Vazhdon rreziku nga fruthi në Kosovë, deklarohet QKUK-ja

Aktuale

Vazhdon rreziku nga fruthi në Kosovë, deklarohet QKUK-ja

Më: 19 tetor 2017 Në ora: 23:26
Foto ilustrim

Ditëve të fundit është shtuar dukshëm numri i të prekurve me sëmundjen e fruthit në Kosovë. Nga kjo sëmundje deri më tani kanë vdekur 2 persona, një fëmijë 15 muajsh dhe një 37 vjeçar.

Në QKUK numri i të prekurve nga kjo sëmundje vazhdon të jetë i madh. Momentalisht aty janë duke u trajtuar rreth 60 të prekur nga fruthi, ndërsa disa prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, ka sqaruar se prej 60 pacientëve që po trajtohen, janë vetëm tri raste në gjendje më të rëndë shëndetësore. Sipas tij, të njëjtit persona edhe më parë kanë vuajtur nga sëmundje të tjera.

Ramadani thotë se shpreson në përmirësimin e gjendjes së tyre, pasi që mjekët po japin maksimumin e tyre që të mos përfundojnë me fatalitet, sikur rastet e mëparshme.

“Momentalisht i kemi rreth 60 të prekur nga fruthi, ndërsa deri më tash i kemi liruar nga klinika diku mbi 100 raste. Janë dy ose tri raste  të cilët janë në gjendje serioze të sëmurë. Janë duke u mjekuar  nga mjekët përkatës.  Rastet janë në situatë serioze, por jo aq sa të përfundojë në fatalitet, sikur dy rastet e mëparshme. Shpresojmë se situata do jetë në favor të epilogut të sëmundjes por nuk mund të saktësojmë se si do shkojë. Mendojmë që ecuria e këtyre do jetë më e mirë se e rasteve të kaluara, ndonëse edhe më parë kanë qenë të prekur me sëmundje tjera”, është shprehur Ramadani.

Ramadani theksoi se Klinika Infektive momentalisht është e pajisur mirë me barna sa i përket sëmundjes së fruthit.

“Javën që shkoi i kemi marrë barnat, medikamentet, të cilat më herët kanë munguar, materialet shpenzuese, infuzionet, kanillat. Aktualisht qëndrojmë mirë  në aspektin e barnave dhe medikamenteve”, shtoi tutje Ramadani.

Drejtori i Klinikës Infektive tregoi se Ministria e Shëndetësisë ka ofruar ndihmë për QKUK-në, veçanërisht për klinikën ku Ramadani vepron, që të ketë sa më pak raste të rënda nga fruthi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat