Mustafa: Ky tubim madhështor sjell lajmin e madh për fitoren historike të LDK-së

Aktuale

Mustafa: Ky tubim madhështor sjell lajmin e madh për fitoren historike të LDK-së

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 19:58
LDK, fushata

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të premten në Prishtinë, se ky tubim madhështor dhe qindra të tjerë që janë mbajtur në çdo cep të Kosovës, paralajmërojnë për fitoren historike të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 22 tetor.

“Entuziazmi që kanë manifestuar qytetarët e mrekullueshëm të Kosovës në tubimet e takimet e shumta që kemi zhvilluar këto ditë të fushatës parazgjedhore, janë sinjal i fitores së sigurt të LDK-së. Fitorja e LDK-së në Prishtinë dhe në të gjitha komunat tjera, e ‘Lidhë’ nyje dhe e siguron trajektoren e rrugëtimit të Kosovës drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. Fitorja e LDK-së e ndalë keq-qeverisjen, zhvatjen, korrupsionin, kërcënimin, arrogancën e paranoizmin e rivalëve tanë politikë”, ka thënë Mustafa.

Ai pohoi se LDK-ja do të fitojë në këto zgjedhje, sepse qytetarët e Kosovës janë bindur që është zgjidhja më e mirë për qeverisje të pastër dhe të efektshme të komunave të Kosovës.

“Qytetarët tashmë e kanë të qartë sepse krejt zhvillimet e pasluftës në Kosovë janë argument se e vetmja forcë politike që u ka qëndruar besnikërisht interesave të tyre dhe interesit të Kosovës është Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK-ja nuk e ka keqpërdorur vullnetin e qytetarëve të saj. Por, rivalët e saj politikë e kanë keqpërdorur vullnetin e LDK-së për t’i kontribuar Kosovës. Prandaj, kësaj radhe, LDK-ja kërkon me të drejtë, mbështetjen qytetare për t’ua pamundësuar këtyre keqpërdoruesve të vazhdojnë ta keqpërdorin LDK-në dhe Kosovën”, tha Mustafa.

Sipas tij, kudo ku ka qeverisur, LDK-ja ka dëshmuar se punon për interesin e qytetarëve. “LDK-ja, në nivel lokal dhe në nivel qendror, ka dëshmuar se është e vetmja parti politike që e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin, që e rrit buxhetin dhe që e ndanë atë proporcionalisht dhe pa e diskriminuar askë”, tha ai.

Kreu i LDK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka bashkëjetuar dhe nuk do të bashkëjetojë me krimin e korrupsionin, prandaj rivalët tanë e kanë të vështirë të punojnë me ne, sepse nuk mund ta durojnë vullnetin e LDK-së për të punuar drejt, me transparencë dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Duke e qenë e tillë, e sinqertë dhe e vendosur, LDK-ja, ballëhapur, sot u del përpara qytetarëve të Kosovës, për të kërkuar prej tyre mbështetje për ta ndryshuar kursin e Kosovës. Kosova e shpërthen stagnimin dhe izolimin vetëm duke u udhëhequr nga LDK-ja. Sepse, duke qenë e vetmja anëtare e Familjes së Partive Popullore Evropiane, LDK-ja e udhëheqë Kosovën kah vlerat perëndimore”, tha Mustafa. 

Ai tha se LDK-ja është pasqyrë e Kosovës, ku bashkëjetojnë “Të Lidhur” brezi i bashkëpunëtorëve të presidentit Ibrahim Rugova, ai që e ndërtoi shtetin e Kosovës dhe brezi që do ta çojë përpara synimin për ta bërë Kosovën shtet të zhvilluar e demokratik. Për ta integruar në NATO e në Bashkimin Evropian, për ta bërë partnere dhe mike të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

“Për t’i arritur këto synime, që janë synime për Kosovën, LDK-së i duhet mbështetje edhe përtej saj. I duhet mbështetje gjithpopullore, të cilën këto ditë nëpër tubimet tona, kemi parë që e kemi fituar. LDK-së i duhet, sidomos mbështetja e të rejave dhe të rinjve të Kosovës, që janë pasuria e këtij vendi. Sepse modeli i qeverisjes së LDK-së është e vetmja alternativë për të rinjtë e Kosovës. Modeli ynë nuk i mashtron të rinjtë, duke i joshur me përfitime të pamerituara. Por, u krijon hapësirë zhvillimi e perspektivë. Modeli ynë i qeverisjes nuk i mashtron ata për t’u konfrontuar me aleatët tanë”, tha Mustafa.

Ai shtoi se të rejat dhe të rinjtë tanë, të ardhmen e tyre e kanë në LDK, sepse, vetëm LDK i ka dyert e hapura për ta, ua hapë dyert dhe i ‘Lidhë’ me krejt botën.

“Alternativat tjera i kanë të zymta. Janë të LIDHURA vetëm me degradimin e izolimin.  Ne i ftojmë të rinjtë tanë t’i bashkohen sa më shpejt vizionit të LDK-së për ta ndërtuar të ardhmen e Kosovës. Sepse Kosova është e tyre, siç është sot LDK-ja e të rinjve të Kosovës. Ne nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, për t’u bërë pjesë e skemave kriminale e të korruptimit. Nuk i thërrasim të rinjtë, sikur të tjerët, të bëhen pjesë e skemave paranojave dhe të rrezikshme për orientimin civilizues të Kosovës. Por, i thërrasim ta udhëheqin Kosovën e sotme drejt një Kosove euro-atlantike”, tha Kreu i LDK-së.

Vazhdimi i fjalimit të kryetarit Mustafa...

Të nderuar pjesëmarrës të këtij tubimi madhështor,

Për ta realizuar këtë synim për të ardhmen e Kosovës, LDK-ja i fton edhe ata qytetarë të dëshpëruar me të drejtë nga skemat e disa akterëve të skenës politike të Kosovës.

Ne ia hapim dyert asaj pjese të elektoratit që zakonisht abstenon. I thërrasim të dalin në zgjedhje dhe ta votojnë LDK-në. Sepse kjo është adresa e zgjidhjes së shqetësimeve të tyre. Dhe u themi se shqetësimi i tyre për gjeneratat e reja mund të zgjidhet vetëm duke votuar LDK-në në këto zgjedhje. Duke e nxjerrë LDK-në fituese të këtyre zgjedhjeve.

Pas fitores bindëse në këto zgjedhje, LDK-ja, do të kujdeset posaçërisht që mjegulla, e cila e ka kapluar të sotmen e Kosovës, të hiqet sa më shpejt dhe Republika jonë ta rifitojë të ardhmen që meritojnë qytetarët e saj.

Sepse ata nuk kanë kontribuar deri në sakrificë sublime që qeveria e Kosovës të varet nga vullneti i Serbisë.

As nga pazaret e ulëta e kontrabandimi i vullnetit të qytetarëve.  

Jo përmes gazit lotsjellës, granatahedhësve e koktejeve të mollotovit ndaj institucioneve e trupave të policëve tanë.

As duke organizuar atentate e duke sulmuar zyrtarë e familjarë të tyre.

Aq më pak duke ua tmerruar fëmijët dhe nipërit e mbesat.    

Lidhja Demokratike e Kosovës është ndryshe, prej krejt partive dhe grupeve tjera politike që funksionojnë në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës është institucion që mishëron traditën dhe aspiratën civilizuese të popullit të Kosovës.

Prandaj, jam besimplotë që më 22 tetor, qytetarët e Kosovës, do të demonstrojnë kulturën demokratike dhe veprimin civilizues evropian.

Duke dalë masivisht në zgjedhjet e 22 tetorit dhe duke votuar kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale, do t’ia rikthejnë vendit tonë imazhin e mirë dhe respektin e mbarë botës.

Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, t’i japin besimin programit dhe kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që qeverisja e mirë, transparente, demokratike dhe zhvillimore të aplikohet në sa më shumë komuna të Kosovës.

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Me mbështetjen tuaj të fortë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Ju do të përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftë të pa-kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke i dhënë mundësinë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qeverisur në shumicën e komunave të Kosovës, Ju do të përçoni mesazhin se mendoni që Kosovën, në të ardhmen, duhet ta qeverisë alternativa që përfaqëson Lidhja Demokratike, e bazuar në vizionin e ideuar nga Presidenti Ibrahim Rugova.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të punojë sinqerisht për ta bërë atdheun tonë shtet ku funksionon rendi e ligji.

Vend atraktiv për investimet e huaja dhe,

Përmes modelit të ekonomisë sociale të tregut, një vend të njerëzve që kanë mundësi të punojnë për mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre dhe për forcimin e shtetit.

Në mënyrë që shteti të mund të kujdeset për shtresat në nevojë.

Ne në Lidhjen Demokratike jemi plotësisht të përgatitur për ta udhëhequr Kosovën në sfidat e  plotësimit të standardeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me partnerin kryesor strategjik të popullit dhe shtetit të Kosovës-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Të dashur qytetarë,

Fitorja jonë më 22 tetor do t’ia shkurtojë jetën qeverisjes që nuk përfaqëson qytetarët.

Do t’i ndalë manipulimet me sentimente kombëtare për interesa meskine.

Do t’u japë goditjen që meritojnë tendencave për t’i devijuar qytetarët e Kosovës nga përcaktimi i tyre pro-perëndimor.   

Prandaj, Ju thërras që 22 tetorin ta shndërrojmë në referendum për të ardhmen e Kosovës.

Prandaj, ua bëjmë edhe një kërkesë shtesë qytetarëve të Kosovës. Bëni çfarë është e mundur që më 22 tetor, ta votoni bindshëm Lidhjen Demokratike të Kosovës, në mënyrë që të mos ketë nevojë për koalicione me askë. 

Duke na dhënë besimin, Ju na ngarkoni me përgjegjësinë për t’i bërë institucionet e Kosovës të besueshme për Ju dhe të dinjitetshme në sytë e fqinjëve dhe krejt botës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Ju garantoj se do ta kryej me përgjegjësi këtë detyrë dhe të gjithë ne do të mburremi me atdheun tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Ne thërrasim të gjithë qytetarët e Kosovës për t’i mbrojtur qeverisjet e mira të komunave të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 22 tetor, Gjilani do ta rizgjedhë kryetar Lutfi Hazirin-

Lutë, askush nuk do të mund ta ndalë projektin më të mirë të qeverisjes lokale. Ne do ta mbrojmë vendimin tonë për ta ndërtuar autostradën Prishtinë-Gjilan.

Më 22 tetor, në Viti do të fitojë Sokol Haliti,

Ferizaj do të vazhdojë të udhëhiqet nga Muharrem Sfarqa,

Lipjanin do ta udhëheqë, kush tjetër përveç Imri Ahmetit,

Suhareka do të ri-konfirmohet bastion i LDK-së me Sali Asllanajn kryetar,

Peja do të vazhdojë zhvillimin dhe qeverisjen e mirë me Gazmend Muhaxherin,

Bastioni i përjetshëm i LDK-së, Istogu, do të vazhdojë të qeveriset mirë nga Haki Rugova, që krejt Kosova ia ka zili se është i afërt i Presidentit Rugova.

Llapjanët do ta votojnë kryetar të Podujevës, natyrisht Agim Veliun,

Fushë Kosovën do ta fitojë LDK-ja dhe Burim Berisha,

Më 22 tetor, qeverisjes së keqe në Prizren do t’i japë fund Hatim Baxhaku.

Ata që nuk qeverisën asnjë ditë, por u morën vetëm me propagandë e demagogji, më 22 tetor do t’i çojë në shtëpi kryetari i ardhshëm i Prishtinës, Arban Abrashi.

Më 22 tetor,

Njerëzit tanë do të bëjnë ndryshimin edhe në Kamenicë, Kaçanik e Han të Elezit, në Shtime, në Dragash, në Rahovec, në Malishevë, në Klinë, në Deçan, në Junik, në Gjakovë, në Mitrovicë, në Vushtrri e në Obiliq.

Ka ardhur koha që Skenderaj e Drenasi t’i kthehen Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u ka ndenjur afër gjithmonë. 

URIME FITOREN E MADHE DHE FORCIMIN E LIDHJES SË QYTETARËVË TË KOSOVËS ME LIDHJEN DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti i bekoftë qytetarët e Kosovës.

Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat