krah me Kosovën, në luftimin e këtij fenomeni negativ.

Apostolova: BE krah për krah me Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz

“Është e papranueshme që ende dhe sot përballemi me një fenomen të tillë. Trafikimi me njerëz është shkelje e rëndë e të drejtave fundamentale të njeriut. ..Parandalimi dhe luftimi i trafikimit me njerëz është një nga top prioritetet i BE-së...BE dëshiron të ndihmoj Kosovën në luftimin e trafikimit me njerëz duke ndarë me Kosovën përvojat dhe ekspertizat BE nëpërmjet mjeteve të ndryshme. Që nga fillimi i këtij viti, BE po financon një projekt në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, me një vlerë totale rreth një milion euro. Ky projekt ofron trajnime për policët, prokuroret gjykatësit dhe të tjerët... Ç’rrënjosja e trafikim me njerëz është proces kompleks.. Luftimi i trafikimit me njerëz është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve. Kosova ka një rol të rëndësishëm në adresimin e këtij problemi. BE është krah për krah me Kosovën  në luftimin e këtij fenomeni negativ”, tha ajo..

Skënder Reçica, ministër i punës dhe mirëqenies sociale tha se kjo dukuri duhet të ç’rrenjoset dhe se institucionet duhet të punojnë shumë për të ndaluar këtë dukuri.

Reçica: Duhet të punojmë fort, ta parandalojmë këtë dukuri

“Sot kemi para vetës një temë, jo vetëm më përmasa të dhimbjes njerëzore por po aq me peshë ngarkesë të ndërgjegjes sonë. Kjo pasojë e rëndë e një sëmundje shoqërore, duhet të ç’rrenjoset dhe ne do të punojmë fort të gjithë së bashku për të parandaluar trafikimin, duke mbrojtur viktimat dhe duke dënuar krimin. Për viktimat ne duhet të ofrojmë siguri e kushte rehabilitimi, ndërsa për krimin drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj”, tha ai.

E Riza Shillova nga Policia e Kosovës tha se policia ka treguar vigjilencë të lartë karshi kësaj dukurie, për të marrë masat e nevojshme. Ndërsa pohoi se viktimat e trafikimit me qenie njerëzore janë kryesisht të moshës së re nën 18 vjeçare.

Shillova: 45 për qind e viktimave nën moshën 18 vjeçare

“Sfidë për neve ne këtë fushë mbetet akoma anëtarësimi në disa organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Interpol. Policia e Kosovës në kuadër të vlerësimeve strategjike të rreziqeve dhe kërcënimeve nga krimi i organizuar dhe krimeve të rënda, ka radhitur trafikimin më qenie njerëzore si një nga kërcënimet kryesore... Mosha e viktimave të trafikimit kryesisht është e re dhe ajo sillet rreth moshës 18 vjeçare, ku  shumica e viktimave që janë të kësaj moshe, pothuajse 45 për qind e viktimave janë nën moshën 18 vjeçare”, tha ai. .

Prokurori Besim Kelmendi,  tha se sfidë për prokurorinë e shtetit mbetet ndjekja dhe ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në trafikimin me qenie njerëzore.

Kelmendi: Sfidë ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në këtë krim

“ Ne vazhdojmë të mos jemi të kënaqur me politikën ndëshkimore, me rastet e trafikimit me qenie njerëzore dhe për këtë arsye po shfrytëzojmë çdo mundësi ligjore që kjo politikë ndëshkimore të përmirësohet dhe kryesit e veprave të marrin dënimin e  merituar dhe t’u konfiskohet pasuria e përfituar me këtë vepër penale. Sfide tjetër për Prokurorinë e shtetit, është dhe ndjekja dhe ndëshkimi i zyrtarëve të përfshirë në trafikimit me qenie njerëzore, sepse zyrtarët duhet të jenë shembulli i mirë në parandalimin dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore dhe jo pjesë e këtij krimi”, tha ai.

Kjo konferencë është organizuar nga MPB me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat